Nga Lutfi Dervishi
Nëse del nga shtëpia dhe nuk përplasesh me të paktën një bar kafe, do të thotë se nuk jeton në Shqipëri.
Tirana është quajtur dikur – bulevard pa qytet, me vone – kryeqyteti i kullave, pak me vonë – kryeqyteti i rinisë! Në të vërtetë, është kryeqytetit i kafesë.
Kemi një kafene për çdo 72 klientë/banorë.
Nuk ka nevojë as të rezervosh, as të nxitosh. Ka gjithmonë një tavolinë të lirë për ty, për hallet e tua dhe, sidomos e kryesisht, për hallet e tjetrit. Ka vend për t’u ulur, për t’u ngritur, për t’u ulur sërish e për të porositur një tjetër kafe.
Kjo është demokracia shqiptare në veprim: një njeri, një filxhan, një kafene.
Aftësia për të hapur kafené kudo ku hedh sytë nuk do të ishte asgjë pa shpirtin konsumator.
Mesatarisht, çdokush harxhon 270 euro në vit për kafe, që është baraz me 337 filxhanë të pirë. Po të llogarisim edhe ato që pimë te shoku, te dasma e kushëririt dhe kafet për “punë,” me siguri e kemi thelluar distancën me vendin e dytë si konsumues kafeje.
Me 270 euro në vit, një francez do të blinte libra, një gjerman do i kursente për pensionin. Por ne e gjerbim kafene si të mos ketë më të nesërme.
Kafja këtu nuk është thjesht kafé. Është institucioni ku zgjidhen hallet personale, dramat kombëtare dhe, sidomos, krizat ndërkombëtare. Në kafene, çdo tavolinë është një Parlament dhe çdo kamarier një diplomat i heshtur që bën ndërmjetësimin mes tavolinës dhe banakut.
Dhe, siç thoshte i madhi Gjergj Fishta dikur:
“Shqiptari pi kafe në urë të Milotit e qan hallet e inglizit.”
Por kohët disi kanë ndryshuar. Sot nuk është vetëm halli i inglizit; është edhe halli i Amerikës, Kinës, Rusisë, luftës në Ukraine dhe protestave në Gjeorgji.
Ne gjerbim kafenë jo për të bjerrur kohën, por për të shpëtuar botën me mendimet e idetë tona, edhe pse shpeshherë këto mendime mbesin në filxhan. Aty shohim të sotmen dhe me largpamesi projektojmë të ardhmen.
Prandaj dhe parashikimet më serioze ne i bëjmë duke hedhur fall në filxhan kafeje.
Një ambasador turk i viteve ‘30 thoshte: “nëse do të zgjidhëdh ndonjë problem me zyrtarët shqiptarë, mos u shko në zyrë, por lër takim në kafene”.
Sot 100 vjet më pas korruptuesi aktiv thotë: “por e mbarove këtë punë ke kafenë tende”, ndërsa korruptuesi pasiv pyet: “po kafja ime ku është?”
Gjithçka vërtitet rreth kafesë.
Me 26 mijë kafene të shpërndara në të gjithë vendin ka ardhur koha që dollinë ta ngremë jo me raki, por me ekspreso!
Sepse një filxhan kafe nuk është thjesht kafe. Është ilaç, psikolog, filozof, dhe, mbi të gjitha, një arsye për të mos bërë gjë tjetër për orë të tëra!