
Ajola Xoxa u largua nga godina e Apelit të Posaçëm. Seanca për shqyrtimin e ankimit të saj kundër sekuestrimit të dy llogarive bankare u shty për të mërkurën. Gjykata e Apelit të Posaçëm ka kërkuar kohë për t’u njohur me disa prova të reja të paraqitura nga SPAK.
Nesër, në Gjykatën e Apelit, do të mbahet seanca për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ku do të shqyrtohet ankimi i tij ndaj masës së arrestit me burg.
Mesa duket, prokurorët e posaçëm kanë përgatitur prova të reja për t’i paraqitur në seancën e nesërme, e cila pritet të jetë e tensionuar për disa arsye. Nëse gjyqtari Engert Pellumbi, i cili do të shqyrtojë këtë çështje, merr vendimin për ta lënë ende në qeli kryetarin e Bashkisë së Tiranës, ndoshta Erion Veliajt do t’i duhet të shtojë emrat në listën e sulmeve publike, pas prokurorit Olsi Dado dhe gjyqtarit Erjon Bani.
Engert Pellumbi është gjyqtari që vulosi edhe vendimin për kryetarin e PD, Sali Berisha, vendim që ende sulmohet nga kjo parti, duke e akuzuar si njeri të lidhur me qeverinë. Sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nga personazhe të njohur të politikës nuk janë më një fenomen i ri. Megjithatë, në pjesën dërrmuese, prokurorët dhe gjyqtarët kanë ruajtur profesionalizmin duke mos u përfshirë në debatet e politikës së ditës./vna