Muajt e fundit rrjetet sociale në Shqipëri dhe Kosovë janë mbushur me reklama nga disa faqe anonime me bazë në Kosovë, të cilët pretendojnë se shesin “ilaçe popullore” për sëmundje të ndryshme të trupit.
INVESTIGIMI/ “Kemi ilac për diabetin , tensionin , prostaten …”, Gazeta Jonë zbulon si po mashtrohen pacientët prej një individi nga Kosova me lëngje të çuditshme
Gazeta Jonë po verifikon prej ditësh një tendencë të tillë, ndërsa konstatohet se këto faqe nuk kanë asnjë adresë, numër kontakti apo e-maili duke e bërë situatën edhe më të dyshimtë, ndërsa shëndeti i pacientëve rrezikohet seriozisht për qëllime të pastra përfitimi.
Më herët Gazeta Jonë ka raportuar për raste të shumta të tilla, kurse sot po ndalemi te një tjetër “ilaç” i pretenduar nga shitësit. Bëhet fjalë për një faqe që quhet “Ilaç për mushkëri bronhitis imunitet”, e cila pretendon se shet një produkt mjekësor që shëron nga disa sëmundje të mushkërisë, madje edhe jep imunitet të trupit.
INVESTIGIMI-E shitën sikur shëron kancerin, si Lengu Vital u bë Caji Vital , skandal me produktin që ndryshoi vetëm emrin : Si po mashtrohen të sëmurët
Gazetarët e Gazeta Jonë kontaktuan me këtë faqe duke kërkuar më shumë informacion mbi përbërjen e produktit si edhe nëse është regjistruar në ndonjë institucion të Republikës së Shqipërisë apo të Kosovës duke mos marrë përgjigje.
Gjatë verifikimeve tona kemi konstatuar se këto faqe janë hapur në Facebook kryesisht gjatë muajit mars dhe po shpenzojnë shuma të konsiderueshme në rrjetet sociale për reklama.
Gjithashtu rezulton se të gjitha shishet e këtyre produkteve kanë “font” dhe madhësi shkrimi të njëjtë, si edhe shumica e shisheve që futet lëngu është i njëjtë duke rritur dyshimet se bëhet fjalë për një person apo një grup personash që po abuzojnë javët e fundit me të sëmurët.
Nisur nga situata shqetësuese që është krijuar javët e fundit Gazeta Jonë kontaktoi me mjekë Pneumologë, të cilët u çuditën me injorancën mjekësore në radhë të parë të shitësve të këtyre produkteve, të cilët pretendojnë se shërojnë disa sëmundje krejt të ndryshme me të njëjtin lëng.
Gazetarët tanë kontaktuan edhe me Odën e Farmacistëve të Kosovës, të cilët po ashtu na konfirmuan se nuk kanë njohuri për këto produkte, të cilat edhe pse nga shitësit ofrohen si “ilaçe” në fakt nuk kanë të bëjnë me barnat.
Gazeta Jonë kërkon nga lexuesit që në çdo rast të konsultohen me mjekun para se të blejnë produkte të tilla të dyshimta të prodhuara nëpër bodrume, por që kanë buxhete të mëdha marketing dhe shfaqen kudo nëpër televizorë apo rrjete sociale! /Gazeta Jonë
**Artikulli është shkruar në kuadër të angazhimit të Gazeta Jonë për të siguruar një hapësirë për ushqime dhe barna të shëndetshme për qytetarët. Na lexoni për investigime të tjera të ngjashme.