Një rrjet ndërkombëtar i trafikut të drogës u zbulua falë një hetimi të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), të nisur në vitin 2023. 10 janë të arrestuarit, 7 shqiptare dhe 3 të huaj, prej të cilëve 2 nga Venezuela dhe një nga Kolumbia.

Në një njoftim për mediat, SPAK dha këtë të shtunë detaje për këtë sipërmarrje të sofistikuar kriminale, me bazë në fshatin Qerekë të Fushë-Krujës.

Bëhet fjalë për një laborator të përpunimit të kokainës, drogë e cila sillej nga Amerika Latine e kontaminuar dhe përpunohej në Shqipëri, duke u bërë kështu gati për tregun europian.

Përveç laboratorit në Qerekë, grupi kriminal kishte edhe ambientet të tjera të vendosura në Tiranë e Durrës, në ndihmë të gjithë kësaj sipërmarrjeje.

“Nga të dhënat hetimore, rezulton se ky grup vepron si një rrjet ndërkombëtar kriminal, duke bashkëpunuar me organizata kriminale në Amerikën Latine për të trafikuar kokainën drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Në vend, ata përdornin një laborator dhe ambiente ndihmese për ekstraktimin e drogës nga “lëkurë gjedhi të kriposur”, përpunimin e saj përpara se ajo të trafikohej në tregjet e destinuara. Struktura e grupit përfshinte shtetas nga disa qytete të vendit, role të mirë përcaktuara, duke përfshirë financues, transportues, përpunues, dhe shpërndarës”, thotë SPAK.

Rrjeti kishte një bashkëpunim efikas mes ekspertëve të huaj me përvojë dhe elementëve lokalë të mirë-organizuar, duke krijuar një mekanizëm funksional dhe shumëdimensional të aktivitetit kriminal. Një nga aspektet më të veçanta të këtij rrjeti ishte përfshirja e ekspertëve nga Amerika Latine.

“Kolumbianët dhe venezuelianët, të njohur për ekspertizën e tyre të thelluar në trajtimin dhe përpunimin e kokainës, ishin “ekspertët” që garantonin suksesin teknik të operacionit. Aftësia e tyre për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si “lëkurat e bagëtive” e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë, për tregun shqiptar dhe atë evropian. Ky bashkëpunim tregon jo vetëm përmasën ndërkombëtare të grupit, por edhe synimet e tij për të operuar në nivele të larta të organizimit dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar në përpunimin e drogës”, shprehet Prokuroria.

Edhe vendet që kishin zgjedhur për të kryer të gjithë këtë sipërmarrje nuk ishin rastësore. Siç shpjegon SPAK, vendosja e laboratorit të Qerekë, ishte për shkak të afërsisë me Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Ambienti në Durrës për shkak të portit.

“Laboratori i ngritur në Qerekë të Fushë Krujës dhe ambientet ndihmëse në Tiranë dhe Durrës, ishin vendosur në pika strategjike të infrastrukturës kombëtare. Pranë aeroportit më të madh të vendit, dhe portit të Durrësit, këto zona vështirësonin monitorimin nga ajri prej agjencive ligjzbatuese, dhe nga ana tjetër lehtësonin transportin e shpejtë të drogës dhe përzierësve kimike, duke siguruar një qasje të shpejtë në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Përzgjedhja e këtyre lokacioneve tregon qartazi një planifikim të kujdesshëm, ku distanca e afërt me nyjet kryesore të logjistikës kombëtare ishte një faktor kyç për funksionimin pa ndërprerje të këtij rrjeti kriminal”.

Rrjeti operonte në mënyrë të sinkronizuar, me çdo hallkë të përcaktuar në mënyrë të detajuar.

“Ekspertët e huaj përqendroheshin në proceset teknike të përpunimit, duke shfrytëzuar aftësitë e tyre për të ngritur laboratorë të përpunimit të drogës. Ndërkohë, financuesit shqiptarë siguronin investimet, pajisjet dhe përbërësit kimikë. Transportuesit dhe përpunuesit lokalë luanin rolin e tyre për të siguruar lëvizjen e sigurt të drogës dhe pajisjeve, ndërsa shpërndarësit kishin detyrën për ta futur drogën në tregjet e destinuara. Shuma e madhe e parave e vënë në dispozicion të financimit të këtij aktiviteti, pajisjet teknologjike dhe mjetet e përpunimit të drogës tregojnë për nivelin e lartë të organizimit dhe burimeve financiare të këtij grupi kriminal”, vijon më tej SPAK.

Në mesin e provave të sekuestruara nga autoritetet ligjzbatuese janë 6.1 kilogramë kokainë. Ashtu sikurse 48 tonë material i papërpunuar organik ku dyshohet se fshihet kokainë.

“Provat e sekuestruara përfshijnë: Material të papërpunuar prej 48 tonësh (rreth 850 lëkurë gjedhi) ku dyshohet se fshihet lëndë narkotike, të importuara nga Amerika Latine në shtator dhe nëntor 2024; 6.1 kg lëndë narkotike e dyshuar si kokainë; 36,270 euro, 357,046 lekë të reja dhe 57 milionë peso kolumbiane (afërsisht 12, 200 euro); 89.5 kg përzierës të ngurtë dhe 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës; Pajisje për ngritjen e laboratorëve, si presa, axheton, epruveta qelqi, preparate kimike, mikrovalë, qese paketimi, dhe llampa nxehtësie; 22 telefona celularë, 2 laptopë, 7 karta banke dhe 17 karta SIM; 3 automjete të markave të ndryshme dhe dokumente të tjera të rëndësishme”.