Taulant Balla: Unë nuk di nëse do të kthehesa pas që në 28 Mars, kur ne kemi filluar procesin, dhe kemi pasur dëshirën që gjithmonë të ulemi, të gjithë bashkë, apo veçmas, siç kemi bërë edhe me zotin Mediu dhe me zotin Duka, edhe zonja Doda në të njëjtën linjë.
Të hënën kemi raundin e dytë për zgjedhjen e presidentit, i keni ju 20 firmat për të propozuar një kandidat në raundin e dytë? Silleni kandidatin, nëse do të ishte një kandidat unik, ju mund të sillni 3 kandidatë, por unë besoj që e dini se kemi vënë një kusht, që kandidat që vjen nga katrani me bojë nuk pranojmë. Ne nuk do të propozojmë kandidat, pa propozuar ju, ju do të propozoni, dhe ne do ta mendojmë dhe më pas do të shprehemi me votë.
Dy raundet e fundit do të propozojmë ne, sipas frymës së kushtetutës. Prandaj edhe ne po i përgjemi sot opinionit publik, ne jemi të përgatitur, kemi dy muaj që përgatitemi, kemi bërë konsultime, dhe kemi gati edhe ne një short listën tonë, por e vërteta është që në 3 raundet e para të drejtën e keni ju.
Mbase ne gjejmë kandidatin apo kandidaten në propozimet tuaja që meriton mbështetjen tonë. Kaq është Shqipëria jonë, mund të qëllojë që një nga emrat që ne e kemi në listat tona, të qëllojë edhe në propozimet tuaja. Ne nuk e kemi përjashtuar mundësinë që të jetë një person që ka qenë pjesë e politikës, por mos të jetë pjesë e grupeve parlamentare.
Deri në raundin e tretë propozoni, dhe ne do të shprehemi me votë. Nëse doni që ne të sjellim kandidaturë që në raundin e dytë apo të tretë na e thoni.