IMG_0360

E dashura e Safet Bajrit është arrestuar rreth 2 javë më parë, nën akuzë për “përkrahje të autorit të krimit”.

Mësohet se bëhet fjalë për Eria Ago, një emër i njohur në fushën e showbizz.

Ajo është arrestuar më 26 shkurt me urdhër të SPAK, si përkrahëse e autorit të krimit, lidhur me vrasjen Fatbardh Licit në Shkodër në vitin 2018, vrasje për të cilën u arrestua edhe vetë Safet Bajri më 21 shkurt.

Pra, 5 ditë më pas është arrestuar edhe e dashura e tij, e cila aktualisht ndodhet në masën arrest me burg, por kapja e saj është mbajtur larg vëmendjes së mediave.

Por cili është roli i saj në vrasjen e Lici?

Ago dyshohet se ka transportuar nga Shkodra në Tiranë, Asmer Bilalin. Ka disa biseda mes saj dhe Safetit një ditë para ngjarjes, 9 gushtin e vitit 2018.

Ago është marrë në pyetje edhe në 2018 për të njëjtën ngjarje. Aktualisht është në spitalin e burgut.

Mësohet se ka pranuar që ka qenë 3 javë e lidhur me Safetin, dhe një dite para ngjarjes kanë qenë në një lokal me muzikë deri orët e para të mëngjesit.

Mësohet se Ago ka ankimuar në Apelin e Posaçëm vendimin e shkallës së parë për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj saj si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “përkrahje të autorit të krimit”.

Mbrojtësi ligjor kundërshton masën shtrënguese me argumentin se provat e SPAK nuk qëndrojnë, shtuar këtu edhe faktin që Ago ndodhet e shtruar në spitalin e burgut për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike.

E reja u arrestua me urdhër të prokurores Elida Kaçkini, nën dyshimin se ka ndihmuar Safet Bajrin dhe Astmer Bilalin ditën kur ndodhi vrasja e Fatbardh Licit në Shkodër, ngjarje e shënuar në vetën e 2018.

Gjatë seancës për vlerësimin e kushteve të masës së sigurisë, Eria Ago ka mbajtur qëndrim mohues lidhur me pretendimet e prokurorisë së posaçme, duke thënë që ajo nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se ditën kur është vrarë Fatbardh Lici ka qenë në Tiranë dhe jo në Shkodër ndërsa prokuroria pretendon se antenat celulare tregojnë që ajo ka qenë në Shkodër

Sipas informacioneve, Ago është marrë në pyetje lidhur me këtë çështje që në kohën kur ndodhi ngjarja, por është lënë e lirë.

Pritet që në shkallën e dytë të gjyqësorit të hidhet shorti elektronik për të përcaktuar gjyqtarin që do marrë në shqyrtim ankimin, ku më pas ky i fundit do caktojë datën e seancës.

Për të njëjtën ngjarje, e ankimuar masën në Apel edhe tre të dyshuarit për vrasjen e Licit, Safet Bajri, Astmer Bilali dhe Behar Bajri.

Ago në botën e spektaklit njihet edhe si modele dhe përfaqësuese e Shqipërisë në “Miss Tourism Quin 2013”.

Përfshirja e Eria Ago në problemet me drejtësinë daton dhe më herët. Ajo është përmendur edhe në përgjimet që çuan në burg Hermes Nikajn, i njohur ndryshe si “Zogu i Tiranës” si të përfshirë në një rrjet prostitucioni në vitin 2020.

Në atë kohë Ago reagoi duke thënë se nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ajo pretendonte se e gjitha ishte shpifje për të hedhur baltë mbi figurën e saj dhe se nuk kishte nevojë për para.

Si vra Fatbardh Lici?

Fatbardh Lici, është vëlla i Mustafa Licit dhe xhaxhai i Ibrahim dhe Hamza Licit.

53-vjeçari u ekzekutua mëngjesin e 10 gushtit 2018, me breshëri plumbash teksa ndodhej në një kafene i shoqëruar nga persona të tjerë në lagjen Kiras të Shkodrës.

Lici u qëllua nga një person që zbriti nga një automjet tip “Benz”, pa targa.

Fatbardh Lici ishte kunat i Lulëzim Kullës, ku ky i fundit i shpëtoi atentatit me tritol në 13 janar 2018 dhe dyshimet u ngritën se mes fiseve Bajri e Lici kishin nisur përplasjet./gazetajonë