IMG_9621

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua sot me urdhër të SPAK. Ai dyshohet për korrupsion në 9 raste në bashkëpunim, si dhe për pastrim parash.

SPAK pretendon se në cilësinë e kryebashkiakut ai ka firmosur tendera dhe leje ndërtimi, ndërsa në këmbim ka përfituar ryshfet përmes kompanive apo organizatave të drejtuara nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa.

Xoxa dyshohet për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash. Për shkak se është nënë e një fëmije të mitur, ajo është vendosur në masë sigurie “arrest shtëpie”.

Por si do të vijojë qeverisja e kryeqytetit pas këtij zhvillimi?

Skenari i parë është që Erion Veliaj ia delegon kompetencat e drejtimit njërit prej nënkryetarëve. Bashkia e Tiranës ka 3 nënkryetarë, të cilët janë Anuela Ristani, Andi Seferi dhe Keti Luarasi.

Skenari i dytë është që Këshilli Bashkiak mblidhet dhe ia delegon drejtimin njërit prej tre nënkryetarëve. Megjithatë situata e drejtimit me një nënkryetar nuk vijon pafundësisht.

Neni 62 i Ligjit për Pushtetin Lokal parashikon se “kur një kryetar bashkie nuk paraqitet në detyrë për tre muaj”, atëherë Këshilli Bashkiak i propozon shkarkimin Këshillit të Ministrave.

Pra, skenari i tretë është që Këshilli i Ministrave merr vendim për ta shkarkuar kryebashkiakun. Nëse ai nuk e ankimon në Gjykatën Kushtetuese, bashkia shkon në zgjedhje brenda 45 ditëve.