Autoritetet shqiptare dhe ato të Kosovës kanë goditur një grup kriminal që merrej me trafik armësh. Në një konferencë të përbashkët, Policia e Shtetit ka bërë me dije se nga aksioni janë sekuestruar gjithsej 64 armë zjarri dhe municione. Hetimet kanë nisur në muajin shkurt të këtij viti, u pas informacioneve të grumbulluara ne rrugë operative se një person me inicialet V.O., bashkëpunonte me të tjerë për të trafikuar armë në të dy anët e kufirit.

Në pranga janë vendosur 24 persona, 14 prej tyre në Kosovë dhe pjesa tjetër në Shqipëri. Edhe në këtë aksion, zbulohet se një nga anëtarët e bandës së trafikut të armëve është Euxhenio Manushi, djali i muzikantit të njohur Ad Sybardhit. Ky i fundit vetëm pak ditë më parë u kap në Tiranë me 1.5 kg kokainë dhe aktualisht ndodhet në ambientet e paraburgimit.

I riu u kap bashkë me Klaudio Serjani, nipin e Pajtim Serjanit, duke trafikuar drogë me vlerë në treg 270.000 euro. Të dy pretendojnë se drogën e kishin për konsum personal, por mesa duket për Manushin është vetëm një nga aktivitetet e paligjshme me të cilat ai angazhohej. Ndërkaq, përveç Euxhenio Manushit, të arrestuar janë edhe Endri Papa, Aurel Manreka, Gersi Llozha, Kleo Muçalliu dhe Tonin Shkambi. Të gjithë akuzohen trafikim armësh dhe municioni. Por hetimet vazhdojnë për të zbuluar se si siguroheshin këto armë zjarri dhe për kë shiteshin.

AKSIONI ME VIDEO: 

NJOFTIMI I PROKURORISË:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe me ndihmën e EUROPOL shkatërruan pas mbi nëntë muaj hetime, një grup kriminal të trafikut të armëve, aktiv në të dy shtetet.

Hetimet datojnë në muajin shkurt të këtij viti, ku pas informacioneve të grumbulluara ne rrugë operative nga ana e Seksionit Për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policise Tiranë për dyshimin se shtetesi V.O. në bashkëpunim me persona të tjera, shtetas Shqiptarë dhe Kosovarë, kryejnë aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të amrëve të zjarrit nga Kosova në drejtim të Shqipërisë si dhe trafikimin e lëndëve narkotike kryesisht kokainë nga Shqipëria në Kosovë, u regjistrua procedimi penal nr.1167 për veprën penale ‘Trafikimi i armëve dhe i municionit’ kryer në bashkëpunim dhe ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit’ parashikuar nga nenet 278 dhe 278/a/2 të Kodit Penal.

Nga hetimet e deritanishme, rezulton se të dyshuarit ishin përgjegjës për furnizimin, transportin dhe shitjen e armëve ose materialeve shpërthyese, duke krijuar një rrugë të ndërlikuar importi dhe eksporti. Duke qenë se ky grup përbëhej nga shtetas nga Kosova dhe Shqipëria, institucionet e dy shteteve nënshkruan në qershor të këtij viti ‘Marrëveshjen për Themelimin e Ekipit të Përbashkët Hetimor’, mbështetur nga EUROPOL dhe nga Projekti i EUROJUST për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe midis rajonit dhe BE-së në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Nëpërmjet këtij ekipi, autoritetet shqiptare dhe kosovare mundën të bashkëpunonin shpejt dhe lehtë, duke shkëmbyer informacione në kohë reale. Në vijim të hetimeve, më datë 10.12.2024 rreth orës 21:00 dhe në vijim Policia e Kosovës në funksion të procedimit të përbashkët ka zhvilluar operacione policore ku ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar: 29 pistoleta dhe 3 armë të gjata të modeleve të ndryshme, 2635 fishekë/municion të modelit të ndryshëm, 2 automjete dhe pajisje tjera TIK. Ndërkohë që gjatë këtyre operacioneve u ndaluan/arrestuan 8 persona. Konkretisht shtetasit V.O., K.K., S.H., Sh.J., A.H., Z.A., A.D., dhe B.A.

Në koordimin me Policinë e Kosovës menjeherë rreth orës 03.00 e në vijim të datës 11.12.2024 nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në funksion të këtij procedimi u zhvillua operacioni për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit për 6 persona dhe kontrolli i banesave për 7 vende. Gjatë këtij operacioni u ndaluan për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit” e kryer në bashkepunim dhe “Trafikimi i armëve dhe municionit” e kryer në bashkepunim të parashikuar nga neni 278/5/ dhe 278/a/2 i K.Penal të 6 personave: E.M 20-vjeç; E.P. 34-vjeç; A.M. 28 vjeç; G. Ll 22 vjeç; K.M. 26-vjeç; dhe T.Sh., 53-vjeç. Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 22 armë zjarri ‘Zoraki’, një armë zjarri Ak 47, një granatë dore ofensive dhe 470 fisheke të llojeve të ndryshme. Gjithashtu u sekuestruan edhe 3 automjete dhe shuma të konsiderueshme parash e 10 aparate celulare. /gazetajone