6 muaj i janë dashur Albano Velos që të marrë hak për vrasjen e shokut të tij Aleksandër Sadikaj, i ekzekutuar në qershor 2022.
30-vjeçari nga Këlcyra, Përmet është vënë në pranga nga policia e Tiranës pasi organizoi atentatin dhe kreu ekzekutimin e Edmond Papës më 16 dhjetor pranë një lokali në kryeqytet. Ai kishte monitoruar lëvizjet e tij dhe duket se ka pritur që të vijë në Shqipëri për ta vrarë në bashkëpunim me 44-vjeçarin e identifikuar si A.B., banues në Tiranë. Ky i fundit është shpallur në kërkim si bashkëautor i vrasjes së Papës.
Autorët e kanë ndjekur për disa ditë Edmond Papën, para dhe ditën e ngjarjes deri në realizimin e krimit pranë një lokali. Në kuadër të operacionit ‘Eagle Eyes’, forcat blu kanë sekuestruar kamerat e sigurisë dhe automjetin tip ‘Audi’ të përdorur nga autorët e dyshuar para dhe pas krimit. Po ashtu u sekuestruan edhe 3 aparate celular. Para hetuesve të policisë, Albano Velo ka mohuar autorësinë e vrasjes.
Ende mbetet e paqartë lidhja e Papës me Sadikajn dhe nëse në mes është përfshirë ndonjë konflikt për pazaret e drogës. Një nga pistat e dyshuara për vrasjen e Papës është raportuar larja e hesapeve për një sasi prej 700 kg kanabis që solli edhe ekzekutimin e 2 shqiptarëve Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organaja në Athinë. Urdhri dyshohet se u dha nga Klodian Lekocaj, i burgosur në Greqi. Por pas lidhjes së Sadikajt me autorin e vrasjes së Papës, kjo pistë mund të rrëzohet.
Si u vra Edmond Papa?
49-vjeçari Edmond Papa, u qëllua rreth orës 16:30 në zonën e Selitës në Tiranë, teksa ishte në një lokal aty pranë, në rrugën “Fadil Bodinaku”. 49-vjeçari u dërgua në spital, por nuk arriti që t’u mbijetonte plagëve të marra. Në momentet që është afruar në ambientet e jashtme të lokalit Papa ka reaguar dhe ka qëlluar në drejtim të tij me mjetet që ka pasur përpara, tavëll duhani dhe të tjera. Në këtë moment një nga autorët ka qëlluar me plumba pistolete 9 herë dhe menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes. Edmond Papa ishte me precedent në Greqi, i dënuar për trafik droge si dhe i skeduar më parë në Britani të Madhe. Sipas burimeve, ai kishte pak kohë që kishte ardhur në Shqipëri ndërsa në Tiranë ndodhej për të shoqëruar nënën për disa vizita mjekësore. Viktima ishte pronar i hotel ‘Blue Sky’ në Sarandë.
Si u vra Aleksandër Sadikaj?
Më 11 qershor, 27 vjeçari Aleksandër Sadikaj, pronar i një resorti me pistë hipizmi në Memaliaj, ishte nisur drejt qytetit të tij, por në aksin Sauk-TEG, makina me targa AB077PO me të cilën ai po lëvizte shpërtheu, si rrjedhojë e sasisë së tritolit. Bomba me celulare dyshohet se i është vendosur nga persona që kishin akses te makina. Nga shpërthimi Sadikaj humbi 2 gjymtyrët e poshtëm, këmbët, dhe ia doli që të dilte vetë nga makina e të dërgohej në spital, por nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të rënda.