Pas daljes nga SPAK, deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, deklaroi se nuk do të japë më shpjegime para prokurorëve, por vetëm para gjykatës.
“Nuk flas më para prokurorëve, do flas vetëm në gjykatë. Nuk jap më asnjë shpjegim për asgjë. Kanë përdorur deklaratat e mia kundër meje,” u shpreh Kryemadhi.

Deputetja, e cila po hetohet së bashku me ish-bashkëshortin Ilir Meta për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, i dërgoi një mesazh të qartë “besnikëve” të ish-bashkëshortit të saj. Kryemadhi theksoi se nuk ka shkëmbyer asnjë urim për Vitin e Ri 2025 me Metën dhe paralajmëroi se ata që shpifin ndaj saj do të marrin përgjigjen më 11 maj.
“Nuk kam si të uroj një njeri që s’ka asnjë lidhje me mua. Uroj që të gjithë njerëzit që e iluminojnë zotin Meta me shpifje të marrin përgjigjen në 2025, siç po e marrin disa,” tha ajo.

Kryemadhi gjithashtu nënvizoi se nuk i uron humbjen opozitës, por përkundrazi, do të denoncojë më shumë se kandidatët që do të jenë në lista.
“Humbje opozitës nuk i uroj asnjëherë. Do të bëj maksimumin që opozita të fitojë. Do të jem një nga njerëzit që do të flas më shumë se ata që duan të bëhen deputetë. Çështja e rikthimit të opozitës në pushtet lidhet me opozitarizmin dhe demokracinë e brendshme, jo me individët,” theksoi ajo.

Ajo shtoi se “të pakapshmit” nuk janë gazetarët apo njerëzit që nuk kanë qenë ndonjëherë në pushtet, por ata që kanë firmosur marrëveshje të dëmshme për interesat e vendit.
“Të pakapshmit janë ata që firmosin detin, Sazanin, Gjadrin, që ngrejnë kulla 100-katëshe në Tiranë, dhe nuk dimë se kujt i përkasin ato para,” tha Kryemadhi.

Në vijim, Kryemadhi deklaroi se do të rikthehet në SPAK si denoncuese për aferën e inceneratorëve dhe i bëri thirrje kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, të përballet me institucionet e drejtësisë.
“Të mos bëjnë më skema strehimesh politike për Veliajn, se nuk kanë më lezet. Erion Veliaj të vijë dhe të përgjigjet këtu. Kemi votuar reformën në drejtësi me 140 vota. Duhet të jetë një reformë e mirëfilltë, jo ‘Ramaformë’,” përfundoi ajo.

Kryemadhi mbylli fjalën e saj me një mesazh të paqartë, duke thënë: “Ka kohë, deri më 11 maj shumë gjëra do të ndryshojnë.”