
Mbrëmjen e djeshme, efektivët e Komisariatit Nr. 2 të Tiranës finalizuan operacionin policor “Ndalesa” duke bërë të arrestohet në flagrancë biznesmenin Mark Kola , 34 vjeç. Gjatë kontrollit në automjetin e tij luksoz në zonën e ish-Bllokut, policia i gjeti një armë zjarri pistoletë dhe një krehër me municion luftarak, të cilat u sekuestruan si prova materiale.
Ngjarja është shoqëruar me përpjekje të forta për ndërhyrje nga individë të ndryshëm me qëllim mbrojtjen e biznesmenit. Burime nga policia raportojnë për telefonata kërcënuese dhe presione të vazhdueshme ndaj strukturave ligjzbatuese dhe prokurorisë që nga momenti i ndalimit. Përpjekjet përfshijnë ndërhyrje të drejtpërdrejta për lehtësimin e pozitës së Kolës, i cili rrezikon deri në 7 vite burg për armëmbajtje pa leje.

Gjithashtu, prania e vajzës së një oligarku në makinë me Kolën ka shtuar presionin mbi autoritetet, pasi ajo po fshihet dhe ende nuk është proceduar për moskallëzim krimi. Kjo ka nxitur dyshime për mbështetje nga struktura të ndryshme për të mbuluar përfshirjen e saj në ngjarje.
Sipas burimeve, edhe prokurori i çështjes po përballet me ndërhyrje të paligjshme për të ndikuar në hetimin e rastit. Kujtojmë se ngjarja vjen pak ditë pas një rasti të ngjashëm, ku një zyrtar policie në Tiranë humbi jetën në rrethana të dyshimta pasi kishte dorëzuar dokumente që implikonin familjen e një biznesmeni të fuqishëm.
Ndërhyrjet për të shpëtuar biznesmenin Kola ngrejnë pikëpyetje të mëdha mbi integritetin e strukturave shtetërore dhe aftësinë e tyre për të zbatuar ligjin ndaj personave me pushtet ekonomik dhe lidhje të fuqishme. Hetimet për ngjarjen dhe për presionet e ushtruara ndaj autoriteteve janë ende në vijim.