Agjencia e Mbikqyrjes Policore (AMP) ka reaguar publikisht pas një JAVE për rastin e oficerit të policisë rrugore, Azbi Spahiu, i cili u hodh nga lartësia dhe tashmë ndodhet për kurim në Spitalin e Traumës.

AMP thotë se ka nisur hetimet në lidhje me rastin referuar aludimeve që kanë qarkulluar së fundmi në rrjet edhe pse në lidhje me këtë ngjarje nuk ka patur një ankesë nga polici apo pretendim zyrtar.

Në reagimin e AMP thuhet se punonjësi i policisë Azbi Spahiu, nuk ka ngritur asnjë pretendim lidhur me ushtrimin e ndikimit të paligjshëm kundrejt tij, përfshirë çdo lloj forme presioni tjetër presioni, për shkak të ushtrimit të detyrës.

Reagimi i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore:

Nisur nga interesi i disa mediave, pranë Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, e duke marrë shkas nga lajmet e publikuara në media dhe rrjete sociale, lidhur me ngjarjen e oficerit të Policisë A.S., në Komisariatin e Qarkullimit Rrugor Tirane, strukturat e AMP-së Tiranë pavarësisht se nuk kanë administruar një ankesë apo pretendim zyrtar,  kryen verifikimet e nevojshme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Kështu, në kuadër të veprimeve verifikuese, që nga momenti i marrjes dijeni, drejtuesit e AMP-së Tiranë janë paraqitur pranë Spitalit të Traumës, për t’u interesuar mbi shëndetin e punonjësit të Policisë, por dhe për të administruar çdo pretendim të mundshëm, për shkak të detyrës.

Nga deklarimi me shkrim i administruar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, punonjësi i Policisë A.S. nuk ngre pretendim lidhur me ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, apo çdo formë tjetër presioni, shantazhi gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të saj.

Veprimet verifikuese vazhdojnë për sqarimin e plotë të ngjarjes.