Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në Prizren të Kosovës.
Disa të rinj nga Kukësi janë përplasur me armë zjarri pas sherrit në një lokal nate me disa të rinj nga Kosova.
Mësohet se autori i krimit të rëndë ka qenë pronari i lokalit Dibran Hoxha, një person i njohur për publikun me pseudonimin “Kobra”.
Viktimë e të shtënave me armë zjarri nga Dibran Hoxha, ka mbetur 31-vjeçari nga Kukësi Visart Cengu, ndërsa i plagosur ka mbetur 27-vjeçari Rufgen Shehu, i cili ndodhet në spitalin e Kukësit jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa personi i tretë që ndodhej në makinë me ta ka qenë Arben Basha.
Mësohet se tre të rinjtë nga Kukësi janë konfliktuar fizikisht me grushte me Dibran Hoxhajn në lokalin “Kobra” të këtij të fundit. Dhe pas daljes nga lokali, një person ka qëlluar me armë në drejtim të mjetit të tyre.
Arben Basha dhe Rufgen Shehu kanë deklaruar në Morinë tek Policia Kufitare dhe më pas te grupi hetimor i Policisë së Kukësit që u ngrit për këtë rast se dyshojnë se i ka qëlluar Dibran Hoxha.
Grupi hetimor i Kukësit vijon veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.