Ish-drejtori i Policisë së Lezhës, Henrigert Mitri, i cili së fundmi ushtronte funksionet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, me shumë mundësi ka shënuar “JO” në formularin e hartuar nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, për vetëdeklarimin mbi “Përdorimin e aplikacionit SKY/Encrochat”.
Informacionet e përcjella nga autoritetet belge dhe franceze pranë Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) treguan se Mitri ka përdorur aplikacionin telefonik “Sky”, madje edhe dyshohet se ka bashkëpunuar me grupe kriminale për kultivim narkotikësh gjatë vitit 2020.
Po ashtu, të njëjtat informacione treguan se edhe zyrtarë të tjerë policorë kanë përdorur aplikacionet “Sky”, nën shpresën se komunikimet nuk do të ç’kodoheshin.
Në Dhjetor 2023, ministria Balla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, i bën një fushatë të gjerë “formularit të SKY”, nëpërmjet të cilit funksionarët më të lartë të Rendit deklaruan se do të zbulonin bashkëpunëtorët e krimit të organizuar në radhët e uniformave blu.
Rezultatet e vetëdeklarimit nuk u publikuan asnjëherë zyrtarisht, ndërkohë që të dhënat e rrjedhura informalisht nga brenda radhëve të Policisë tregonin se asnjë ose, më së paku, një numër fare i papërfillshëm efektivësh.
“Boldnews.al” ka raportuar më herët se formulari dhe, e gjithë nisma e ministrit Balla, “fut ujë” nga shumë anë, si në aspektin e teknikës ligjore, ashtu edhe në aspektin praktik.
Formulari, që në konceptimin e tij, ishte tërësisht i gabuar. Në rast se zyrtarët policorë deklaronin se kishin përdorur aplikacionet e inkriptuar Sky/Encrochat, ata do të shkarkoheshin nga detyra.
Në rast se përgjigjeshin “Jo” në formular, por më pas zbulohej se ata kishin përdorur këto aplikacione sekrete, sërish do të shkarkoheshin nga detyra.
Ky lloj formulari u jepte mundësinë përdoruesve të “SKY” në radhët e Policisë së Shtetit që të përgjigjeshin me “Jo”, me shpresën se nuk do të zbulohen.
Dhe, në fakt, kishin një farë të drejte. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit në Shqipëri nuk kanë asnjë mekanizëm për të zbuluar përdoruesit e SKY/Encrochat.
Këto të dhëna janë siguruar nga autoritetet franceze dhe belge, të cilat ia kanë vënë pjesërisht në dispozicion Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).
Të dhënat e publikuara deri më tani dëshmojnë se shtetasit shqiptarë, përdorues të aplikacioneve SKY/Encrochat, i kanë përdorur këto metoda për të ushtruar aktivitete kriminale.
Mes këtyre bisedave gjenden, edhe pse në një numër ende të vogël deri tani, zyrtarë policorë që bashkëpunonin me grupet kriminale.
Ata zyrtarë policorë, të “kapur” deri më tani si përdorues të SKY, kanë si hall të fundit formularin Balla-Rrumbullaku. Para tyre tashmë janë tundur prangat për pjesëmarrje në grupe kriminale dhe, mashtrimi në formularin e përdorimit të aplikacioneve “të ndaluara”, është problem më i vogël i tyre.
Nga ana tjetër, e gjithë kjo situatë tregoi se “formulari çudibërës” nuk e arriti aspak qëllimin e tij.
Gjashtë muaj pasi mijëra oficerë policie u detyruan që të plotësonin dokumentin e “vetëdeklarimit”, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Policisë nuk arritën të zbulonin asnjë përdorues të SKY.
Ndërkohë që, përdorues të këtyre aplikacioneve brenda policisë ka pasur në numër të lartë, siç tregojnë të dhënat e publikuara deri më tani nga autoritetet belge e franceze dhe të tjera që pritet të dalin në javët e ardhshme.
Por, nuk do të jetë aspak çudi që, sa më shumë të mbërrijnë informacione nga Europol, aq më shumë do të mburren krerët e Rendit në Shqipëri për efikasitetin e “formularit”. /Boldnews