Kompanitë e industrisë së rëndë i shmangen detyrimit “Ndotësi paguan” si dhe ‘’përdoruesi paguan”, dy nga parimet kryesore për mbrojtjen dhe menaxhimin e mjedisit, duke i kthyer zona të tëra në “viktima” të nëntokës së pasur. Në Bulqizë, nga 108 subjekte, që ushtrojnë aktivitetin në nxjerrjen e kromit, vetëm njëri investoi 2,000,000 lekë për ndërtimin e një fushe sporti në vitin 2018. Në po të njëjtin vit, 437 mijë tonë krom dolën nga nëntoka e Bulqizës me një vlerë prej rreth 88 milionë dollarësh.
Era, që fryn në dalje të Fierit e bën gjithnjë e më të pranishëm kundërmimin e naftës, që vjen nga fshati Marinëz. Kjo zonë mban në nëntokën e saj një nga pasuritë më të mëdha të vendit. Rreth 540 mijë tonë naftë u nxorën prej aty vetëm në vitin 2022, që në vlerë tregu, me një çmim mesatar prej 100 dollarësh për fuçi, është rreth 230 milionë dollarë.
Milionat mund ta kishin ndryshuar totalisht jetën e banorëve të Marinëzës, por në fytyrat e tyre dallohet lehtësisht dëshpërimi.
“Kjo është një zonë e ndotur, pasi çlirohet gaz në ajër”, – thotë 61-vjeçari Viktor Ngjeliu, duke treguar me gisht puset e naftës, që nga porta e banesës së tij nuk janë më shumë se 70 metra larg.
“Kur bie shi, sidomos në periudhën e dimrit, bëhet mjegull, pasi gazi e rëndon edhe më shumë tymin, që çlirohet nga depot dhe ne nuk dalim dot nga shtëpia”, – vijon ai, duke shtuar se së bashku me 5 pjesëtarët e familjes ështëi detyruar të jetojë aty.
Në biznesin e vogël, një bar-kafe, që familja Ngjeliu ka ngritur përbri shtëpisë, puna kryesore është fshirja e tavolinave nga pluhuri. Toka, që kanë pak më tutje, është e pamundur të shfrytëzohet, kjo për shkak se ndodhet brenda zonës së naftës dhe ndotja është e lartë, po aq edhe nga masat e sigurisësë kompanisë, që nuk lejon njeri t’i afrohet zonës.
“Unë kërkoj, që atë copë tokë ta marrë kompania, ta blejë sipas ligjeve, por të na shkëpusë nga ky vend.”, – thotëViktori, pa shfaqur keqardhje për të lënë pas shtëpinë, ku ka investuar prej një jete.
61-vjeçari tregon se në vitin 2015 arriti një marrëveshje me kompaninë Bankers Petroleum, që i pagoi familjes së tij qiranë për një vit në qytetin e Fierit,por kontrata nuk u rinovua më, çka shënoi edhe nisjen e një beteje ligjore mes tij dhe kompanisë më të fuqishme të nxjerrjes së naftës në vend.
“Mora ekspertë për tokën, bëmë edhe analiza si familje, dolëm me karbon në gjak. Nga kjo situatë u detyrova që të hap gjyq”, – thotë ai.
Nga ana tjetër, Gjykata e Shkallës së Parë në Fier dhe më pas ajo e Apelit në Vlorë e rrëzuan padinë. Ndërkohë, për 61-vjeçarin fati i gjyqit në Gjykatën e Lartë do të tregojë, nëse në vend funksionon vërtet drejtësia e reformuar.
“Nëse në këtë vend do të ketë drejtësi, unë e fitoj gjyqin, në të kundërt e humbas”, – shprehet ai, i vendosur për të ndjekur çdo hallkë ligjore për këtë çështje.
Viktori është i vetëm në betejën përballë Bankers Petroleum, por largimin prej aty e dëshirojnë edhe banorët e tjerë të fshatit me rreth 400 familje.
“Një padi kolektive, – këtë propozon avokatja Irene Dule për rastin e banorëve të Marinëzës, duke e cilësuar si një rrugë, nëpërmjet së cilës do të arrinin sukses në kauzën e tyre, – por tek ata mungon ndërgjegjësimi për këtë hap”, -shton ajo.
Sipas avokates,çdo person, që ka pësuar dëme në të gjithë elementet mjedisore, si uji, ajri dhe toka ose në njërin nga këto elemente, ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës për të marrë dëmshpërblim kundrejt Bankers Petroleum.
“Kompania ka detyrime të drejtpërdrejta, financiare kundrejt individëve, sepse ndotësi është i identifikuar në këtë rast”, – thotë Dule, duke vënë theksin te parimi “Ndotësi paguan”, një nga parimet kryesore për mbrojtjen e mjedisit e njëherësh nga më pak të zbatuarit në Shqipëri.
Pa përgjegjësi
Krahas masave, që bizneset duhet të marrin për të parandaluar, për të kontrolluar dhe për të ndrequr dëmet ndaj mjedisit, ekspertët e konsiderojnë një komponent të rëndësishëm të mbrojtjes parimin ‘’përdoruesi paguan’’të lidhur me kohezionin social.
“Për sa kohë një kompani shfrytëzon pasuritë e një komuniteti, që janë baza e zhvillimit dhe e mirëqenies së tij, ka detyrimin t’i kthejnë diçka mbrapsht në formën e investimeve”,- shprehet eksperti i mjedisit, Olsi Nika, teksa liston investimet, që mund të bëhen në infrastrukturë, në kulturë, në art.“Ky, -shton ai,- është një lloj kompensimi i asaj që komuniteti mund të kishte përfituar, nëse do t’i kishte shfrytëzuar vetë”.
Edhe pse renditet si kompania e tretë më e madhe në vend nga të ardhurat, fabrika e përpunimit të hekurit dhe e çelikut,Kürüm International, nuk ka kryer asnjë investim publik për komunitetin e zonës përgjatë viteve 2018-2022.Sipas Bashkisë së Elbasanit, për 5 vitet e fundit kjo kompani nuk ka lidhur asnjë kontratë për investime publike.
“Kompania mund të ndihmojë me ilaçe disa kategori që vuajnë nga sëmundjet kronike, për shkak të uljes së imunitetit nga ndotja, – thotë ekspertii mjedisit Ahmet Mehmeti, duke shtuar se, – kjo është pjesë e moralit të bizneseve të përgjegjshme, po aq sa detyrim social”.
INA MEDIA kërkoi të dhëna nga bashkitë, ku ushtrojnë aktivitetin e tyre edhe AlbChrome dhe Bankers Petroleum për investimet që ata kanë kryer në komunitet.Nga 108 subjekte, që ushtrojnë aktivitetin në nxjerrjen e kromit në Bulqizë, vetëm njëri prej tyre ka investuar për komunitetin në 5 vitet e fundit. Bëhet fjalë për një financim prej 2,000,000 lekësh, që kompania AlbChromebëri në vitin 2018 për ndërtimin e një fushe sporti në Bulqizë.
Pothuajse e njëjta situatë paraqitet edhe në Bashkinë e Patosit dhe në atë të Roskovecit, ku shtrihet aktiviteti i Bankers Petroleum. Sipas të dhënave nga Bashkia e Patosit, kompania bëri një investim në vitin 2019 me një vlerë prej 10,793,526 lekësh me TVSH, për shkollën “Koli Dimo”.
Ndërsa në Bashkinë e Roskovecit, Bankers Petroleum ka investuar në vitet 2018-2022 një shumë prej 51,491,062 lekësh në total, për rikonstruksionin e rrugës, rreth-rrotullimin “Vajza Myzeqare”, si dhe pastrimin, sistemimin dhe mbulimin me tombino të kanalit kryesor, që kalon përmes fshatit Marinëz.
Eksperti Mehmeti shprehet se, në kontratat e ndotësve të mëdhenj detyrimi social duhet të sanksionohet me ligj.
“Ka nevojë që të ribëhen ligjet, të humanizohen ligjet”,- shton eksperti.
Ndërsa avokatja Irene Dule shkon më tej, teksa propozon hartimin e një Kodi për Mjedisin, ku të përcaktohet qartë çdo detyrim dhe çdo përgjegjësi e aktorëve mjedisorë.
“Kodi të jep parimet, organet kompetente, detyrat e mirë-përcaktuara, sanksionet, pra ezauron çdo hallkë të zinxhirit ligjor dhe e bën atë të zbatueshëm”,- shprehet Dule.
Ndotësi nuk paguan, zbatimi i ligjit, në dëshirën e kompanive
Shqipëria ka një ligj për mbrojtjen e mjedisit, të miratuar në vitin 2011ku parashikohet parimi “Ndotësi paguan”. Ky parim e ngarkon ndotësin, qoftë ai person fizik apo juridik, që të mbajë përgjegjësi financiare, për të përballuar kostot e shkaktuara nga ndotja kundrejt mjedisit apo komuniteteve.
“Kosto të tilla përfshijnë kostot e vlerësimit të dëmtimit të mjedisit, kostot e vlerësimit të masave të nevojshme, si dhe kostot e shmangies së dëmtimit të mjedisit, përfshirë kostot e rehabilitimit e të kompensimit të personave të dëmtuar, fizikë apo juridikë”,- specifikohet në nenin 12 të Ligjit për Mjedisin.
Por, ndonëse një parim i rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit, ekspertët e fushës ngrenë shqetësimin se duhet të plotësohen mekanizmat ligjore, që të llogaritet sa më saktë ndikimi i ndotjes në mjedis dhe tek jetesa dhe shëndeti i banorëve të zonave.
“Kjo metodologji duhet të përcaktohet për çdo ndotës”, – shprehet eksperti i mjedisit, Olsi Nika.
Dy shpërthime, që ndodhën në zonën naftëmbajtëse të Patoz-Marinëzës më 1 prill të vitit 2015, çuan në evakuimin e rreth 60 familjeve, sipas asaj që raportuan mediat në atë kohë. Gazi natyror, argjilor shpërtheu ngado, duke shkatërruar sipërfaqet e tokës rreth rrezes së shpërthimit, por dëmi më i madh u shkaktua nga ngarkesa në ajër e substancave kimike, që vunë në rrezik shëndetin e banorëve.
7 vite më vonë, në janar të vitit 2022, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit kërkoi sërish pezullimin e Bankers Petroleum, pasi konstatoi se subjekti nuk i kishte respektuar kushtet e lejes së mjedisit për largimin e mbetjeve të rrezikshme dhe si rrjedhojë kishte kontaminuar zonën. Krahas pezullimit u vendos edhe një dënim me gjobë në vlerën e 2 000 000 lekëve.
Marrëveshja e lidhur mes shtetit shqiptar dhe Bankers Petroleummë 17 korrik 2004, kur vendi drejtohej nga kryeministri Fatos Nano, përcakton qartë në nenin 20 se, “kontraktori do të kryejë operacione hidrokarbure në një mënyrë të sigurt dhe do të shkaktojë dëmtim aq të vogël, sa është në mënyrë të arsyeshme e praktikueshme ndaj mjedisit të përgjithshëm”.
Në rastet kur dëmi ndodh për shkak të një fontanimi, për shkak të një aksidenti ose për shkak të një emergjence tjetër, kontrata e detyron kompaninë, që ta sjellë situatën emergjente në kontroll dhe të mbrojë kundrejt humbjes së jetës ose humbjes apo dëmtimit të pasurisë.
“Ose parandalo pasojat, ose rregullo pasojat”, – shprehet avokatja Dule, duke specifikuar detyrimet që lindin nga parimet për mbrojtjen e mjedisit. Gjithë ideja është që ndotësi krijon një fond parash, të cilat përdoren për të rikuperuar dëmet në mjedis”, – sqaron më tej Dule.
Kompani të pasura, komunitete të varfra
Shkëlqimin e kromit të Bulqizës mund ta dallosh që prej Qafës së Buallit. Në qytetin e minatorëve, siç njihet ndryshe Bulqiza, gjurmët e shfrytëzimit pa kriter shihen qartë në sipërfaqen e qytetit, ku ngjyra e zezë e masiveve të kromit bën një kontrast të madh me atë të pyjeve përreth.
Në vitin 2018 në Shqipëri u prodhuan rreth 1,1 milionë tonë krom, ku peshën më të madhe e mbante Bulqiza me rreth 437 mijë tonë, të dalë nga nëntoka e këtij qyteti. Nëse një ton shitet me një çmim mesatar prej 200 dollarësh, nga rajoni industrial, minerar më i rëndësishëm i vendit largohen rreth 88 milionë dollarë në vit.
Por, edhe pse me nëntokë shumë të pasur, Bulqiza mbetet një nga qytetet më të varfra të Shqipërisë, me të ardhura për frymë nga më të ulëtat në vend. Plani i Kujdesit Social pranë kësaj bashkie, i hartuar për periudhën 2019-2023, identifikon se në Martanesh rreth 43% e popullsisë jeton në varfëri dhe në Fushë Bulqizë, më shumë se 43%.
Kompanitë, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Bulqizë dhe përreth këtij qyteti në nxjerrjen e kromit, kanë paguar si rentë minerare në vitin 2018 rreth 212 milionë lekë të reja (2 milionë dollarë). Në të njëjtin vit, nga kjo taksë, e cila mblidhet nga pushteti qendror, në buxhetin e Bashkisë së Bulqizës kanë shkuar vetëm 120 mijë dollarë (140,098 lekë).
“Rentën minerare e mbledh Ministria e Financave, por dëmet janë në komunitet”, – thotë avokatja Irene Dule, që problemin kryesor e sheh te hartimi i Ligjit për Mjedisin, i cili nuk i përcakton qartë detyrimet e institucioneve.
“Kjo taksë nuk i shkon komunitetit, që të përdoret për mireqenien e tyre, por i shkon thesit të buxhetit të shtetit si një e tërë”, – shton Dule më tej.
Sipas saj,ligji ka edhe probleme të tilla, që kompetencat ia jep një organi, në këtë rast qendrorit, ndërsa detyrat mjedisore ia lë bashkisë, pra vendorit.
“Këto të dyja duhet të shkojnë bashkë, kush ka kompetencën, duhet të ketë edhe detyrimet dhe mjetet për ta realizuar”, – thotë avokatja.
Ndërsa për ekspertin e mjedisit, Olsi Nika, krahas parimeve “Ndotësi paguan” dhe “përdoruesi paguan” duhet të bashkë-vendoset edhe ai i proporcionalitetit.
“Një përdorues që shfrytëzon një sasi të vogël të burimeve natyrore nuk duhet të paguajë njësoj për renten minerare sa një kompani e madhe, por në proporcion me sasinë në shfytëzon”–shprehet Nika, teksa shton se ky parim duhet të respektohet edhe për ndotësit në lidhje me masat që duhet të ndërmarrin për përmirësimin e mjedisit.
Vetëmonitorimi si shpëtim për ndotësit
Tymi, që del çdo ditë nga uzina e Kürüm-it në Elbasan, bashkëshoqëron prej dekadash jetën e banorëve në zonat përreth saj.
42-vjeçari A. Zh., nga fshati Bradashesh, thotë se frymëmarrja i është rënduar vitet e fundit për shkak të ajrit të ndotur.
“Kjo bëhet edhe më e vështirë, në ditët kur fryn erë”, – thotë 42-vjeçari, teksa përpiqet të shkundë pluhurin nga gjethet e limonit në oborr, që kanë marrë ngjyrë të errët.
Banorët flasin mes tyre për pasojat e ndotjes nga Metalurgjiku, por në institucione situata raportohet krejt ndryshe.
Neni 44 i Ligjit për Mjedisin i ngarkon operatorët që t’i kryejnë vetë monitorimet për ndikimin e tyre në mjedis dhe më pas t’i dorëzojnë ato në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit. Vetëmonitorimi është një nga proceset më të rëndësishme në kontrollin e nivelit të ndotjes dhe për rrjedhojë, të masave që duhet të ndërmerren nga kompanitë, për të rigjeneruar dëmin e shkaktuar,megjithatë ky proces i është lënë për realizim vetë kompanive.
Raportet e dorëzuara nga Kürüm Internationalpranë AKM-së, për vitet 2019-2022, tregojnë një nivel ndotjeje brenda normave,por realiteti, që del nga studimet e realizuara nga subjekte të pavarura, është krejt tjetër.
Një monitorim i realizuar nga CoPlan dhe Klubi Ekologjik, Elbasan përgjatë viteve 2019-2021, nxori në pah sasi të larta të gazrave të dëmshëm dhe grimcave, që tejkalonin me disa fish normat e Bashkimit Europian. “Specifikisht, nga 40μg/m3, që është standardi i BE-së, në pikat e tjera të dhënat variojnë nga 50μg/m3 deri në 100μg/m3 për NO2”, – shkruhet në studim.
“Vetëmonitorimet janë mashtrime”, – shprehet për INA MEDIA-n Ahmet Mehmeti, kreu i Klubit Ekologjik, Elbasan, i cili e ndoqi për 4 vite procesin e monitorimit në këtë qytet.
“Matjet për nivelin e ndotjes duhet të kryhen 24 orë gjatë gjithë vitit. Këtu paguhen subjekte private një herë në tre muaj, për të bërë matje sipas kushteve dhe periudhës, që kërkon vetë ndotësi”, – shton më tej Mehmeti.
Eksperti Nika pranon se vetëmonitorimi është modeli që ndiqet në pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Europian.
“Ky proces i’u lihet në dorë kompanive dhe filtri i vetëm është ai i institucionit, pra, siç është në vendin tonë Agjencia Kombëtare e Mjedisit”, – shton eksperti.
Por,Agjencia e Mjedisit, që është organi përgjegjës për t’i inspektuar në terren këto subjekte, e kryen atë vetëm në bazë të indiceve. Ndaj, sipas Nikës, shembulli më i mirë është ai që ndiqet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ata kanë një Agjenci Federale të Mjedisit, që i monitoron dhe kryen raportet e monitorimit,nuk i jepet dorë zhvilluesit”, -shprehet eksperti, duke theksuar se kjo formë ka kosto financiare, pasi struktura kërkon ekspertë të fushës.
Autorë: Rashela Shehu dhe Xhevahir Zhabina
/INA MEDIA