Gjykata e Posaçme i dha 25 ditë kohë SPAK-ut që të dorëzonte para saj një aktvlerësimi prej një grupi ekspertësh për dëmin e pretenduar prej 18 milionë lekësh në shëtitoren e Durrësit.

Sipas porosisë së gjykatës, SPAK duhet të pajtonte një ekspert inxhinier dhe një tjetër ekonomist, që do të vlerësonin se si u shkaktua dëmi prej 18 milionë lekësh në buxhetin e shtetit, nëse ka pasur një dëm të tillë.

Gjykata kërkon formulën se si u arrit në përfundimin se buxheti i shtetit u dëmtua gjatë prokurimit dhe nëse observacionet e audituesve nuk u konsideruan, cilat ishin arsyet. Vangjush Dako gjendet nën akuzë për shpërdorim për projektin e shëtitores, njohur ndryshe edhe si “Promenada” dhe për ndërtimin e një pallati, dhe së bashku me presin në gjykim paraprak edhe 10 të tjerë.

Por, 25 ditë kohë nuk mjaftuan dhe në seancën e kësaj të marte SPAK u paraqit me duart bosh. Gjykata nga ana tjetër vlerësoi tejkalimin e afateve të paraburgimit për Vangjush Dakon dhe ndryshoi masën sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie.

Vangjush Dako u arrestua me bujë në qershor të vitit të kaluar. SPAK nuk konfirmoi menjëherë akuzat, por pak ditë më pas u mësua se ndaj tij ishte ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës në dy raste. E thënë ndryshe, u mbars mali e polli një mi!

Për këtë akuzë, Vangjush Dako bëri 9 muaj në paraburgim, ndërsa kërkesat e tij për masë më të butë sigurie u refuzuan njëra pas tjetrës. Sot, koha provoi se edhe në këtë rast, masa e sigurisë e kërkuar nga SPAK nuk ishte proporcionale me akuzat e ngritura dhe rrezikshmërinë e personit.

Kjo, ndoshta është edhe arsyeja se përse SPAK korrigjoi në heshtje, duke mos kundërshtuar zbutjen e masës së sigurisë. Dako është njëri nga rastet kur prokurorët e posaçëm shpërfillin rekomandimet e Komitetit të Helsinkit për të aplikuar masa më të lehta sigurimi për personat që përballen me akuza që nuk dënohen me më shumë se 4 vite burg dhe që nuk përbëjnë rrezik për shoqërinë, apo për t’u arratisur.