Nga Julian Hoxhaj
Ky drafti për kolaudimin e pallateve që janë mbi 50 vjet, do të jetë një megaskemë për pastrimin e parave në vijim. Nëse kjo skemë do të vihet në jetë, ka disa arsye:
1- Hapja e shesheve të reja të ndërtimit për oligarkët dhe pastrimin e parave të krimit. Imagjinoni gjithë pallatet anës Lanës, pallatet e vjetra në zemër të bllokut dhe gjithë unazën e vogël. Do shemben dhe do hapen sipërfaqe pafund për ndërtime të reja. Këtu shteti del super i fituar mbi kurrizin e qytetarëve, pasi vjel një seri taksash deri te leja e ndërtimit, e po ashtu kënaq lukuninë e ndërtuesve.
2- Njerëzit që do shpërngulen nga pallatet e vjetra do shkojnë në ato 20 mijë apartamente bosh që janë aktualisht në Tiranë. Edhe këtu shteti bën një super gol në të ardhurat e buxhetit nga taksat mbi pronën, por njëkohësisht u ofron para kesh të gjithë ndërtuesve që i kanë pallatet pa shitur.
Po këta ndërtues, pasi të strehojnë mijëra familje, do kenë para në dorë për të ndërtuar përsëri mbi rrënojat e pallateve të vjetra. Këtu në fakt qeveria u bën një nder të madh atyre që kanë pastruar paratë e krimit në ndërtim, ata robt fillojnë të venë lavatriçen në punë dhe nga narkondërtues kthehen në biznesmenë, pasi marrin pas para të pastra të familjeve shqiptare në Tiranë.
3- Siguria e apartamenteve do shërbejë si kërrbaç për këdo që mendon ndryshe qeverisë. Patronazhistët do bëjnë namin si qëmoti nëpër blloqe pallatesh. Nëse ti nuk voton PS, të del në mëngjes patronazhisti me shiritin “skenë krimi” dhe të vjen fadroma e Dallandyshes pas dy orësh ta hedh në tokë.
4- Qeveria do e zbatojë planin hap pas hapi. Kjo është lojë e madhe, qëllimin e ka elektoral dhe financiar (këto që thashë më sipër). Këta nuk do bëjnë kolaudim të çdo ndërtese brenda ditës, por do i marrin me rradhë. Do godasin aty ku ka më shumë kryeneçësi. Fap fap fap, do firmosen letrat dhe njerëzve do u shkojë Zisi poshtë ballkonit për të ngarkuar plaçkat. Nuk do ketë dallim të madh si nga diktatura.
5- Kjo do zhysi bankat, do rrisë pasigurinë për pronën. E sigurt që pas daljes në dritë të këtij ligjit, vlera e pallateve të vjetra do bjerë përtokë. Nuk do blejë më njeri apartamente aty, se nuk e di si zgjohet kryeministri në mëngjes dhe i çon fadromën gjithë pallatit. Këtu dalim prapë tek ajo pika 2.
Njerëzit do detyrohen të shkojnë të blejnë tani e tutje apartamente me 1500 euro metrin katror atje majë ferrave në Fresk. Do shkojnë nëpër cepat e Kombinatit dhe do blejnë 50 m2 nëpër komplekset e këtyre oligarkëve, se këto pallatet e vjetra nuk japin më garanci. Pra, këtu prapë u bën nder ndërtuesve qeveria, ua çon ujqërve melçitë te gryka.
6- Tani, këto pronat nëpër pallatet e vjetra nuk do shërbejnë më as si kolateral. Nuk do ketë bankë në Shqipëri që do pranojë kolateral një apartament në pallat 50 vjeçar, se nuk e di si ia thotë mendja Ramës. Këtu prapë djalli fshihet nën rreshta. Qeveria bën dy lëvizje: në favor të saj dhe oligarkëve të ndërtimit dhe në dëm të qytetarëve. Si është kjo do thoni ju, e thjeshtë fare. Pronarëve aktualë të apartamenteve në këto pallate do u zhvlerësohet prona. Në rastin më të mirë, qeveria do shkojë do u japë ndonjë hyrje 1+1 andej nga Astiri apo Fresku dhe në rastin tjetër para kesh me vlerën e 30 viteve më parë. Nga ana tjetër, pas shembjes, vlera e truallit të këtyre pallateve do shkojë 5000 euro metri katror. Pra, këtu qeveria që del nga hiçi pronare e tokës, do ia japë oligarkëve të ndërtimit sa ti dojë kokrra e qejfit atë truallin kur dikur ndërtohej një pallat pesë katësh.
Kështu shteti të bën atë që nuk thuhet!