Kush i mbrojti Artan Gaçin dhe Olta Xhaçkën nga dosja e Himarës?! Historia e resortit me letra të falsifikuara

Mbrëmjen e të shtunës me pranga në duar u soll në Tiranë, kryebashkiaku në detyrë, Jorgo Goro, e bashkë me të, edhe të gjithë ata që kanë hedhur firmën për një “investim strategjik”. Por në njoftimin e gjatë të SPAK, që informonte lidhur me emrat e përgjegjësve dhe për akuzat e tyre penale, mungonte njëri.

Më kryesori: Artan Gaçi! Pra me pak fjalë, të shtunën, Jorgo Goro u arrestua për tokën që bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme (edhe të Mbrojtjes), Olta Xhaçka do të ndërtojë një kompleks turistik në Himarë, me vlerë 5.5 milionë euro. Kanë kaluar 5 ditë por nga Prokuroria e Posaçme nuk ka asnjë sinjal, asnjë sqarim! Asnjë shpjegim se përse e shmangën përgjegjësinë e tij për një aferë që ka persona të arrestuar.

Ose, nëse kanë dalë me të vërtetë në përfundimin që nuk ka gisht dhe as dijeni për mënyrën sesi është kaluar toka në Kadastër, përse nuk sqarohet. Apo, pas kuintave po hetohet diçka tjetër, edhe më e madhe!? Nëse jo, pse u thirr për t’u marrë në pyetje më 6 tetor 2023?

Por si nisi dhe si përfundoi historia e resortit me letra të falsifikuara? Si ra në duart e Gaçit, një politikani të “pensionuar” që stafetën për karrierë në Partinë Socialiste ia kishte lënë të shoqes?

Akuzat, lajmet dhe skema kishte dalë në media, por ishte Fredi Beleri, ai që tashmë është në burg, ai që e konkretizoi në një dokument, të cilin nuk përtoi ta dërgonte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në kallëzimin e tij, Beleri pretendonte se Goro kishte tjetërsuar një pronë, e cila u ble nga Gaçi.

Por si?

Toka, 5512 metra katrorë tokë, ishte truall por nga Agjencia e Trajtimit të Pronave u regjistrua në emër të familjes Foto Pavllo Mëhillit. Si pronar i kësaj pjese trualli, ai mund të bënte çtë donte me tokën që tashmë e kishte në emrin e tij me firmën dhe vulën e shtetit.

Pra, sipas SPAK, Jorgo Goro ka falsifikuar dokumentet e më pas ka regjistruar 5512 m2 tokë shteti në favor të privatit. Në bashkëpunim me vartësin e tij, Jerasimo Bashin, asokohe drejtor i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në bashkinë e Himarës, pa bërë asnjë verifikim në bazë të ligjit, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore që duhet të ishin në pronësi shtet, në favor të subjektit privat.

Në rastin e dytë, SPAK thotë se Jorgo Goro tokën bujqësore prej 5080m ia kaloi shtetit, e më pas dha leje për ndërtimin e kompleksit turistik të Artan Gaçit.

Me hapjen e “rrugës”, në një mbledhje në fillim të muajit mars të vitit 2022, Qeveria vendosi që t’i jepte në përdorim për 30 vite pronën në plazhin e Gjilekës, një kompanie amerikane. Kështu ishte të paktën në dukje.

Ndryshe nga sa pretendon Artan Gaçi, i cili në SPAK ka dëshmuar se është viktimë e një mashtrimi (nëse ka një të tillë), faktet tregojnë të kundërtën, pasi në dosje shkruhet qartë se disa muaj përpara se Stavro Mëhilli të merrte pronësinë mbi tokën, Artan Gaçi kishte bërë pagesën e këstit të parë. Si e bëri pagesën pa e ditur a do e merrte apo jo statusin e investitorit? Ajo që është edhe më e kuptueshme nga hetimi është nguti që prona ti jepej Stavri Mëhillit.

Nga hetimi del se më 17 shkurt 2020, 5 ditë pasi aplikoi për vërtetim pronësie, Stavri Mëhilli u pajis nga ASHK me certifikatën e pronës, ndërsa ASHK e përmbylli procedurën vetëm me praktikën e bashkisë. Më 26 shkurt, 10 ditë pasi e mori pronën, ai e shiti pronën tek kompania e Artan Gaçit për 120 milionë lekë të vjetra, pra për 21 mijë lekë të vjetra/metri. Por këtu është edhe përfshirja e çuditshme e Gaçit, që sot deklaron se është viktimë. Artan Gaçi i likujdoi këstin e parë Stavri Mëhillit më 25 korrik 2019, në një kohë që prona u mor nga Mëhilli më shkurt 2020.

Pasi u krye kjo procedurë, në një mbledhje në fillim të muajit mars të vitit 2022, Qeveria vendosi që t’i jepte në përdorim për 30 vite pronën në plazhin e Gjilekës, një kompanie amerikane. Kështu ishte të paktën në dukje. Kompania “AGTCC Hotel Management” në regjistrin kombëtar të bizneseve rezultonte në pronësi të Taëni Lin Grzych-Sutton, një shtetase 30-vjeçare nga Masaçusets i SHBA, por kishte dhe leje qëndrimi në Shqipëri.

Kush ishte? Partnerja prej shumë vitesh e Andi Xhaçkës – vëllait të asokohe ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Shumë pak u desh për të zbuluar se në projekt ishte përzgjedhur edhe “A.G.TTC”, një kompani shqiptare që mbante të njëjtin emër me atë të shtetases amerikane. Pronari? Artan Gaçi! Duke qenë se skema e tij doli zbuluar, e pranoi edhe vetë publikisht investimin që do të bënte, duke u ankuar se e gjithë zhurma mediatike në fakt ishte “kusur” i faktit që kishte për grua një ministre. Në fakt nuk ishte kështu! Ajo që u gjykua, nuk ishte jeta e tij personale, por ndërhyrja për t’u kthyer në investitor strategjik, kur e shoqja ishte dyfish në konflikt interesi, si me të, ashtu edhe me kunatën e saj. Por teksa bënte mbrojtjen e tij publike, Gaçi u hoq sikur e kishte menduar mirë sesi të mos kishte konflikt interesi, ndaj edhe i tha BIRN se për këtë arsye ai kishte futur në mes kompaninë ‘AGTTC Hotel Management’.

“Unë jam investitor strategjik dhe po ndërtoj një hotel, nuk po ndërtoj vila siç bëjnë të tjerët,” tha Gaçi për BIRN dhe shtoi se sipas ligjit, “më takon zona e plazhit përballë hotelit për të vënë shezlongët. Por, pikërisht për të shmangur këtë konflikt interesi, unë gjeta një kompani tjetër me përvojë në këtë fushë, e cila do të marrë në menaxhim hotelin dhe plazhin dhe unë jam thjesht investitori. Kam folur me shumë juristë për këtë. Nuk ka asnjë abuzim këtu, thjesht po vuaj pasojat që jam burri i ministres.”

Epo në lëmin e juristëve, duket se askush nuk e ka këshilluar siç duhet, pasi aktualisht bashkëshortes së tij i rrezikohet mandati, por edhe vetë po i tunden prangat. E gjitha mbetet në vullnetin e SPAK se kur do të veprojë. Nëse Goro dhe shokët e tij po mbajnë “kursuret” e kalimit të truallit, edhe vetë ai duhet të përgjigjet për planin që kishte ndër mend të realizonte, por që tashmë nuk mund ta bëjë më. Prona, që nuk lëviz, aktualisht është nën sekuestron e SPAK, pronari ende pret! Dritat, kamerat janë ndezur, të gjithë me sytë nga SPAK!