Në Tiranë afër shkollës “Bajram Curri” jetojnë dy të moshuar pensionistë të cilët ankohen se janë mbifaturuar për energjinë elektrike. Gruaja e familjes Rrushani tregon se në muajin Shkurt është ndërruar matësi dhe në muajin Qershor tyre u vjen fatura 1 milionë e 900 mijë lekë. Zonja tregon se ata nuk kanë të ardhura dhe nuk përdorin as dush, as sobë. Kërkojnë ndihmë pasi kanë trokitur në shumë dyer e nuk kanë gjetur zgjidhje.
Denoncuesja: Jam Aishe Rushani, jam paguese e rregullt e energjisë elektrike. Në muajin Shkurt, na ndryshojnë matësin. Në muajin Maj na vjen një faturë 1 milionë e 950 mijë lekë.
Gazetarja: Matësin e ndryshuan sepse matësi i mëparshëm ishte me problem?
Denoncuesja: Jo, sepse u ndryshuan të gjithë matësit në atë kohë.
Gazetarja: Sa ishte konsumi që ju kishit në muaj të energjisë elektrike para muajit Shkurt?
Denoncuesja: Para muajit Shkurt, 18, 20, 30, 10.
Gazetarja: Në momentin që ne shohim librezën që ju keni paguar detyrimet tuaja ndaj OSHEE-së, shohim se pagesa që ju keni në muajin Mars, është diku tek 7 mijë lekë të vjetra. Në Prill, 8 mijë lekë të vjetra dhe më përpara po të shohim në Korrik të vitit 2021, pagesa është 10 mijë lekë të vjetra.
Gazetarja: Nga muaji Shkurt, deri më sot keni bërë ndonjë ankesë në Shërbimin ndaj Klientit apo Drejtorisë së Përgjithshme të OSHEE-së?
Denoncuesja: E kemi bërë dhe na është thënë se keni konsumuar më pak seç duhet. Ne në shtëpi jemi 2 pleq, ne në shtëpi kemi bidona me ujë, dush e gjëra nuk përdorim, kam sobë druri. Kërkojmë ndihmën tuaj sepse nuk po gjejmë zgjidhje në asnjë vend. Ku nuk kemi vajtur. Kemi 5 ditë që na i kanë prerë dritat. Çfarë bëjmë ne? Ku jetojnë këta njerëz?
“Stop” ka mësuar, se në rastin e zotit Emin Rrushani, faji është i komshiut të tij elektricist, pasi sipas përgjegjesit të zonës për OSHEE, është bërë këmbimi i sahateve. Përgjegjësi i zonës e pranon këtë, në një bisedë me kamera të fshehtë.
Përgjegjës i zonës: Mirë! Ça bëre ti?
Qytetari: Kam ktë njeriun tim ktu Exxxxx Rxxxx, ka nji problem me sahatin. I kanë ardhur dritat si mbifaturim e kshu.
Përgjegjës i zonës: Këta kanë pat kryqëzim. Ky furnizohej nga sahati i komshiut. Komshiu furnizohej nga sahati i ktij.
Qytetari: Si ka mundësi?
Përgjegjës i zonës: Edhe tani, ky ka harxhuar shumë.
Përgjegjës i zonës: Ky vetë. Po në sahatin e atij tjetrit. Ka patur kryqëzim të dhënash. Tani , ky komshiu harxhonte pak dhe i paguante, fatura e komshiut i vinte ktij. Këtij ngaqë i vinte pak lekë, e ka vazhduar e ka lëshuar. Më kupton?
Qytetari: Po ku ka ai, një frigorifer. Ke hyrë brenda, apo?
Përgjegjës i zonës: Po jo bre, jo dakord, me ça kam parë unë letrat. Se e kam parë mirë unë atë edhe tani këta kanë vajtur, kanë bërë kryqëzim dhe tashi ktë sahatin e ktij, që ka patur ky, e kanë hedhur kilovatët ktij edhe atij tjetrit, i kanë kthyer lekët mbrapsht, që ka paguar, se ka paguar ai më shumë. Faturat e këtij i paguante tjetri. Dëgjo tani! Mesa kam parë unë, nuk e zgjidh dot!
Në Laprakë Shqiponja Mërkuri tregon, se gjithmonë ka qenë paguese e rregullt e energjisë elektrike. Por në shkurt është mbifaturuar me një shumë prej 3 milionë e 700 mijë lekësh, që sot është bërë 5 milionë lekë të vjetra. Zonja pretendon, se gjithcka ka ardhur për faj të faturistit dhe ky i fundit e pranon fajin.
Denoncuesja: Kam problem me sahatin. Në Shkurt të vitit 2021, më ka ardhur fatura 3 milionë e 800 mijë lekë. Marr faturuesin në telefon dhe më thotë “është gabim, kjo do të hiqet pa problem, shko bëj një ankesë”. Dhe kur djali ka shkuar të bëjë një ankesë, pastaj pres për përgjigje 1 vit nuk më vinte përgjigjja. E kam bërë në Prill 2021. Pres për përgjigjen , shkoj 2-3 herë dhe pyes a ka ardhur përgjigjja. Më vjen kjo përgjigje ku thuhet: Kjo pagesë është për vitin 2011 deri në 2014 se ju jeni faturuar me zero. Nuk më është ofruar asnjëlloj zgjidhjeje. Te Drejtoria e Përgjithshme më thanë se këto që i ke, do t’i paguash. Sot, shuma totale që duhet të paguajmë është 5 milionë e 700. Kërkoj ndihmën tuaj se unë nuk mund t’i paguaj se jam nënë me 3 fëmijë jetimë dhe nuk e kam bashkëshortin.
Në rastin e zonjës Shqiponja, faji është i faturistit i cili e pranon se ka bërë gabim.
Djali: Dëgjo! Unë jam çuni i familjes Mërkuri, që ke bërë një faturë gabim. Neve nga ty na duhet një letër, sepse gabimi është i joti, apo jo?
Faturuesi: Po atë e kemi mbyllur me kohë e me vakt, more djalë. Po e sqarova domethënë. Ishte bërë gabim. Vajtëm e verifikuam dhe u ul, iku ajo. U mbyll si çështje.
Djali: Po kush e boni gabimin?
Faturuesi: Po unë e kisha bërë gabim.