
Kompania koncesionare SICPA së cilës i përfundoi kontrata 12-vjeçare për prodhimin e pullave fiskale në fund të muajit Dhjetor, do të rikthehet sërish në Shqipëri por kësaj here si ortake në sipërmarrjen e prodhimit të shpërndarjes së pullave fiskale. Qeveria ka krijuar shoqërinë shqiptaro-arabe që do të merret me prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale.
Në dokumentet e dorëzuara në qendrën kombëtare të biznesit është krijuar kompania ALBTrace CO një shoqëri me kapital të përbashkët ku 51% e aksioneve zotërohen nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë dhe 49% e aksioneve nga shoqëria e regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe, O&S Security and Solutions LLP.
Por ajo çfarë vihet re në dokumentet e dorëzuara është se vetë shoqëria arabe zotërohet në masën 40% nga SICPA Middle East Investments Holding LTD, shoqëri kjo e krijuar nga ish-koncesionari i pullave fiskale që ka operuar deri në vitin e kaluar në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër 60% nga Oumulat Security Printing LLC, filial i Bankës Qendrore të Arabisë Saudite.
Por megjithëse kompania shqiptaro-arabe është krijuar, ende prodhimi i pullave fiskale nuk ka nisur edhe pse Ministria e Financave njoftoi se brenda muajit mars do të nisë prodhimi i tyre, pa dhënë një datë të saktë.
Bizneset të cilat janë subjekte akcize dhe përdorin pulla fiskale po përballen me një situatë të paprecedentë në doganë, për shkak se mungojnë pullat fiskale. Ky ngërç i tillë sipas bizneseve lë shteg për evazion fiskal dhe kontrabandë të mallrave. Ata ende nuk kanë një përgjigje se kush do t’i paguajë kostot e tyre për mungesën e pullave fiskale./ News24