Janë publikuar pamjet e vendit të ngjarjes pak minuta pas atentatit me breshëri plumbash në Vlorë ku mbeti i plagosur 30-vjeçari Kevin Hajrulla.
Mësohet se ai është djali i xhaxhait të Inez Hajrullës, një emër i njohur për policinë e këtij qyteti pasi iu ka shpëtuar të paktën dy atentateve.
Dyshohet se mbrëmjen e kësaj të mërkure Kevin Hajrulla ishte shënjestra e autorëve.
Raportohet se ai ka marrë plagë nga breshëria e plumbave dhe është dërguar në gjendje të rëndë në spital.
Siç duket edhe nga pamjet vetëm pak momente pas ngjarjes janë qytetarët ata që e kanë ndihmuar për ta çuar në spital.
Pas ngjarjes një makinë tip KIA është gjetur e djegur në një fshat të Vlorës. Mësohet se në të janë gjetur dy armë automatike dhe dy krehër fishekë që dyshohet se u përkisnin autorëve.
NJOFTIMI PARAPRAK I POLICISË SË VLORËS:
Mbrëmjen e sotme, rreth orës 21:30, në lagjen “24 Maji”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasi K. H., rreth 30 vjeç, i cili udhëtonte me një automjet tip “Benz”. Si pasojë e të shtënave, është plagosur me armë zjarri edhe shtetasi A. S., 35 vjeç, i cili ndodhej në afërsi në momentin e ngjarjes.
Të dy personat janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Vlorë dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Gjatë krehjes së zonës në afërsi të fshatit Panaja, është bërë i mundur lokalizimi i automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, i cili është përfshirë nga flakët. Po punohet për shuarjen e zjarrit.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve të dyshuar.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.