
Një 49-vjeçar nga Tirana ka humbur kontaktet me familjarët me tij. Burime për mediat bëjnë me dije se shtetasi i identifikuar si Naim Likometi, është zhdukur pa asnjë shenjë që prej datës 8 mars 2025.
Mësohet se 49-vjeçari nga Tirana humbi kontaktet me familjen dy ditë më parë, ndërkohë që informacioni i vetëm që këta të fundit kanë pasur është fakti se ai do të kalonte fundjavën në banesën e pushimeve që kishin në Ksamil.
Sipas informacioneve nga familja, Naim Likometi ishte veshur me një xhup të zi, atlete dhe një kostum sportiv me ngjyrë blu të errët, kur ka dalë nga banesa.
Pas alarmit që familjarët kanë ngritur në Policinë e Sarandës, këta të fundit kanë nisur kërkimet, ndërkohë sot në mesditë janë gjetur në bregun e detit në Ksamil telefoni dhe rrobat e tij.
Aktualisht, autoritetet policore dhe ato kufitare të Sarandës po zhvillojnë kërkime intensive në tokë dhe në det, për të zbuluar më shumë rreth fatit të 49-vjeçarit. /gazetajone