Banka e Shqipërisë, ka deklaruar për Zëri se nuk mundet kurrsesi të ndërhyjë në ndalimin e rritjes së kamatëvonesave të kredive që dhjetëra qytetarë rezultojnë se kanë marrë pranë institucionit Fondi BESA, të mashtruar nga e ashtuquajtura ‘sudja’ Albana Imami.

Në një përgjigje zyrtare, BSH shprehet se nga informacioni që Banka e Shqipërisë ka marrë për rastin, rezulton se individë kredimarrës kanë firmosur dokumentet për shumën e plotë të kredisë dhe janë paraqitur tek subjekti për të tërhequr shumën e plotë të kredisë.

Ndërsa, përsa i përket faktit që çështja është nën hetim për mashtrim, por paralelisht kamatëvonesat dhe interesat rriten, duke penalizuar qytetarët në rifinancim apo në marrëdhëniet normale me bankat, Banka e Shqipërisë shton se nuk mund të ndërmarrë asnjë masë në momentin që kjo çështje është nën hetim dhe shqyrtim nga Gjykata.

Për këtë përgjigje, BSH citon nenin 36 të Kodit të Procedurës Civile, që thotë se asnjë institucion, përfshirë Bankën e Shqipërisë, nuk ka të drejtë të pranojë për shqyrtim një mosmarrëveshje civile që është duke u gjykuar nga organet gjyqësore.