Jam nëna e një vajze 14 vjeçe e gjsymë dhe një djali 8 vjeç. Vjet u kthyem familjarisht nga emigracioni në Itali dhe hapëm një biznes në Tiranë. Tani në shtator regjistrova vajzën në klasë të nëntë. Duke qenë se kishte probleme me gjuhën e futëm në një shkollë private, për më shumë përkushtim nga mësuesit meqë ka dhe provime. Vajza ime është një natyrë shumë e thjeshtë, vishet vetëm me xhinse dhe bluza me kapuç. Por që kur filloi shkolla, e kam parë që rri më shumë para pasqyrës. Kreh vetullat, parfumoset, ka vënë nja 10 byzylykë në një dorë dhe kur ikën në mëngjes për tek furgoni, ikën me kokëulur të mos i shoh tualetin.

Kur e pyeta për shoqet që ka në klasë më tha që janë shumë të mira dhe ka zënë shpejt shoqëri me to, prandaj dje vajta vetë në shkollë. U skandalizova nga mënyra se si dukeshin vajzat këtu në krahasim me bashkëmoshataret e tyre në Itali. Ca me flokë të lyer, pothuajse të gjitha me grim, me vetulla të trashura, piercing e c’të të them tjetër. Shyqyr që shkolla ka uniformë se pale ç’do kishin veshur.

Thashë me vete ‘Ku u kthyem?’ Deri ca muaj më parë, vajza ime vishte akoma bluza me Topolino, tani ndryshoi si nata me ditën. Ndoshta kam merakun e nënës, por mua këto sjellje më duken shumë problem.

Që 14 vjeç kaq provokuese, këto sjellje mund t’i bëjnë të ndërtojnë marrëdhnie që tani dhe pastaj ne prindërit s’do të kemi gjë në dorë. E kuptoj që kanë qejfet e moshës, po dua të di, a ju duket normale një rritje e tillë para kohe, kur kanë aq shumë për të shijuar akoma nga kjo moshë e freskët.