nga Arlind Qori
Sot në mëngjes padishahu u ngrit me nerva. “Një grupth që endet nëpër Tiranë me misionin e shpëtimit të Shqipërisë nga murtaja kapitaliste” ia kishte dalë të niste një zinxhir reagimesh te qytetarët dhe opinionbërësit shqiptarë që kundërshtojnë ngritjen e përbindëshit të radhës prej betoni në qendër të Tiranës.
Përveç mllefit të shumë qytetarëve që do të hanë pluhur për të paktën shtatë vjet, nisën të bëzajnë edhe media që i ka nën kontroll, edhe gazetarë që i kanë shërbyer për vite me radhë. Çka duhet të kalonte si një krim i pazëshëm ndaj qytetit dhe qytetarëve u shndërrua në krim ku viktimat e ardhshme protestojnë, madje ulërijnë, në mes të gushtit, atëherë kur padishahu nga shkuar me pushime. “Qerrata milet!”
Padishahu surratvrerosur nuk kishte reaguar kurrë kështu, me një editorial të tërë të shkruar rromapërtoma, as kur e goditën me vezë në oborrin e Fakultetit të Shkencave Sociale, as kur dhjetëra mijëra studentë bllokuan Rrugën e Durrësit, as kur mijëra qytetarë iu mblodhën poshtë sarajit me rastin e rritjes së çmendur të çmimeve. Diç e ka bezdisur më shumë se zakonisht: orvatja e prishjes së një ëndrre, realizimi i të cilës do ta shndërrojë në njeriun më të pasur në Ballkan dhe, në delirin e tij të pashërueshëm, do ta bëjë njëkohësisht edhe figurën më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. “Si guxojnë këta jezitër?!”
Padishahu ynë është oksidental në propagandë. Për ta përligjur përbindëshin më të lartë të Ballkanit, iu referua një konkursi ndërkombëtar, me juri të ububushme, me firma daneze, me mijëra inxhinierë, madje edhe me një shqiptar të mrekulluar nga drejtësia e padishahut. Mirëpo kulla, edhe në qoftë më e bukura e historisë së kullave, nuk do të ngrihet në shkretëtirë, si piramidat e paraardhësve të tij imagjinarë, por në mes të një qyteti me dendësi urbane gjithnjë e më të papërballueshme. Në këtë kuptim, diskutimi mbi bukurinë arkitekturore fsheh faktin që qyteti dhe qytetarët e Tiranës do të kenë një park më pak, do të helmohen për vite të tëra nga pluhuri dhe grimca të rrezikshme për jetën dhe shëndetin, do të shohin copëza gjithnjë e më të ngushta qielli – të burgosur në një qytet që ngrihet lart, intensifikohet në qendër, zhduk trotuare e hapësira publike, shfaros këndet e lojërave dhe fushat për fëmijë dhe ku të gjithë janë të ftuar të blejnë me para që nuk kanë.