Ish-kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, foli për marrëdhënien mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores së SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.
Topalli e quajti një sjellje ndryshe atë të Ramës ndaj Kim, teksa përmendi dy ngjarje që ndodhën së fundmi në vendin tonë, së pari lajmërimi i Ministrisë së Jashtme se kanë nisur procedurat për zëvendësimin e ambasadores. Dhe së dyti, ajo që ndodhi në Parlament në seancën e fundit plenare, ku nuk u votua Ardian Dvorani si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
“Brenda 10 ditëve kemi një sjellje ndryshe të Kryeministrit Rama, në mënyrë të veçantë ndaj ambasadores amerikane. Për shembull para dhjetë ditësh, Ministria e Punëve të Jashtme, sigurisht me urdhër të Edi Ramës, lajmërimi që do të largohej ambasadorja amerikane ishte gjëja më joserioze. Ajo është një procedurë që zhvillohet vetëm në Departamentin e Shtetit dhe Ministria jonë e Jashtme nuk ka asnjë lidhje, aq më pak që të bëjë një qëndrim publik. Ishte e turpshme, por ai ishte një mesazh i Kryeministrit Rama ndaj ambasadores.
Dje ishte mesazhi i dytë mendoj unë. Edi Rama e kishte vendosur për të mos e votuar Dvoranin, sepse po të donte, ai do ti gjente votat siç i ka gjetur ato herët e tjera tek ato miqtë e tij. Dvoranin, që Departamenti i Shtetit e kishte shpallur kampion anti-korrupsioni. Çudia më e madhe me thënë të drejtën, unë di që ka qenë hetues edhe në kohët më të vështira dhe ishte fyerje në fakt”, tha Topalli për marrëdhënien e kryeministrit Rama me ambasadoren Yuri Kim
Ish-kryeparlamentarja në një “Intervistë me Merita Haklaj” në “A2CNN”, deklaroi gjithashtu se në vendin tonë ndodhin çudira, teksa përmendi edhe emërimin në krye të SPAK të Altin Dumanit, ndërsa kujtoi edhe atë që ndodhi gjatë intervistimit të kandidatëve, kur ambasadorja amerikane u paraqit në sallë pak para se të zhvillohej votimi që do të zgjidhte kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme.
“Gjëja është për ta parë në një prizëm tjetër se çfarë po ndodh në raportet mes tyre. Çudira të mëdha ndodhin në Shqipëri. A dini ju ndonjë vend të botës që ambasadori të shkojë direkt sapo nisin zgjedhjet për kreun e SPAK, që duhet të bëhen me votim të fshehtë, por bëhen me votim të hapur. A dini ndonjë vend të botës ku kryetari i SHIK-ut ikën një vit me studime dhe këtu shërbimet e inteligjencës në kohë lufte nuk janë në shërbim. A di ndonjë vend tjetër të botës që ka qëndruar gati dy vite pa Gjykatë Kushtetuese. A di ndonjë vend që nuk ka fare gjykatë të parë, sepse nuk funksionon as Administrativja, as Gjykata e Lartë. A mund të më thotë kush se vërtet e beson se Reforma në Drejtësi ka funksionuar. Po nuk gënjehet kështu. Ky është një eksperiment i pamerituar për shqiptarët, me pasoja të rënda për vendin tonë, ky është realiteti”, tha Topalli për emërimin e kreut të SPAK dhe mosfunksionimin e SHISH dhe gjykatave.