
Një mëngjes i zakonshëm në Shkodër. Ora shënon 07:00, datë 10 gusht 2018. Një lokal i vogël, një kafe e zakonshme në pronësi të Sokol Licit.
Ulur aty vëllai i tij, që ndiqte rutinën e përditshme, pa e ditur se po numërohen minutat e fundit të jetës së tij.
Është Fatbardh Lici, një emër që për qytetin verior nuk është një individ i thjeshtë, por një hallkë në zinxhirin e përgjakshëm të një hakmarrjeje që nuk ka të mbaruar.
Pamjet filmike të sigurisë shfaqin një automjet tip ‘Benz’ që afrohet në heshtje. Nga dera e pasagjerit, një burrë zbret me një lëvizje të shpejtë dhe të kalkuluar.
Brenda sekondave, breshëritë e plumbave shpojnë trupin e Licit duke e lënë të pajetë.
Ekzekutimi është klinik: asnjë mëdyshje, asnjë gabim. Vrasësit rikthehen në makinë dhe largohen si fantazma, duke zhdukur gjurmët pas një operacioni të mirëorganizuar.
SPAK: Fijet e krimit çojnë te Safet Bajri dhe e dashura e tij, Eria Ago
Në dosjen voluminoze të SPAK, del një emër surprizë: Eria Ago, e dashura e Safet Bajrit, një nga figurat kryesore të botës së krimit në Shkodër.
Emri i saj nuk përmendet në rolin klasik të “shoqërueses”, por si një personazh me një rol kyç në mekanizmin vrasës. Ajo është e dyshuara kryesore si drejtuesja e makinës që transportoi vrasësit e Fatbardh Licit drejt Shkodrës dhe më pas ndihmoi një nga ekzekutorët të largohej drejt Tiranës.
Eria Ago rezulton pronare e një dyqani në zonën e Myslym Shyrit në Tiranë dhe u arrestua nga policia disa ditë pas partnerit të saj Safet Bajri. Ajo po qëndron në burgun e grave në Pojskë të Pogradecit, ndërsa ka mohuar akuzat për pjesëmarrje në vrasje.
Sipas përgjimeve dhe tabulateve telefonike, 20 minuta pas vrasjes, një bisedë telefonike konfirmon praninë e Eria Agos në timonin e ‘Benzit’ me targë AA 989 TE. Në makinë janë Safet Bajriti dashuri i saj dhe Astmer Bilalit, një tjetër personazh i krimit, pjesë e asaj që quhet banda e Bajrave.
“Fakti që Astmer Bilali dhe Safet Bajri kanë udhëtuar në të njëjtën makinë të drejtuar nga e dashura e këtij të fundit, drejt Shkodrës, në orët e para të mëngjesit të datës 10 gusht, provohet edhe nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë në lokacione të ndryshme ku ata kanë lëvizur.”
Pas ekzekutimit, Safet Bajri qëndron në Shkodër. Astmer Bilali djeg makinën dhe largohet, telefonat fshihen dhe lëvizjet precize dëshmojnë për një operacion të ekzekutuar me kujdes.
Në dosjen e SPAK thuhet: “Vrasja e shtetasit Fatbardh Lici ka ndodhur rreth orës 07:00 dhe biseda zhvillohet 20 minuta pas vrasjes, kohë në të cilën rezulton se mjeti tip ‘Benz’ me targë AA 989 TE, që shfaqet në vendin e ngjarjes, po drejtohej nga shtetasja Eria Ago. Nga kjo telefonatë kuptohet që shtetasi Astmer Bilali është nën shoqërinë e shtetasit Safet Rustemi dhe bisedon me të dashurën e Safetit. Nga kjo telefonatë kuptohet gjithashtu që personat nën hetim janë në shoqërinë e njëri-tjetrit.”
Një makinë, një rrugë pa kthim
Pas vrasjes, sipas hetimeve, Astmer Bilali është transportuar me makinën e Eria Agos drejt Tiranës.
Ndalesa e parë?
Një komunikim me Denis Brajoviqin, ku i kërkon t’i lërë një makinë tjetër, një ‘Volksëagen’ me targa AA 383 PN.
Vetëm pak minuta më vonë, ai largohet në drejtim të Vlorës, duke krijuar një distancë akoma më të madhe vendin e krimit.
Në dosje ky itinerar përshkruhet me detaje: “Pasi kanë kryer vrasjen, personi nën hetim Safet Rustemi ka qëndruar në Shkodër, ndërsa personi në hetim Astmer Bilali është larguar menjëherë për në Tiranë së bashku me shtetasen Eria Ago Pasi ka arritur në Tiranë, ai i ka kërkuar rojes së parkimit në zonën e ish-kinemës ‘Partizani’ dhe ka komunikuar me shtetasin Denis Brajoviqin, ku i ka bërë me dije se automjetin ia ka lënë dyshohet tek shtetasi Pëllumb Gjoka. Ai ka komunikuar edhe me personin nën hetim Behar Bajri, të cilit i ka kërkuar që të zbriste dhe t’i linte çelësat. Më pas ai është larguar në drejtim të Vlorës.”
Kapja e Bajrave: Fundi i një konflikti apo fillimi i një lufte të re?
Siç dihet tashmë, vrasja e Fatbardh Licit nuk ishte një akt i izoluar, por pjesë e një zinxhiri të përgjakshëm hakmarrjeje mes grupeve të krimit.
Fatbardh Lici mendohet se u vra në shenjë hakmarrjeje, pasi dyshonin se Ibrahimi kishte vrarë mikun e tyre, Boran Bërcana, dhe partneren e tij, Silvi Ndoci.
Boran Bërcana dyshohej si autor i atentatit me tritol ndaj Pellumb Kullës, dhëndrit të Licëve.
Anëtarët e grupit janë të dyshuar edhe për vrasjen e Hamza Licit, i cili u ekzekutua me breshëri plumbash në tetor të vitit të kaluar në Dobraç të Shkodrës.
Safet Bajri u arrestua më 21 shkurt 2025. Disa ditë më parë ai dha një intervistë ku mohoi çdo akuzë që i bëhej në lidhje me vrasjet në radhët e fisit Lici dhe për masakrën në Dobraç.
“Asnjëherë në jetë nuk kemi pasur probleme me familjen Lici. Njerëzit kanë shoqëri të ndryshme, kur ta votojë parlamenti dhe të më caktojnë mua se kë të kem shok atëherë unë nuk rri se po shkel ligjin. Konflikti me familjen Lici nuk ekziston, njerëzit mund të kenë inat pse unë kam shok x apo y… Unë Asmer Bilalin e kam shok dhe nuk e mohoj. Kurrë në jetë nuk i kam ndërhyrë në probleme dhe as nuk e lejoj të më ndërhyjë në problemet e mia.
E dyta, për Masakrën e Dobraçit, më vjen shumë keq, ajo gruaja që ka vdek është motra e një shoku që jemi rrit me ta. Më vjen keq edhe për Bushatin, e kam pasur mik para se të hyja në burg. Sinqerisht më vjen edhe për djalin e famijen Lici. Por djemtë e viktimave janë rritur, por Barjat nuk kanë lidhje me to. Uroj që të arrstohet dikush për maskarën e Dobroaçit” u shpreh ai.
Gjithsesi, arrestimi i Safet Bajrit dhe i të dashurës së tij nuk do të thotë se historia mbyllet këtu.
Në një qytet ku korrupsioni i ka shndërruar policët në pjestarë të bandave dhe ku hakmarrja kalon brez pas brezi, ka shumë mundësi që një tjetër valë dhune të jetë në prag.
SPAK ka dhënë disa goditje, por përtej punës së disa prokurorëve është një realitet i hidhur që i ka dhënë Shkodrës imazhin e një fushëbetejë, ku hijet e krimit vazhdojnë ëvizin në errësirë, duke pritur rastin për të marrë jetë.
Ndaj pyetja që mbetet sa herë zbulohet një vrasje është: Kush do të jetë shënjestra e radhës?