Plani urbanistik i Tiranës parashikon kritere të qarta për lartësinë dhe intensitetin e ndërtimeve. Por, në zonën e ish-bllokut, një ndër më të lakmuarat në kryeqytet, kriteret u thyen duke vendosur një “normë të re”, që duke qenë e pashkruar nuk ka limite dhe garanci se deri ku mund të shkojë.

Ish-Blloku shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 50 hektarësh. Në planin e përgjithshëm të zhvillimit urban, Bashkia Tiranë e ka ndarë këtë zonë në rreth 30 njësi strukturore ku numërohen diku te 340 ndërtesa, prej të cilave 20 konsiderohen të rëndësisë së veçantë, – 15 mbajnë status “Monument Kulture”.

Në planin e përgjithshëm Bashkia e parashikonte zhvillimin e ish-Bllokut me ndërtime nga 5 deri në 9 kate kryesisht për banim, infrastrukturë arsimore dhe shëndetësore. Intensiteti i ndërtimit parashikohej nga 1.5 deri në 5.5 me një koeficient shfrytëzimi të tokës (KSHT) rreth 45%.

Por kjo nuk gjeti zbatim konkret në realitet. Nga 30 njësitë vetëm 3 kanë plane të detajuara vendore (PDV) teksa në njësitë e tjera parashikimi i përgjithshëm është tejkaluar me ndërhyrje të qeverisë me lejet e lëshuara përmes Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT).

Rasti konkret është me njësitë strukturore TR/205-TR/206 ku në planin e përgjithshëm parashikohej ndërtim deri në 9 kate, me intensitet 4, KSHT 45% dhe natyrë ndërtimi 83% për banim.

Aktualisht këtu po ndërtohen 4 kulla: “Stairway to The Sky Palace”, “The One”, “City Hotel” dhe “Birgada VII”. Intensiteti i ndërtimit të tyre ka shkuar në 7.8, lartësia deri në 13 kate dhe KSHT-ja në 78%. Tre nga kullat parashikojnë hapësira për biznes dhe shërbime, ndërsa në rastin e “City Hotel” e gjithë godina parashikohet për hotel dhe aspak për banim.

Njësitë Strukturore – TR/205 dhe TR/206

Ky është rasti tipik i një ndërhyrjeje përjashtuese nga parashikimet e planit të përgjithshëm. Por nëse marrim në konsideratë se në gjithë bllokun janë edhe 6 projekte të tjera të ngjashme duke u ndërtuar, – dy të tjera në pritje të lejeve – situata duket më e zymtë.

Numri prej 12 projektesh me intensitet të lartë ndërtimi tregon se tashmë përjashtimi është kthyer në një normë për këtë zonë.

Me veprimet e KKT dhe mosveprimet e Bashkisë Tiranë, planet vendore nuk merren parasysh dhe bashkë me to edhe impakti që kanë lejet e dhëna me “normën e re” në infrastrukturë dhe vetë dinamikën urbane të zonës.

Ekspertët e shohin me shqetësim këtë qasje, e cila ka bërë që ish-Blloku të humbasë një pjesë të rëndësishme të identitetit historik, hapësirave të gjelbra por dhe mundësisë për një zhvillim të qëndrueshëm. Prej këtij ndryshimi urbanistik, sipas tyre, ata që humbasin janë qytetarët.

Sipas urbanistes Doriana Musai kjo formë zhvillimi po dëmton rëndë identitetin historik dhe social të ish-Bllokut.

“Ai bllok urban, me të gjithë ngarkesën e vet historike, sociale dhe politike, duhej të ishte ruajtur si një shtresë e trashëgimisë së vendit,” thotë Musai për Citizens.

Musai kritikon ndërtimet e reja si përpjekje për të krijuar një “show-off arkitektonik”, duke e krahasuar këtë model me ndërhyrjet në Sheshin Skënderbej, ku qyteti “trajtohet si një panair apo treg, dhe jo si vendbanim për njerëzit”.

Indikatori kryesor për këtë janë shërbimet e cunguara publike. “Nuk mbulohen me sherbim publik e gjithë popullata, duke filluar nga transporti publik, tek hapësira publike, tek arsimi, apo shëndetësia, emergjencat apo zyrat civile”, thotë Musai.

Nga një vëzhgim i Citizens në terren, referuar edhe Autoritetit Shtetëror për Informacion Gjeohapësinor (ASIG) dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT), në zonë numërohen rreth 40 ndërtesa të vjetra 2-3 katëshe, të cilat mbeten në hije nga kullat e larta që po ngrihen përreth.

Kufizimi i hapësirave për rrugë të reja, lulishte, shërbime dhe aktivitete sociale po i shqetëson banorët. Aktualisht në zonë numërohen tre njësi shëndetësore, tre kopshte, tre shkolla 9-vjeçare dhe një e mesme. Pak, krahasuar me volumin e madh të ndërtimeve që po shtohen.

Urbanistja Musai e lidh këtë mënyrë kaotike zhvillimi edhe me paqartësinë e kuadrit rregullator.

Në një dekadë, ligji për planifikimin ka ndryshuar 6 herë, ndërsa rregullorja e zhvillimit (VKM 408) është ndryshuar plot 11 herë. Këto ndryshime, sipas Musait, po shndërrojnë qytetin në “një treg ku çdo gjë është për shitje, por asgjë nuk i shërben komunitetit”.

“Po veprohet në kurriz të interesave të publikut të gjerë, duke shkelur çdo normë, parim dhe ligj,” përfundon Musai.

Gjendja e paqartë e kuadrit rregullator shoqërohet edhe me qasje jotransparente në lidhje me lejet.

KKT, organ i drejtuar nga Kryeministri, i zbardh lejet online – edhe pse shpesh vonojnë së publikuari. Ndryshe, lejet e Kryetarit të Bashkisë Tiranë “zbardhen” vetëm në tabelat e kantiereve të ndërtimit aty ku në të shumtën e rasteve e marrin vesh edhe banorët e zonës, si të fundit që përfshihen në këtë proces edhe pse rregullat parashikojnë që banorët të kenë një rol konsultues dhe vendimmarrës për zhvillimin.

/ Arbjona Çibuku, Erblin Vukaj | Citizens.al