Një ngjarje tjetër është regjistruar dy netë më parë në lagjen Zezë të Niklës, ku një sasi eksplozivi i është vendosur portës së jashtme të banesës së shtetasit Sh. Mehmeti.
Fatmirësisht, lënda plasëse nuk ka shpërthyer dhe është konstatuar nga të zotët e banesës në mëngjesin e djeshëm, kur po shkonin për në punë.
Sipas burimeve, pronari i shtëpisë nuk njihet si person problematik apo që mund të ketë konflikte me dikë, dhe kjo e bën më të vështirë punën për zbardhjen e ngjarjes. Nuk dihen ende shkaqet apo autorët e kësaj ngjarje.
Njoftimi i policisë:
Paraditen e djeshme shtetasi Sh. M., 51 vjeç, ka njoftuar policinë se në afërsi të rrethimit të jashtëm të banesës së tij në Nikël, ka konstatuar 2 kallëpe dyshohet me lëndë plasëse dhe fitil zjarrpërcjelles, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes si dhe per identifikimin dhe kapjen e autorit.