
Samir Mane ka mohuar disa herë etiketimin si oligark , faktet e prezantuara flasin ndryshe, duke treguar se ai është një figurë kyçe që ndikojnë në politika dhe vendime të rëndësishme për bizneset e tij. Lexoni këtë shkrim të zgjeruar të përgatitur nga Gazeta Jonë mbi disa prej ngjarjeve më të rendësishme që kanë shoqëruar, imazhin e tij..sigurisht që sdo t’i gjeni në 95% të medias shqiptare.
nga Redaksia Investigative e Gazeta Jonë
Në shkurt të 2018-s, Samir Mane deklaroi se nuk kishte përfituar nga tenderë publikë apo koncesione dhe se bizneset e tij kontribuonin 40 milionë euro në vit në shtet. Ai e refuzoi etiketimin si oligark, duke e cilësuar veten thjesht si biznesmen i suksesshëm.
“Unë nuk kam marrë pjesë asnjëherë në një tender publik, asnjë koncesion, nuk kam përfituar nga asnjë lloj ligji nga qeveritë deri tani. Unë jam një biznesmen i suksesshëm në pjesën më të madhe të aktiviteteve të mija. Unë nuk e pranoj që jam oligark, por komenti im është që fjala oligark në raport me bizneset e mia nuk ngjit fare”, thoshte ai disa vite më parë kur nuk ishte kaq shumë i “oligarkizuar” sa sot.
Megjithatë, fakte të shumta tregojnë përfitime të tij përmes vendimeve qeveritare që kanë favorizuar bizneset e tij. Madje, (1) ngjarjet që pasuan arrestimin e djalit të tij pas një aksidenti duke mos pranuar të bëjë testin e alkoolit si edhe heshtja vrastare që pasoi hedhjen nga pallati të policit Azbi Spahiu pas presionit të AMP, e konfirmojnë më së miri se Samir Manë është një oligark rrace që porosit ligje, propozon ministra, merr qindra hektarë tokë shtet, detyron qeverinë të hapë tunele në shërbim të bizneseve të tij, bën median të heshtë dhe sulmon krerët e Policisë së Shtetit përmes mediave të sponsorizuara prej tij.

Çfarë kanë më shumë oligarkët e Putinit? Madje, ata janë nën udhëheqjen e Putinit, kurse Samir Mane ka treguar që komandon edhe Ramën.
I mbani mend imazhet kur Rama rrinte “gati tu” para Samir Manes pak ditë pas skandalit me djalin e Manes dhe kur një punonjës policie, dergjej ende në krevat?
Por, që të mos ndalemi vetëm te rasti i djalit të tij, ne të Gazeta Jonë po japim disa shembuj, pse Samir Mane është një oligark.
2-Samir Mane porositi ligjin për minierat duke i dhënë një vilë çiftit Meta-Kryemadhi
Dosja e SPAK mbi Ilir Metën nxorri hapur në pah se si Samir Mane porosit ligje në këmbim të favoreve të mëdha financiare duke i dhënë çiftit Meta-Kryemadhi një vilë me vlerë të atëhershme prej 800 mijë eurosh. Punë tjetër pastaj që Meta e la vilën pasi ambasadori grek Oktapodas i tha se do të ishin fqinj. Duke u trembur prej skandalit, Meta hoqi dorë. Janë të paktën disa raste në atë dosje ku Samir Mane komandon Monika Kryemadhin (deputete dhe bashkëshortja e Kryetarit të Kuvendit në atë kohë).

3-Qeveria favorizon TEG dhe QTU duke penalizuar shqiptarët që blejnë jashtë online
Një tetër shembull është vendimi i 2016-s për futjen e TVSh-së në blerjet online mbi 22 euro, i cili ndikoi negativisht tregtinë online në Shqipëri. Ndërkohë, bizneset e tij në qendrat tregtare TEG dhe QTU përfituan nga ky vendim. Sipas Bankës Botërore, ndërkohë që blerjet online u rritën në vendet e tjera të rajonit, në Shqipëri ato ranë me 25% nga 2016 për shkak të kostove të rritura.
4-Qindra hektarë toke shtet, tunel privat dhe statusi Investitor Strategjik
Një tjetër favorizim ishte dhënia e statusit të investitorit strategjik për projektet si Green Coast në Palasë dhe Porti i Vlorës. Në Palasë, qeveria ndërtoi tunelin e Llogarasë, me dalje pranë vilave të tij, duke ngritur pikëpyetje mbi interesat publike dhe private. Në Vlorë, Mane përfitoi 165 mijë m² tokë për ndërtim për vetëm 1 euro, duke marrë gjithashtu mbrojtje ligjore dhe lehtësi të tjera si investitor strategjik.
Projekti në Vlorë përfshin ndërtime rezidenciale, hotele dhe një marinë luksoze, me fitime të llogaritura deri në 33 milionë euro nga shitjet e apartamenteve dhe njësive të shërbimit. Ndërkohë, hotelet do të mbeten pronë e tij, duke gjeneruar të ardhura të vazhdueshme. Mane i ka shitur aksionet aty megjithatë rezulton se kompania e tij vijon të bëjë shitjen e apartameteve!
5-Ndryshimi i hartës territorial të Bashkisë Kamzë
Një tjetër rast është ndryshimi i hartës territoriale të Bashkisë së Kamzës, i cili dyshohet se i ka sjellë përfitime të drejtpërdrejta Manes. Taksa e ndikimit në infrastrukturë është më e ulët në Kamëz, duke bërë që Samir Mane të ketë përfitime financiare. Mane dyshohet se ka lobuar për ndryshimin e hartës territoriale, duke kaluar një pjesë të territorit nga Bashkia e Tiranës në atë të Kamzës, për të ulur shpenzimet e taksës që duhet të paguante për ndërtimin e kompleksit “Univers City Residence”.
Ky ndryshim është bërë me një vendim të dyshimtë ligjor, që ka ndikuar në mënyrën se si janë aplikuar taksat për projektet e ndërtimit. Sipas llogaritjeve, për një sipërfaqe ndërtimi, Samir Mane do të paguajë 720 mijë euro si taksë ndikimi në infrastrukturë për çdo godinë në Kamëz, ndërsa nëse do të ishte në Tiranë, kjo shumë do të ishte dy herë më e lartë. Kështu, ai ka shmangur rreth 14 milionë euro duke shfrytëzuar këtë manovër ligjore, duke nxitur dyshime për një aferë që mund të shqyrtohet nga SPAK.
6-Blerja e dyshimtë e “Dyqan Taxi”
Shqiptarët e mbajnë mend që disa vite më parë ka ekzistuar një biznes shumë i suksesshëm i quajtur “Dyqan Taxi”. Burime thonë se Samir Mane ia vuri syrin këtij biznesi por pronari nuk donte ta shiste. Pastaj, çuditërisht (detajet në vijim) në dyert e dyqanit mësyu policia dhe pronarit iu bë një tjetër ofertë, kësaj radhe e parefuzueshme në kushtet e arrestit të shtëpisë, dhe kështu lindi i dyqani “Alaadin”, në emër të të cilit tani herë pas here policia godet shitësit e tjerë online që me të ardhurat e tyre modeste mendohet se cënojnë disi bizneset e mëdha të Aladinit, TEG-ut apo QTU-së.
7-Kompania e Samir Manes, pjesë e skandalit 5D, por u harrua…
SPAK ka vërtetuar në dosjen 5D se Qato dhe Molla kishin ngritur një skemë për vjedhjen e fondeve publike përmes skualifikimit të ofertave të shëndetshme për të nxjerrë fituese kompaninë e tyre. Në rastin konkret, rezulton se të paktë në një procedurë, me vlerë 3 miliard lekë me TVSH, edhe Samir Mane me Ruzhdi Ballën janë mpleksur në aktivitetin korruptiv të drejtorëvë të Bashkisë së Tiranës.
Tenderi është zhvilluar në kulmin e pandemisë. Kur të gjithë shqiptarët ishin të tmerruar nga vdekja prej Covidit, Mane, Molla dhe Qato po shihnin se si të bënin plaçkë ku sipas SPAK, dy të fundit kanë manipuluar ofertat duke nxjerrë në mënyrë të paligjshme kompaninë e tyre fituese.
Skema sipas SPAK
Në dosjen e SPAK që ka parë Gazeta Jonë flitet edhe prokurimin me numër reference REF-67231-07-28-2020 për rindërtimin e tetë shkollave në Tiranë me fond limit rreth 13 miliard lekë të reja pa TVSH. SPAK ka konstatuar një komunikim mes Taulant Tushës dhe Nestor Muhametllarit, që është administrator i kompanisë së Mollës dhe Qatos. Sipas prokurorit Braho, ky komunikim konfirmon mes shumë rastesh të tjera se edhe Taulant Tusha ëhtë në dijeni të faktit se kompania “5D” është në pronësi faktike të Mollës dhe Qatos.
Sipas përmbajtjes së këtij komunikimi, Taulant Tusha i ka dërguar një personi tjetër një “folder” me emërtimin “Mangesitë.doc” dhe në komunikim përmendet emri “Hasan Vogli”, më tej midis tyre zhvillohet biseda si më poshtë:
Biseda:
Bashkëbiseduesi: Kush e solli këtë?
Taulant Tusha: Dr. ime.
Bashkëbiseduesi: T’i plotësoj me urgjencë, po ia çoj.
Taulant Tusha: Nuk e kuptoj pse nxitohen. Thuaj Nestorit fol me Anjezën për projektin.
Bashkëbiseduesi: I kam thënë unë shpejt… ok.
Tualant Tusha: Se Ilda qenka.
Bashkëbiseduesi: Direkt.
Nga hetimet e SPAK-ut rezultoi se kjo bisedë është bërë për projektin e rindërtimit të shkollës “Hasan Vogli”, ku procedura e tenderit është zhvilluar në gusht të 2020. Personat e përmendur në bisedë janë Nestor Muhametllari, administratori i kompanisë “5D”, si dhe shtetaset Anjeza Çallpati dhe Ilda Qazimllari, punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Punëve Publike pranë Bashkisë Tiranë.
“Ky komunikim krijon dyshime se shtetasi Taulant Tusha ka pasur dijeni në lidhje me pronarët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. dhe njëherësh ka dijeni për faktin se shtetasi Nestor Muhametllari është vetëm i punësuar në këtë shoqëri dhe interesohet qe ky i fundit të komunikojë me punonjës të drejtorisë së tij, me qëllim ndreqjen e mangësive në projektin me objekt “Ndërtim i shkollës Hasan Vogli”, thuhet në dosjen e SPAK-ut.
Implikimi i kompanisë së Samir Manes
Nga verifikimet e bëra prej Gazeta Jonë, rezulton se tenderin për shkollën “Hasan Vogli” e ka fituar bashkimi i kompanive
“V.A.S Kontruksion” shpk – “Mane TCI” shpk – “Ergi” shpk .
V.A.S Konstruksion është pikërisht kompania e drejtorëve të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që Mane TCI shpk është pjesë e kompanisë BALFIN në pronësi të biznesmenit Samir Mane, ndërkohë që Ergi shpk është në pronësi të Nuri Ballës nga Elbasani.
Të treja kompanitë e kanë marrë tenderin duke bërë një ofertë sa edhe fondi limit, një gjë e rrallë dhe shumë e guximshme kjo për prokurimet publike.
Ne pyetëm edhe Inteligjencën Artificiale që të na përshkruajë se si e mendon ajo një oligark dhe përgjigja ishte kjo:
Oligarku është një individ që ka pushtet dhe ndikim të madh, shpesh përmes kontrollit të pasurisë, biznesit ose politikës. Termi përdoret më shpesh për të përshkruar individë në vende me ekonomi ku disa individë të pasur dominojnë sektorë të ndryshëm, veçanërisht në shtetet post-sovjetike si Rusia. Këta individë shpesh grumbullojnë pasuri përmes përmes lidhjeve politike.
Oligarkët janë zakonisht të njohur për aftësinë e tyre për të ndikuar në vendimmarrjen e qeverisë, duke shpesh mbivendosur kufinjtë midis biznesit dhe politikës.
Tani, e kemi shumë të qartë pse Samir Mane është një oligark që komandon shtetin dhe nuk është thjesht një ndër taksapaguesit më të mëdhenj apo bamirës me fondacion siç përpiqet ta portretizojë veten. /gazetajonë