Shumë shpejt revolta mori karakter politik, fakt për të cilin SHIK vë në dijeni edhe qeverinë

Edhe komisioni hetimor pranon se kulmi i revoltave ka mbërritur në arsye politike dhe në krye të demonstratave e mitingjeve u vunë liderët e atëhershëm të opozitës.

Komisioni rreket ti japë përgjigje pyetjes se cilat ishin shkaqet që i shndërruan protestat paqësore në konfrontime me shtetin, në përleshje dhune e të armatosura që prodhuan edhe viktima?

I pari në serinë e gjatë të vendimeve antiligjore dhe antikushtetuese sipas komisionit hetimor, ishte ai i 26 janarit 1997. Kuvendi autorizonte Presidentin “Për të përdorur forcat e armatosura në ndihmë të rendit publik për ruajtjen e institucioneve shtetërore”.  Ky akt, shkaktoi irritim të madh.

Po atë ditë, presidenti Sali Berisha nën tagrin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura nxjerr urdhrin nr.25 “Për përdorimin e forcave të armatosura në ndihmë të rendit publik”. Urdhri nuk sqaronte se sa duhet të jenë forcat që do kalojnë nga ushtria në rend. Po ashtu, nuk sqaronte nëse përdorimi i tyre do të jetë vetëm për mbrojtjen e institucioneve shtetërore.

Ky urdhër, u zbatua aso kohe nga Ministri i Brendshëm Halit Shamata dhe Ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali.

Në të njëjtën ditë, ish Shefi i Shtabit Sheme Kosova, u lëshon 19 urdhra Divizioneve të Ushtrisë për vënien në gadishmëri luftarake dhe sigurimin e rrugëkalimeve në territorin e Shqipërisë së mesme e të Jugut.

Ajo që konsiderohet e rëndë është fakti se jemi në momentet kur popullsia e qyteteve të jugut, është ende e paarmatosur, por ushtria të krijon përshtypjen se po përgatitet për përplasje.

Në rrjedhën e kësaj hullie juridike, në datën 10 shkurt, me urdhrin nr.8 Ministri i Brendshëm, Halit Shamata, kërkon të furnizohet nga Ministria e Mbrojtjes me transportues të blinduar në ndihmë të rendit.

Në datë 1 mars, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Sheme Kosova, lëshon urdhrin nr.25, për lëvizjen e Brigadës së Tankeve Zallher në drejtim të Fierit.

“Rezulton se persona si Agim Shehu, Bashkim Gazidede, Xhait Xhaferi, Sokol Mulosmani , drejtues të strukturave ushtarake të shtetit, kanë marrë pjesë dhe luajtur një rol të veçantë në këtë situatë në përplasjet me revoltat paqësore të popullit në fillimet e saj në Vlorë, duke ndikuar direkt në acarimin e situatës”.

Me datë 03 shkurt 1997 te dy ish ministrat e Brendshëm dhe të Mbrojtjes kanë nxjerrë akte të përbashkëta në zbatim të urdhërit të presidentit Sali Berisha për aktivizimin e forcave të ushtrisë për sigurimin e rendit.

‘Ato ishin sporadike, sepse presidenti i asaj kohe kërkoi që të organizonte trupa vullnetarë nga veriu dhe ti çonte në jug sepse e gjithë revolta ishte në jug. E bëri Saliu këtë, por ata nuk iu përgjigjën. Mori disa i çoi në Vlorë dhe ata u dorëzuan’ u shpreh Spartak Ngjela, Ish-kryetar i komisionit hetimor ‘97

Hartë për dislokimin e forcave në Jug, Braho: Skenar vëllavrasës në vitin e mbrapshtë

Spartak Braho, i cili ishte nënkryetar i këtij komisioni thotë se konkluzionet bazohen në kqyrjen e dokumenteve origjinalë gjatë hetimit të kësaj çështjeje dhe jo në hipoteza.

“‘Realisht u dhanë urdhra për mobilizim,për arrestime, për vrasje masive, për perplasje mes strukturave ushtarake me popullin dhe në fund u krijua një ide plotësisht e saktë për dikë që interesohesh që Veriu të përplasej me Jugun”, thotë Spartak Braho,  Ish-nënkryetar i komisionit hetimor ’97.

Pas hetimit të dokumenteve në disa dikastere, është zbuluar se ekzistonte një hartë e përpiluar për dislokinin e forcave dhe ruajtjen e objekteve. Në hartën e gjetur në Drejtorinë Operative në Ministrinë e Mbrojtjes me Nr.7 datë 4.3.1997, tregohen më së miri zonat nxehta e për të cilat do te ndërmerreshin veprime operacionale ushtarake.

Pas irritimit të popullatës, Sali Berisha përmes urdhrit 26 datë 18 Shkurt 1997, hiqte forcat e ushtrisë nga angazhimi për ruajtjen e rendit. Por, pavarësisht kësaj, me datë 28 shkurt, urdhërohet përsëri dërgimi i forcave të Ushtrisë.

Ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Sheme Kosova, në po të njëjtën ditë urdhëron lëvizjen e efektivave të Brigadës Komando nga Tirana në Fier. Po kështu, një ditë më pas, më 1 mars lëshon një tjetër urdhër për lëvizjen e Brigadës së Tankeve Zallherr në drejtim të Fierit.

Të gjitha këto vendime janë përpara se të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, më datë 2 mars 1997. Në po këtë ditë edhe qeveria Meksi dha dorëheqjen, por Shqipëria ishte në flakë.

‘Për mua ishte një skenar i hedhur në letër, në tavolinë me gjakftohtësi kriminale që u zbatua pikë për pikë. Thonë sot që i hapi depot Partia Demokratike apo qeveria, po ajo i kishte në dorë të gjitha pse do i hapte, është absurde’ u shpreh, Gëzim Zilja,  Ish- kryetar bashkie, Vlorë.

“Rekrutim i popullsisë dhe urdhër luftarak në zonën e Fierit”, dy aktet e dyshimta të ish kreut të SHIK gjatë trazirave

Ky është një ndër urdhërat e shumtë luftarakë sekretë që ka lëshuar ish kreu i SHIK Bashkim Gazidede.

Dokumenti i firmosur me datë 2 mars mban kokën: urdhër Lufatarak r.1, ai përcakton veprimet luftarake që do të kryejnë batalioni i parë i shërbimit informativ kombëtar.

Siç edhe saktësohet në këtë urdhër, ky batalion, që ka në përbërje edhe artilierinë, do të lëvizë në drejtim të Fierit dhe do të stacionohet në qafën e Koshovicës.  Së bashku me forcat e Ushtrisë dhe të rendit ata kanë si detyrë që të pengojnë, ndalojnë dhe të asgjesojnë forcat që mund të tentojnë të kalojnë në drejtim të qyteteve Fier, Lushnje dhe Tiranë.

‘Krijimi i Shtabit të gjendjes së jashtëzakonëshme jashtë strukturave të Këshillit të Mbrojtjes, shmangia e detyrave të SH.I.K.-ut jashtë detyrave ligjore dhe vënia në krye të operacioneve luftarake e Bashkim Gazidede u bë në bazë të veprimeve të kundraligjshme’

Ky është një tjetër urdhër sekret, tepër urgjent, i firmosur nga Gazidede më datë 9 mars. Ai u dërgohet rretheve të veriut të cilëve u kërkohet rekrutimi i popullsisë së këtyre zonave, armatosja dhe lëvizja për në Tiranë me qëllim për t’u organizuar në formacione luftarake, të cilat do të niseshin për në Përmet.

Në raportin hetimor thuhet se është provuar me dëshmi urdhëri dhe komandimi nga Blerim Çela i tre helikopterëve për të çuar armatim në Progonat.

‘Nga tërësia e dokumentave rezulton se shtabi ushtarak i Gazidedes ka kërkuar vënien në dispozicion të shumë strukturave të veçanta të ushtrisë së Jugut si dhe të një arsenali të tërë armatimi e municioni të llojeve e kalibrave të ndryshëm, deri tek raketat toke –ajër. Lëndë Helmuese dhe aviacionit. Ky i fundit urdhërohet dhe bombardon rajone në Jug të vendit, referuar hartës sekrete në dosjen e aviacionit’

A kishte urdhra për sulm ndaj popullatës civile në vitin 1997? Çfarë thonë ish-anëtarët e Komisionit Hetimor

Komisioni mendon se drejtuesit e Shtetit shqiptar, vetë Sali Berisha ka shkelur rëndë parimet bazë të politikës së sigurimit dhe mbrojtjes së vendit nëpërmjet krijimit të “rrezikut” të kërcënimit të brendshën.

‘Përveç dëmit të madh njerëzor që i solli vendit kjo veprimtari kriminale, genocidiste, ajo solli dhe vetë shkatërrimin total të ushtrisë si dhe një dëm kolosal ekonomisë me vlerë 61 mld e 405 milionë lekë të reja.

Gjithë kjo veprimtari pati si ideator,u organizua dhe u drejtua nga ish Komandenti i Përgjithshëm Sali Berisha, i cili duke bashkëpunuar e përdorur si vegla një pjesë të madhe të hierarkisë ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes, SHIK-ut, Rendit’

Por Spartak Ngjela, i cili ka kontrolluar dokumentacionin e SHIK dhe ministrisë së mbrojtjes mohon të ketë parë dokumente të tilla inkriminuese.

“Unë nuk kam parë gjëra të tilla, e hetova dhe nuk kam parë gjë. Po të kisha do ti kisha futur në burg të gjithë, do ti kisha akuzuar për krim”, u shpreh Spartak Ngjela, ish-kryetar i komisionit hetimor ‘97.

Ajo që bën përshtypje është fakti se urdhrat e shqyrtuar nga komisioni hetimor, sot nuk gjenden në arkivën e Kuvendit. Përmes një përgjigje zyrtare ndaj interesit tonë, Kuvendi sqaron se dokumentet janë asgjësuar në vitin 2019, pasi materialet kanë humbur vlerën 20-vjeçare të ruajtjes. Ato akte nuk gjenden as në prokurori referuar një tjetër përgjigje zyrtare. Nga Arkiva e Shtetit, nuk kemi ende një përgjigje deri në transmetimin e këtij dokumentari. Nuk dihet nëse atje mund të jenë arkivuar urdhra për angazhimin e forcave të armatosura, apo përdorimin e lëndëve helmuese në Jug gjatë vitit 1997.

‘Unë nuk di se çfarë është thënë me gojë. Unë këtu skam asnjë dokument. Vetëm u gjet një dokument që nuk ishte as mish as peshk, dmth që doli Berisha që kërkoi të mbushej policia me ushtarakë se nuk kishte policë, por jo për grusht shteti, por kjo nuk ëhstë shkelje kriminale e ligjit’ u shpreh Spartak Ngjela, ish-kryetar i komisionit hetimor ‘97

Edhe Sokol Hazizaj thotë se ai personalisht nuk kanë bërë vëzhgime në terren, por ka raportuar vetëm të dhënat e referuara nga dëshmitarët.

‘Nuk kemi shkuar që të bëjmë verifikime në terren, por janë pasqyruar me vërtetësi ato që kanë thënë dëshmitarët’ u shpreh Sokol Hazizaj, ish-anëtar i komisionit hetimor ‘97.

Dhjetëra urdhra dhe fonograme për lëvizjen e forcave, çfarë zbulon raporti për trazirat

Urdhëra për armatosjen e strukturave të Ministrisë së Brendshme të komandës dhe SHIK-ut me armatim të rëndë si raketa e topa, transportues të rëndë, mitralozë, granata etj.

‘Sa për ilustrim gjatë periudhës 25 janar – 9 mars 1997 vetëm Safet Zhulali ka lëshuar 22 urdhra për të aviacionit, për bombardimin dhe goditje të tankeve dhe mjeteve të deri mbi burgun e Bënçës dhe urdhra për hedhjen në erë të urës së Mifolit.

Janë 42 fonograme dhe telegrame të Adem Çobanit për mobilizim të rretheve Kukës, Pukë, Burrel, Shkodër. Disa urdhra, fonograme, telegrame kanë lëshuar dhe ish shefi i shtabit të përgjithshëm Sheme Kosova, për lëvizje mjetesh e trupash dhe për kalimin e tyre në dispozicion të SHIK-ut dhe të Minsitrisë së Brendëshme.

Po ashtu janë dhënë dhe disa urdhëra të konsideruara jashtë çdo kopetence nga Leonard Demit. Një prej tyre është ai me nr 42 i datës 5 mars për t’i dorëzuar SHIK-ut kompaninë e kundratankeve. Komisioni hetimor citon mes të tjerash një urdhër për veprime luftarake me një çift avionesh, për të goditur portin e Sarandës. Radiogrami nr.5, datë 2 mars 1997 drejtuar komandantit të Shijakut për t’u përgatitur me materiale e mjete për hedhjen në erë të Qafës së Sokolit në Rrogozhinë

‘Ato ishin fjalë populli, unë dua të di c’dokumente kam kontrolluar në Minsitria e  Brendshme dhe në Ministri të Mbrojtjes, nuk kishte organizime të atij lloji, që dukej se donin të bënin grusht shteti ose donin të mbanin pushtetin me zor. Me përjashtim të asja që mori nga veriu, se i ra ushtria, dhe ata nuk pranuan’ u shpreh Spartak Ngjela, ish-kryetar i komisionit hetimor ‘97.

“Gjenerali ‘civil’ që do të shtypte revoltat”, ish-anëtari i Komisionit Hetimor flet për skenarët e pushtetit

Urdhërat drejtuar gjeneralëve të forcave të armatosura , urdhrat drejtuar ministrit të mbrojtjes, urdhër emërimi i Gazidedes. Urdhra për bombardime në jug. Në historinë e shtetit shqiptarë rralë vënë firma, por kush mund ta kundërshtonte Berishën’ u shpreh Spartak Braho, sh- nënkryetar i komisionit hetimor ‘97

Në përfundim të raportit, komisioni konkludonte se revolta nisi pasi shteti ishte regresiv, qeveria mashtroi duke nxitur krizën financiare. Më tej, u shtypën me dhunë revoltat popullore.

‘Fajtori kryesor është Sali Berisha, bashkë me shpurën e drejtuesve të tjerë të shtetit, ku përfshihen Safet Zhulali, Gazidede, që pa asnjë lloj motivi nga drejtues i një institucioni civil siç ishte shiku, pa asnjë motiv u emërua gjenerali operacionit që do të shtypte bandat rebele të jugut. Vetëm për këtë gjë Berisha duhet të ishte përgjigjur ligjërisht’ u shpreh Spartak Braho, ish- nënkryetar i komisionit hetimor ’97.

“Më mitraluan banesën”, ish-kryebashkiaku i djathtë akuzon me emra për shkaktarët e ‘97-ës

Gëzim Zilja, që ka shkruar dy libra për atë që përjetoi Vlora dhe pretendon se e pa kush e dogji qytetin, nuk lë jashtë përgjegjësisë as opozitën e asaj.

‘Skënder Gjinushi ka qenë këtu, Frrok Cupi, Paskal Milo, Arben Malaj kanë qenë këtu.  Sa është dhe si është roli i tyre le ta thonë vetë ata.  Neritan Ceka ka qenë në Elbasan u bë ministër, Arben Malaj ministër, Paskali ministër, Skënderi u bë kryetar i Parlamentit, edhe Mejdani që ishte në atë grupin që vinte e shkonte nga Vlora u bë president, nuk kishin aq merita për të marrë gjithë këto poste… sa kanë ndikuar dhe sa kanë bërë me fjalët e tyre, këtë se di’ u shpreh Gëzim Zilja, Ish kryetar bashkie, Vlorë

Në qershor të vitit 1997 u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme, ku partia socialiste fitoi bindshëm. Në po këtë ditë, shtëpia e Gëzim Ziles u mitralua, një tregues se vendi ende nuk e kishte gjetur paqen.

‘Në datën 28 qershor 1997, rreth orës 10:00 të natës, kur u mor vesh se Partia Socialiste fitoi bindshëm, shtëpia ime është mitraluar me 30 e ca plumba. Kam qenë me gruan në shtëpi, u shtrimë barkas dhe kemi shkuar tek komshiu duke u zvarritur. Atë ditë në mëngjes unë jam larguar përfundimisht nga Vlora’ u shpreh Gëzim Zilja, Ish kryetar bashkie, Vlorë.