Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka bërë me dije se është identifikuar një vatër e re e gripit të shpendëve në Zall-Herr të Tiranës.

Ky njoftim vjen pasi Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka konfirmuar dje ngordhjen e 15 krerëve nga “Murtaja Afrikane e Derrave” në Lezhë.

Në reagimin thuhet se vatra është identifikuar në një fermë me pula dhe gjela deti ku janë marrë masa për kontrollin efikas dhe të menjëhershëm të situatës në terren.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve thekson se ditën e sotme përfaqësues të AKVMB inspektuan nga afër vatrën e identifikuar si pozitive në Fshatin Cekrez Morinë.

Në njoftim theksohen se janë marrë të gjitha masat për eliminimin me qëllim çrrënjosjen e infeksionit, si dhe është karantinuar vatra e zonat e mbrojtjes dhe mbikqyrjes, për izolimin dhe parandalimin e përhapjes së infeksionit.