Nga Rudina Hajdari

Për një Parti realisht Demokratike!

Situata në Partinë Demokratike, edhe pse sot mund të ngjajë e dëshpëruar, sjell me vete një mundësi të shkëlqyer jo vetëm për atë parti por për gjithë shoqërinë.

Nëse pjesa e shëndetshme e figurave të saj, e drejtuesve në Tiranë dhe rrethe dhe e anëtarëve do të dinë ta përdorin krizën në funksion të një reformimi modern, atëherë PD jo vetëm do shpëtojë veten por edhe gjithë shoqërinë.

Si arrihet kjo?

Më poshtë po mundohem të shpalos një platformë e cila në gjykimin tim dhe të shumë njerëzve të cilëve u dhemb PD dhe Shqipëria e me të cilët jam konsultuar këto ditë.

1. Krijimi sa më parë i një komisioni statutor, të përbërë nga deputetë apo ish deputetë e funksionarë të PD, kryetarë të degëve, personazhe publikë të spikatur nga media, shoqëria civile dhe bota akademike.

***Komisioni duhet të reflektojë në përbërje  grupimet e ndryshme që janë sot në PD, të cilët duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në këtë strukturë, për të sjellë si pasojë edhe bashkimin e tyre brenda Partisë.

2. Krijimi i një ose disa draft statuteve, ku në themel duhet të jetë ç’rrënjosja e kryetarokracisë dhe instalimi i demokracisë pjesmarrëse apo direkte si mekanizmi kryesor i funksionimit të PD duke dobësuar deri në rol menaxherial rolin e kryetarit dhe duke i dhënë fuqi e peshë anëtarësisë për vendimet politike, përzgjedhjen e kandidatëve dhe drejtuesve të tjerë të PD.

3. Konfirmimi real i gjithë anëtarësisë së PD si edhe ftuarja e gjithë shoqërisë për tu bërë pjesë e proçesit të vendimarrjes duke u anëtarësuar në PD.

4. Diskutim i hapur i modeleve te propozuara me anëtarësinë në të gjithë vendin, duke reflektuar edhe propozimet e ndryshme që mund të vijnë.

5. Hedhja në votë e draft statuteve.

6. Organizimi i zgjedhjeve për ekipin e ri drejtues të PD sipas statutit të miratuar.

Në gjykimim tim, PD ka mundësinë sot të krijojë një model të ri drejtimi i cili ti apelojë qartë gjithë shoqërisë, duke bërë kontrast të fortë me modelin autokratik të ndjekur nga PS dhe Rama.

Personalisht jam e gatshme të jap çdo lloj kontributi për këtë pa pretenduar asnjë përfitim.

Uroj që të gjithë anëtarët e PD të ngrihen në lartësinë e duhur dhe ta përdorin këtë situatë për mirë!