Mediat gjermane kanë publikuar shifrat më të fundit të viktimave dhe të plagosurve nga ngjarja që ndodhi në tregun e Krishtlindjeve, ku një makinë me shpejtësi mori përpara turmën.

Sipas njoftimit të përditësuar rezulton se aktualisht janë dy viktima të konfirmuara dhe 15 persona “të plagosur rëndë”. 37 persona të tjerë janë lënduar në masë të moderuar dhe 16 janë plagosur lehtë.

Aktualisht janë në aksion në Magdeburg 100 zjarrfikës me tre brigada profesionale dhe katër brigada vullnetare.

Ndërkohë, kryeministri i shtetit Saksoni-Anhalt, Dr Reiner Haseloff ka thënë në një dalje për mediat se një nga dy të vrarët ishte një fëmijë i vogël.

“Kjo është një nga gjërat më të tmerrshme që mund të imagjinohet. Kjo është një gjë e rëndë dhe e tmerrshme”, u shpreh ai.

Dr Haseloff thotë gjithashtu se i dyshuari, i cili është nga Arabia Saudite, “po punonte si mjek në këtë shtet dhe kishte arritur në Gjermani në vitin 2006”.

Spitali Universitar i Magdeburgut ka sqaruar se “po kujdeset për 10 deri në 20 pacientë”, por po përgatitet për më shumë të plagosur që mund të dërgohen aty.

Personat e plagosur u panë duke u marrë me barela në dhjetëra ambulanca pasi makina u përplas me vizitorët në tregun e Krishtlindjeve sonte.

Zëdhënësi i qeverisë rajonale Matthias Schuppe dhe zëdhënësi i qytetit Michael Reif kanë thënë se dyshonin se kemi të bëjmë me një sulm të qëllimshëm.