Dosja e SPAK , a është Samir Mane biznesmeni qe iu bllokuan serverat për të fshehur vilat e Arben Ahmetajt

Tentativa për të fshehur pronarët e vërtetë të vilave miliona euro në resortin e tij luksoz në Palasë, duke përfshirë edhe vilën e ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, duket se i ka hapur jo pak telashe një prej biznesmenëve më të mëdhenj në vend, Samir Mane.

Dosja e SPAK .BKH mësyn në resort, a është Samir Mane biznesmeni qe iu bllokuan serverat për të fshehur vilat e Arben Ahmetajt
Dosja e SPAK .BKH mësyn në resort, a është Samir Mane biznesmeni qe iu bllokuan serverat për të fshehur vilat e Arben Ahmetajt

Kompania e tij “Green Coast” por edhe ajo “Mane TCI” rezultojnë se kanë kryer veprime të qëllimshme për pengimin e zbardhjes së vërtetës, më konkretisht, janë angazhuar të pengojnë agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit gjatë punës së tyre për të zbuluar vilat që ish bashkëshortja e Arben Ahmetajt, Albina Mançka ka patur në resortin e Samir Manes.

Diçka e tillë, jo vetëm që është e detajuar në dosjen e SPAK për Arben Ahmetajn, por tashmë lidhja bëhet edhe më e qartë, pas deklaratës së ekspertit të kriminalistikës Ervin Karamuço, siç shkruan Voxnews.

Ky i fundit, në emisionin “Top Story” bëri një deklaratë të fortë që çuditërisht kaloi në heshtje nga shumë media në vend.

Karamuço, ndonëse nuk përmendi emra, tha se një oligarku të madh në vend i janë bllokuar serverat e menaxhimit të pronave në resortin e tij. Ai gjithashtu shtoi se oligarku në fjalë është thirrur në SPAK disa herë për të dëshmuar dhe në rrethin e tij të ngushtë ka shprehur shqetësimin që e ka zënë.

Nuk është shumë e vështirë për të aluduar se biznesmeni në fjalë është Samir Mane, mjafton të lexosh dosjen e SPAK ku detajohet se si agjentëve të BKH-së i janë dhënë, nga punonjësit e “Green Coast”, dy dokumenta të ndryshme për pronësinë e së njëjtës vilë, asaj me numër “73” e ish-bashkëshortes së Arben Ahmetajt.

Kur e kanë kuptuar këtë gabim të rëndë që ka çuar në ekspozimin e pronares së vërtetë, të përfshirë nga paniku punonjësit e Samir Manes kanë tentuar të fikin edhe kompjuterin ku ruheshin të dhënat e detajuara të pronarëve të vilave, thotë dosja e SPAK.

Kjo përkon me deklaratën e Karamuços, i cili tha në “Top Story” se SPAK ka bllokuar serverin e një prej resorteve luksoze në jug të vendit.

Veç kësaj, në dosjen e SPAK zbulohet gjithashtu se kompanitë kanë bërë kontrata fiktive edhe për të mbuluar vilën tjetër të Arben Ahmetajt në resortin “Valamar”.

Agjentët e BKH-së në “Green Coast”

Gjatë verifikimit të vilës që dyshohej se ishte në pronësi të Arben Ahmetajt, dhe e blerë me paratë e korrupsionit, agjentët e BKH-së u befasuan kur morën në dorë dy pronësi të ndryshme për të njëjtën vilë.

Meqenëse kishte dy dokumenta të ndryshme, hetuesit u kërkuan dy punonjësve Klaudia Sinanaj dhe Ervisa Maçovila që të mos bëjnë asnjë veprim në kompjutërat e tyre, pasi do të kryheshin veprime hetimore.

Punonjësja e Green Coast, Klaudia Sinanaj i ka sugjeruar në panik koleges së saj, Ervisës, që të fshijë nga kompjuteri dokumentin që tregonte se vila ishte e Albina Mançkës, duke penguar hetimet dhe me qëllim për të shpëtuar Albina Mançkën dhe Arben Ahmetajn nga përgjegjësia penale. Gjithashtu, punonjësja Erisa Maçovila ka fikur kompjuterin, duke u thënë se kompjuterin e kishte privat.

Por duke u rikthyer te deklarata e Karamuços, ky kompjuter sot është bllokuar nga SPAK. Nëse me “bllokuar” Karamuço ka nënkuptuar që është sekuestruar dhe ndodhet në duart e SPAK, atëherë ky kompjuter mund të jetë vërtet Kutia e Pandorës që do të nxjerrë zbuluar jo vetëm pronat e ish-zv.kryeministrit në arrati Arben Ahmetaj, por edhe të oligartëve, biznesmenëve e shumë personazheve publikë në vend që shpesh është përfolur se shërbejnë vetëm si mbulesa për pronarët e vërtetë të vilave miliona euroshe.

Agjentët e BKH-së shohin kush hyn e kush del nga vilat në Green Coast

Kompania e Samir Manes, duke penguar zbardhjen e së vërtetës, duket se i ka detyruar agjentët e BKH-së të përdorin rrugë të tjera më arkaike. Ata janë pozicionuar gjatë verës pranë resorteve të Manes, për të vëzhguar se kush janë ata që hyjnë e dalin nga vilat luksoze.

“4 nga 8 oligarkë janë të përmendur në SPAK, 2 prej tyre janë thirrur, njërit prej tyre i janë bllokuar serverat që menaxhon asetet në jug të vendit. Aty do të dalin çudira. Vilat në resortet ku rrinin këta këtë verë kanë qenë të mbyllura.

I ka hyrë frika e SPAK, ka patur agjentë të BKH-së që kanë qëndruar për të parë kush hyn e kush del në këto vila”, deklaroi Karamuço.