Edhe pse u shfaq si një mbështetëse e ‘zjarrtë’ e ish-kryeministrit Sali Berisha, Evi Kokalari duket se ka vendosur ta braktisë Komisionin e Rithemelimit.
Shkak për këtë janë bërë zgjedhjet e organizuara së fundmi për zgjedhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, ku emri i Kokalarit nuk figuroi në listë. Me anë të një postimi në Facebook, Kokalari shpreh zhgënjimin, teksa shkruan se po largohet nga Shqipëria pasi puna e saj këtu ka mbaruar dhe se PD do të mbetet një parti e pazareve.
“Urime kryesisë së re të PD.
Besoj se shumë janë dakord me mua kur them se puna ime në Shqipëri mbaron këtu dhe si e tillë, do ti kthehem jetës time të përditshme në Amerikë, biznesit, politikës dhe miqve. Gjithsesi një gjë nuk ndryshon; fakti që vetëm një PD vërtet konservatore do ta nxjerr Shqipërinë nga moçali i korrupsionit. Një PD e qendrës apo e qendrës së djathtë, do të jetë thjeshtë një vazhdimësi e asaj që kemi njohur dekadën e fundit, dhe do ngelet një parti e pazareve. Në kundërshtim, një PD e parimeve konservatore do të fokusohet tek populli dhe Shqipëria, dhe jo tek xhepat e saj. Duke shpresuar për më të mirën,Suksese të mëtejshme dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve”, shkruan ajo.