Nga Alfred Lela

Shqipëria ka talent. Ajo mund ta vrasë një ngjarje duke e hedhur në fund të oqeanit të harresës, ose ta kryqëzojë duke e mbajtur, për ditë me radhë, në sytë e një turme që aq magjepset nga pretekstet morale, që jep po vetë për të ngulurin në hurin e linçimit publik, sa rri e kundron, me dorën nën mjekër, në pozën e përhumbur të atij që, mazeallah, nuk po merr pjesë në krim, por në një filozofi.

Dy ngjarje, që i ndajnë pak muaj nga njëra tjetra, e rëndojë kalendarin e hipokrizisë së përbashkët shoqërore. Më e reja, arrestimi në Itali i këngëtares Elsa Lila, një enfant prodige i këngës moderne, e akuzuar për pjesëmarrje në një grup të trafikimit të lëndëve narkotike. Statusi prej ylli i këngëtares, merr një pjesë të ngarkesës për reagimin e fortë dhe të gjerë mbi lajmin në fjalë, që e zhvendoste shqiptaren e re nga qilimi i kuq i Sanremos, te tabela e turpit e prangave italiane. Një shtresë të dytë të reagimit duhet t’ja faturojmë një naiviteti politik, apo bindjeje, apo protagonzimi, të Elsa Lilës, që u shfaq në krah të Edi Ramës dhe socialistëve të tij, në grevën e urisë, shoqëruar me çadër bulevardeske, në vitin 2010. Nuk mund ta ndash, sigurisht, se cili peshon më shumë te tërbimi publik, naiviteti i përfshirjes politike apo gabimi i pjesëmarrjes në tregti narkotikësh. Apo është statusi i një ylli të rrëzuar-rënien e të cilit nuk mund ta shoqërosh me një shprehje dëshire-, mu te këmbët e atyre që, për gjatë, më shumë gjatë se mund të mbahet mend, e kanë çuar jetën te këmbët e jetës?

Nuk është reagimi, i cili në varësi të formës, mund të përligjet, se sa është cinizmi, një skërmitje dhëmbësh, një schadenfreude (gëzim nga fatkeqësia e tjetrit), që e bëjnë rastin Lila të t’i shtyjë supet lart për nga poza e habisë. Ajo që bie më shumë në sy, të paktën në sytë e autorit të këtyre radhëve, është se ne, si grupe shoqërore apo shoqëri, jemi më të gatshëm të shqyejmë të ngjashmit tanë se sa krejt të përkundërtit. Elsa Lila është një fëmijë i tranzicionit të vështirë shqiptar. Ajo është temperuar, ashtu vajzë e vogël dhe e brishtë, siç e mbajmë mend nga “Pyes lotin” në Festivalin e Këngës ‘96, është trandur shpirtërisht e psikologjikisht nga kudhra e pamëshirshme e goditjeve të rënda të Shqipërisë së këtyre 32 viteve. Me një fatkeqësi më shumë, vrasjen e nënës, ajo është njëra prej nesh, secili prej nesh. Me ëndrrën e majës, me dramën e mërgimit, me traumën e një familjeje të ndarë, me veten e copëtuar mes mëmëdheut të origjinës dhe atdheut të adoptuar, ajo bëhet, papritur e pakujtuar, ose krejtësisht pritur e kujtuar, enfant terrible i një periudhe tranzitore në shoqëri dhe histori.

Pse, atëherë, pikërisht ky engjëll i rënë është edhe shënjestër më e ngritur, më e lehtë për shenjën tahmaqare të shqiptarit të mesëm apo atij vulgar? Nëse kjo kërkon një studim sociologjik, gjë që del jashtë kapaciteteve dhe gatishmërisë së këtij shkrimi, është një rast antitezë që na e shërben përgjigjen, ose të paktën një siluetë të saj.

Si sillen, shqiptari i mesëm apo ai i vulgut, me një rast tjetër të trafikut të substancave narkotike. Më 2 janar të këtij viti, një ngarkesë kokaine prej 119 kg, u kap në kontejnerin e një kompanie shqiptare, e famshme për Bana King, bananen që ka mbushur me reklamë hapësirën publictare të emisioneve kryesore në vend. Si pasojë, lajmi për ngarkesën me kokainë u dha pjesërisht, ashtu kokëprerë, duke lënë jashtë emrin e kompanisë-mëmë, por edhe markën e bananeve. Aryeja, më shumë se moscënimin e brandi-t kishte të bënte me faktin se, reklama në Shqipëri nuk është një operacion tregtar i mirëfilltë, por një blerje e heshtjes së medias. Kur një kompani jep reklamë, e bën që, në rast publiciteti të keq, pra të daljes në dritë të një lajmi negativ, media që ka reklame dhe është paguar për të, në më të paktën, nuk duhet ta japë lajmin.

Kështu ndodhi edhe me drogën e Bana King. Ky episod nuk mund të parkohet vetëm në oborrin e standardeve të medias. Reklamën e Bana King e bën një personazh shumë i njohur, më popullor se Elsa Lila në Shqipëri, me një përpjekje për famë edhe në Itali, ashtu si ajo. As kompania nuk e hoqi reklamën nga media, as mediat nuk e ndërprenë reklamën e Bana King, dhe as këngëtari i kthyer në shoëman nuk u distancua nga firma Zico që e tregtonte këtë mall, bënte këtë reklamë, me sa duket si  hije për aktivitetin e paligjshëm, në të cilin edhe nëse nuk ishte e përfshirë u fut nën hetim.

Çfarë do të kishte ndodhur në Itali në një rast të tillë? Është përsëritëse të thuhet se reklama do të ishte hequr menjëherë, deri në sqarimin e plotë të ngjarjes, dhe cilido artist që do të shfaqej në publicitetin e një firme që dyshohet për trafik ndërkombëtar droge, do të ishte  tërhequr nga reclama dhe do të ishte distancuar nga firma produktin e së cilës deri dje mburrte para publikut.

Çka zbulon ky standard i ndryshëm sjelljeje në rastin Lila dhe Bana King, është se turma bëhet më e zëshme sa më i pambrojur të jetë shkelësi apo fajtori. Elsa Lila nuk kishte askënd në krah, hiq kujtimin e mirë të këngëve në festivalet e fundvitit, apo atë lagien kolektive të shqiptarëve për bashkëatdhetaren që ia mbërrin të konkurojë në Sanremo. Por, nuk mjaftuan as njëra dhe as tjetra, para sensacionit që siguroka ajo që mund të quhet në pop gjuhë si ‘rënie nga vakti’. Elsa nuk ishte më dikush me të cilën mund të mburreshim para italianëve apo bashkëtdhetarëve në kafenetë e Shqipërisë, madje-madje ajo kishte bërë gabimin e pafalshëm të zhbërjes së modelit te i cili nuk besojmë, por e duam, apo e krijojmë sa për të ngrohur mjerimin e ftohtë të skutave tona shpirtërore. Modeli te i cili realisht besojmë është ai i Bana King, jo vetëm i bananes si mall që hahet, shitet e sjell fitime, por edhe i drogës që fshihet pas profilit të biznesit dhe njeriut mbas biznesit. Pronarë mediash, gazetarë, artistë, mendimtarë të Facebook-ut, intelektulë të hurit e të litarit, nuk dalin për ta polemizuar apo dënuar këtë model, sepse ai ka fuqi fiananciare, reklamon, blen, shet, favorizon, jep duke marrë, por ajo çka merr, duke qenë se është e palëndë, nuk bie në sy. Bëhet fjalë për turpin ose mungesën e tij shoqërore.

Elsa e shkretë ky yll ‘rënë nga vakti’, nga poster girl bëhet collective whore. Dhe i gjuajnë me radhë: kurvat e reja të Bllokut, horrat që paguajnë për silikonin për pjeshkat e kthyera në komposto, gazetarët e mexhlisit, artistët e pjacës, inatçinjtë parapolitikë dhe populli ynë që, prej kaq shumë kohësh, del e hyn në shqotat e trimërisë dhe legjendës, sa nuk është më popull, por dishepulli në kërkim të engjëjve të rënë dhe barabave shpëtimtarë./Politiko.al/