Qeveria e Kryeministrit Edi Rama i ka dhënë statusin e investitorit strategjik kompanisë së dhëndrit të Presidentit amerikan Donald Trump. “Affinity Partners”, e themeluar nga Jared Kushner, është vlerësuar nga qeveria për zhvillimin e një kompleksi turistik luksoz në ishullin e Sazanit. Projekti ka ngjallur shqetësime për mungesë transparence dhe ndikim të mundshëm në habitatin natyror të zonës.
Nga turistë në investitorë strategjikë
Një vizitë e pazakontë në muzeun e “Shtëpisë me Gjethe” në Tiranë shënjoi titujt kryesorë të mediave shqiptare fundin e muajit korrik 2023. Kryeministri Edi Rama shoqëronte ish-ambasadorin amerikan Richard Grenell, vajzën e (asokohe ish) Presidentit Donald Trump, Ivanka me bashkëshortin Jared Kushner.
Çifti Kushner-Trump la mbresa dhe vlerësime për Shqipërinë në librin e përshtypjeve në hyrje të muzeut. Por ajo që në dukje u raportua si vizitë e përzemërt turistike, ishte realisht një udhëtim biznesi.
Pesë muaj më vonë, më 27 dhjetor, përmes kompanisë Atlantic Incubator Partners, Kushner i paraqiti qeverisë shqiptare një propozim për zhvillimin e dy projekteve të mëdha investimi në Sazan dhe Zvërnec.
Propozimi u mbajt larg vëmendjes së publikut deri në mars të vitit 2024 kur vetë Kushner e bëri me dije në një intervistë për prestigjiozen Bloomberg ku paraqiti imazhet e para për vila dhe hotele luksoze. Ai nuk dha detaje rreth diskutimeve apo procedurave që kishte ndjekur.
Ndërkohë në Shqipëri autoritetet u treguan kontradiktore përballë interesimit të mediave.
Ministria e Mbrojtjes i tha Citizens asokohe se Sazani ishte “brenda Planit të Vendosjes dhe Përhapjes së Forcave të Armatosura” ndërsa Ministria e Mjedisit dhe Turizmit tha se “nuk ka asnjë kërkesë për zhvillimin e kësaj zone”.
Ndryshe, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, e cila ndërkohë i kishte dërguar kërkesë për informacion në lidhje me Sazanin Ministrisë së Mbrojtjes, pranoi se Kushner i kishte paraqitur një propozim dhe se ai po shqyrtohej “për të gjitha kriteret ligjore që parashikon ligji për investimet strategjike”.
Teksa vëmendja në Shqipëri përqendrohej në këtë diskutim, shumica socialiste punoi për t’i hapur rrugë projektit.
Ajo ndryshoi ligjin për “Zonat e Mbrojtura” duke i dhënë qeverisë kompetenca vendimmarrëse rreth zhvillimit të tyre. Paralelisht qeverisë iu shtua si kompetencë edhe zhvillimi i zonave detare falë reformimit të KKT-së në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit teksa në parlament u kalua shtyrja e ligjit për investimet strategjike deri në vitin 2026.
Më 2 dhjetor 2024 Presidenti Bajram Begaj dekretoi nxjerrjen nga plani i Forcave të Armatosura të zonës së Sazanit. Tre javë më pas, më 30 dhjetor, Komiteti i Investimeve Strategjike i akordoi projektit të Kushner statusin “Investitor Strategjik”.
Ky status, që vlen për 10 vite, i garanton projektit përfitime të konsiderueshme si procedura të përshpejtuara administrative, asistencë në marrjen e lejeve dhe konsolidimin e pronës shtetërore. Për më tepër, projekti do të zhvillohet përmes një entiteti të përbashkët juridik, që përfshin Korporatën e Investimeve Shqiptare (AIC) dhe Albanian Seaports Development Company (ASDC), përkrah subjektit investues Atlantic Incubation Partners LLC.
Detajet e projektit dhe përfshirja e shtetit shqiptar
Bloomberg dhe New York Times raportuan në mars të vitit 2024 se Kushner, në bashkëpunim me markën ndërkombëtare Aman, parashikonte të ndërtonte dy resorte gjigande me të paktën 10 mijë dhoma në Zvërnec dhe Sazan.
Në vendimin e Komitetit të Investimeve nuk flitet më për Zvërnecin, ndaj nuk është e qartë nëse tanimë projekti i Kushnerit përqendrohet vetëm në Sazan. Megjithatë projekti thuhet se parashikon investimin e rreth 1.4 miliardë euro dhe është i ndarë në tre faza, të cilat i japin zhvillim 8% të sipërfaqes së ishullit.
Ai premton punësimin e rreth 1,000 personave gjatë ndërtimit dhe operimit. Zona e ndërtimit përfshin 45 hektarë nga 562 që ka në total Sazani, një ishull që aktualisht ndodhet nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe është pjesërisht brenda Parkut Kombëtar Detar “Karaburun-Sazan”.
Ky fakt ka ngritur shqetësime për ndikimin që ky zhvillim mund të ketë në biodiversitetin dhe ekosistemet e zonës. Por me marrjen e kompetencave për vendimmarrje të zhvillimeve edhe në zonat detare kjo pikë mund të anashkalohet falë ndërhyrjes së qeverisë.
Affinity Partners, e themeluar nga Jared Kushner menaxhon rreth 3 miliardë dollarë asete, një pjesë e konsiderueshme e të cilave është financuar nga Fondi i Investimeve Publike i Arabisë Saudite. Përkrah Kushner, në drejtimin e firmës është edhe Thomas Storch, si drejtues ekzekutiv.
Me marrjen e statusit të investitorit qeveria shqiptare angazhon një grup që do të negociojë për arritjen e një marrëveshjeje investimi në të cilën do të caktohen kushtet, roli dhe përfshirja e shtetit shqiptar, me gjasë në formën e një partneriteti publik-privat.
Sidoqoftë, qeveria do të marrë përsipër kostot e ekspertizave dhe vlerësimeve teknike, ligjore, financiare dhe mjedisore.
Ajo duhet që t’i garantojë investitorit furnizim me ujë dhe energji elektrike, – dy ndër problemet historike që kanë karakterizuar ishullin edhe gjatë kohës së diktaturës ku zona menaxhohej si bazë ushtarake, pagëzuar si “Çelësi i Otrantos”.
Shqetësimet kryesore rreth projektit
Ndërsa qeveria shqiptare e sheh këtë projekt si një mundësi për zhvillim ekonomik dhe promovimin e turizmit, organizatat mjedisore kanë shprehur shqetësime rreth habitateve natyrore.
Ishulli i Sazanit përmban monumente natyrore si “Barriera koralore e grykës së Djallit” dhe “Faleza e Sazanit”, të cilat janë të mbrojtura me ligj. Ndërtimi në këtë zonë ngre pikëpyetje mbi ruajtjen e pasurisë natyrore dhe ndikimin në ekosistemet lokale.
Ligji për Investimet Strategjike dhe ndryshimet e fundit ligjore që lejojnë zhvillimet në zona të mbrojtura kanë shtuar dyshimet për transparencën dhe qëllimet e këtyre vendimeve.
Vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike thekson se çdo ndërtim duhet të shmangë dëmtimin e këtyre monumenteve dhe të përfshijë masa për mbrojtjen e mjedisit, por kjo nuk mjafton për të garantuar paprekshmërinë e tyre.
Sazani është një nga vendet ku u investua fuqimisht gjatë diktaturës për të ngritur një bazë ushtarake, rrënojat e së cilës u hapën për publikun në vitin 2015 si formë e mbështetur nga qeveria për t’i dhënë vëmendje ruajtjes së kujtesës.
Megjithatë 10 vite më vonë në ishull nuk ka pasur asnjë projekt të qartë që do të mund ta zhvillonte këtë pjesë, qoftë dhe në kuadër të turizmit historik.
Në këtë kontekst, transparenca dhe angazhimi i qytetarëve mbeten thelbësor për suksesin dhe pranueshmërinë e projektit edhe pse përvoja e ndjekur me investimet e shkuara strategjike lë pak vend për garanci. /citizens.al