Vëllai i Dan Hutrës, autori i tre vrasjeve pak ditë më parë në Tiranë, ka dhënë një intervistë për News24. Ai ka kërkuar falje publike familjeve të viktimave, ndërsa sqaron se me të vëllanë ka shumë vite që nuk flet as ai dhe asnjë nga familja e tij.
Ndër të tjera ai u shpreh se komunikimi i tij i fundit me Dan Hutrën ka qenë në vitin 2006, teksa kujton se i ka kërkuar ose të ndryshojë rrugë, ose ta harrojë familjen e tij.
Sipas tij arsyeja që ka ikur të jetojë jashtë Shqipërisë dhe ka marrë dhe vëllanë tjetër ka qenë frika se mos Dan Hutra i eliminonte edhe ata, sepse kurrë nuk i kishin shkuar në burg apo sepse nuk ishin interesuar.
Po ashtu, ai i bën apel drejtësisë që t’i japë atij dënimin më maksimal, ndërsa shton se “me këta gjykatës të korruptuar kam frikë se do dalë prapë nga burgu”.
Intervista e plotë:
Gazetari Igli Çelmeta: Ju jeni vëllai i Dan Hutrës, pse kërkuat të flisnit, çfarë doni të thoni?
Vëllai i Dan Hutrës: Në radhë të parë dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe të thella që dalin nga zemra e një njeriu familjarëve të viktimave, që humbën jetën krejt kot tre vajza në lule të jetës. Kjo ishte një masakër, që masakra të tilla unë 45 vjeç kam përjetuar vetëm në vitet kur serbi ka bërë mbi kosovarët. E dyta ai kriminel ai është vëllai, por më nuk është vëllai im edhe kush më njeh, e di që prej vrasjes së parë që ka bërë ne e kemi mohuar si vëlla
Gazetari Igli Çelmeta: Pra në vitin 2007 kur Dan Hutra vrau gruan e parë, ju keni shkëputur kontaktet me vëllain tuaj?
Vëllai i Dan Hutrës: Unë edhe vëllai tjetër. Edhe kur kam biseduar me familjarët e viktimës së parë, i kam thënë që ai nuk është më vëllai im, për mua të veprojë drejtësia, të veprojë kush të dojë për mua nuk më intereson se çfarë bëhet me atë njeri, se jetën ta ka dhënë Zoti dhe ta merr vetëm Zoti dhe jo njeriu.
Gazetari Igli Çelmeta: Dan Hutra është dënuar për herë të parë në vitin 2003, me dy vite burgim, çfarë di për këtë rast dhe pse u dënua?
Vëllai i Dan Hutrës: Këtu dua të ndalem sepse edhe mediat, më vjen shumë keq ka edhe gazetarë që për të mbushur emisionin e vet hedh shumë baltë. Në vitin 2003 Dan Hutra është dënuar se ka mbyllur nënën dhe njërën prej kunatave në dhomë që të mos lajmërojnë policinë. Për dhunim dhe jo për përdhunim, sepse përdhunim është marrëdhënie seksuale, është dënuar për dhunim
Gazetari Igli Çelmeta: Pra në vitin 2003 është dënuar për dhunim
Vëllai i Dan Hutrës: Jo për përdhunim, për dhunë.
Gazetari Igli Çelmeta: Për dhunë, po e kuptoj.
Vëllai i Dan Hutrës: Për dhunë dhe atij i është vënë si përdhunim dhe nëse është përdhunim kapni atë gjykatës çojeni në vend të atij kriminelit sepse për përdhunim duhet të marrë nga 7 deri 15 vite burg siç e thotë ligji shqiptar dhe jo dy vite sa është dënuar ai.
Gazetari Igli Çelmeta: Pas këtij krimi që është dënuar me dy vite burg, ai është dënuar në vitin 2007 kur vrau gruan e parë në mënyrë mizore, çfarë di, çfarë konflikti kishte Dan Hutra me gruan e parë? Përse e kreu krimin makabër?
Vëllai i Dan Hutrës: Unë dhe vëllai tjetër as nuk jemi marrë, as nuk kemi pasur qenë takuar me familjarët e saj, as nuk kam fol kurrë, vetëm pas ngjarjes i kam marrë për ngushëllime familjarët edhe i kam thënë për ne jeni të lirë, të veprojë drejtësia.
Gazetari Igli Çelmeta: Si e njihni vëllain tuaj Dan Hutrën, si ishte në familje, a ishte i dhunshëm?
Vëllai i Dan Hutrës: Kurrë nuk bëri familje ai, për atë punë e mohova se njeriu kur nuk krijon familje dhe nuk i nënshtrohet rregullave të familjes, të gjithë vuajmë për një familje, të gjithë punojmë për të ndërtuar një familje, ai kurrë nuk u përkushtua dhe i thashë ti nuk je vëllai im sepse nuk je në gjendje të mbash një familje, nuk je në gjendje të krijosh një familje. Nuk jam interesuar kurrë, kurrë, as kur ka rënë në burg, as se si ka shkuar burgu, as se si ka shkuar gjyqi, kurrë nuk kam marrë asnjë informacion dhe nuk jam interesuar të marr një informacion.
Gazetari Igli Çelmeta: Kur e keni takuar për herë të fundit vëllain tuaj?
Vëllai i Dan Hutrës: Vëllain tim për herë të fundit e kam takuar në vitin 2006.
Gazetari Igli Çelmeta: Cili ka qenë komunikimi juaj i fundit me vëllain tuaj, çfarë i keni thënë?
Vëllai i Dan Hutrës: Komunikimi i fundit ka qenë, ose ndrysho rrugë, ose harromë mua. Ndrysho rrugë dhe kthehu jetës ose harromë mua se nuk më ke asgjë.
Gazetari Igli Çelmeta: Çfarë jete ka bërë Dan Hutra, a kishte probleme ai, a kishte lidhje me grupe kriminale?
Vëllai i Dan Hutrës: Nuk jam në dijeni, atë ta gjejë drejtësia. Ato rroba firmato, ato lekë që ai jepte, ato gjykatës që për t’u pasuruar ato nxjerrin kriminela nga burgu. Prokurori për t’u pasuruar nxjerr kriminelin nga burgu. Një fukara vjedh energji se nuk ka ta paguajë, shkon e bën tre vjet burg, një që nxjerr një ndërtim pa leje për të mbuluar kokën e kalamajve, shkon në burg dhe ngelet në burg i shkreti se nuk ka lekë për t’i dhënë prokurorit dhe gjykatësit, kurse krimineli vret, masakron dhe del nga burgu, kjo është fatkeqësia e shqiptarit, se është gjynah për një Shqipëri që është aq e vogël dhe të vuajmë të tilla gjëra. Ai kriminel me të vërtetë vrau tre bija nënash dhe thau katër zemra se katër ka vrarë ai, katër zemra nënash i thau, por ama ka vrarë edhe 12 të tjerë që janë pa varrosur. Ne jemi të vrarë, por jemi të pavarrosur, nuk na fut kush në dhe, ka vrarë edhe 12 të tjerë, jemi të pavarrosur.
Gazetari Igli Çelmeta: Nga informacionet që keni ju, pas daljes nga burgu për vrasjen e gruas së parë, me çfarë merrej Dan Hutra, çfarë jete bënte ai, a kishte kontakt me familjarë të tjerë?
Vëllai i Dan Hutrës: Unë të them me gjithë sinqeritetin më të madh me gjithë vëllain tjetër që kemi ikur, vëllain tjetër e kam marrë nga frika, kur doli nga burgi Dan Hutra, e kam transferuar nga Shqipëria sepse po të na shikonte neve ai do na linte ai? Të parët kemi qenë ne në listë se pse nuk e kemi ndihmuar dhe ndjekur në burg, të parët kemi qenë ne në listë për atë, do na eleminonte të parin.
Gazetari Igli Çelmeta: Ju thoni, ju vetë familja kishit konflikte me Dan Hutrën?
Vëllai i Dan Hutrës: Jo konflikte, por ngaqë nuk e kishim distancuar dhe arsye e vetme që kam tërhequr vëllain tjetër me gjithë familje vetëm nga frika që një ditë do ta pësonte siç e pësuan viktimat e pafajshme.
Gazetari Igli Çelmeta: Në gjykatë Dan Hutra ka deklaruar se nuk është penduar për krimet që ka bërë, madje ka dhënë edhe detaje të rënda se si i ka kryer këto krime, si e gjykoni deklartatën e tij?
Vëllai i Dan Hutrës: Ai vetëm njeri nuk është ai, vetëm gjak nuk ka. Ka ndjerë keqardhje gjithë Shqipëria për atë që bëri, nuk ka gjak ai njeri. Për t’u larë ato viktima, ai kriminel me gjithë gjykatësin duhet të paraqiten para familjarëve, po qajnë katër nëna (përlotet)
Gazetari Igli Çelmeta: Ju kuptoj, e di që është një moment shumë i vështirë për ju dhe familjen tuaj, pasi është një ngjarje shumë e rëndë që ka tronditur gjithë Shqipërinë?
Vëllai i Dan Hutrës: Nuk mendon kush për ata nëna, kam fëmijë vetë (përlotet) imagjinoj fëmijët e mi, të më ndodhë në fëmijën tim, por nuk kemi drejtësi, gjykatësi për të mbushur xhepin e vet, nuk i intereson se çfarë do bëjë ai kriminel, i gjen arsyet dhe i thotë me sill këtë letër vetëm për t’i ulur dënimin dhe për ta nxjerrë jashtë nga burgu. Lodhet polici i shkretë që merr 500 mijë lekë rrogë dhe vë jetën në rrezik për ta kapur kriminelin dhe pas dy javësh e sheh sërish të lirë nëpër qytet.
Gazetari Igli Çelmeta: Çfarë di në lidhje me konfliktin që kishte familja Hysa dhe vajza e tyre Elena Hysa lidhur me vëllain tuaj Dan Hutra, keni dijeni?
Vëllai i Dan Hutrës: Nuk kam asnjë lidhje, asnjë informacion. Më vjen shumë keq, shpirtërisht me dhimbjen më të madhe, nuk kam fjalë që ta shpreh, jam me to, me dhimbjen e tyre, e di çfarë dhimbje kanë se të thashë kam fëmijë vetë.
Gazetari Igli Çelmeta: Pra ju keni shkëputur çdo lloj marrëdhënie me vëllain tuaj, Dan Hutra dhe siç e thatë edhe më parë nuk e quani më vëllain tuaj?
Vëllai i Dan Hutrës: Kush më njeh mua e dinë të gjithë se unë që në 2007 nuk e quaj vëllanë tim, që në momentin e fundit që i kam thënë ose ndrysho rrugë ose për mua harromë. Dan Hutra kur ka bërë vrasjen e parë të vajzës së pafajshme, unë kam qarë tërë ditën dhe kanë ardhur njerëzit më ka thënë “çfarë ke?”, më ka vdekur i kam thënë vëllai, por jo më thoshin e ka kapur policia është në burg, për mua ka vdekur sot.
Gazetari Igli Çelmeta: Ti si vëllai i Dan Hutrës, çfarë apeli i bën drejtësisë shqiptare, për një person që në 20 vite i ka marrë jetën 4 grave dhe ka plagosur 3 të tjera?
Vëllai i Dan Hutrës: Drejtësisë i bëj thirrje në rast se kanë kalamaj dhe e dinë çfarë do të thotë të humbësh një fëmijë, të gjykojnë me ligjin dhe jo me xhepin. Të gjykojnë siç e meriton krimineli, po na çojnë 40 vite mbrapa të kërkojmë Enver Hoxhën, ngrehu Enver dhe vari siç i varte edhe nuk kishte as gjakmarrje, as hakmarrje dhe nuk u shtonin vrasjet.
Gazetari Igli Çelmeta: Çfarë dënimi mendoni se duhet të marrë vëllai juaj?
Vëllai i Dan Hutrës: Nuk mund ta përshkruaj, atë po ta djegësh, po ta shohësh në zjarr dhe t’i hedhësh edhe një çik benzinë më shumë që të digjet më shpejt. Ku ka dënim, më vjen keq, ishalla nuk ndodh dhe e lirojnë prapë, por me këto gjykatësa që kemi, ai një ditë do jetë jashtë, unë kam shumë frikë që një ditë do dalë prapë jashtë ai kriminel. Me këto gjykatësa që marrin lekë, unë kam shumë frikë që ai një ditë do të arrijë të dalë jashtë. Kur ai sot duhet të ishte i varrosur bashkë me ato që i ka vrarë pa faj. I bëj apel drejtësisë të mos merren me punë të kota, në radhë të parë të vendosin drejtësinë, krimineli ndëshkohet, jo vetëm dënohet, ndëshkohet, ndëshkim maksimal. Jetën ta ka dhënë vetëm Zoti dhe ta merr vetëm Zoti.
Gazetari Igli Çelmeta: Ju e njihni Rrahman Selën?
Vëllai i Dan Hutrës: Po si nuk e njoh, nuk ka edhe nuk ekzistuar asgjë. Ai ka familjen e vet, i kërkoj falje publikisht Rrahman Selës që i ka dalë emri në televizor. Nuk kam asnjë gjë me atë, po te kisha do e kisha sqaruar me Rrahmanin këtu e 23 vite më parë, kaq kisha për të thënë. Edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta dhe një falje publike unë dhe vëllai im tjetër, për familjarët e viktimave të pafajshme. O Zot do Zoti ishalla nuk shohim dhe nuk dëgjojmë gjëra të tilla më.
Gazetari Igli Çelmeta: Një mesazh shumë domethënës për një ngjarje shumë shumë të rëndë që ka tronditur gjithë vendin. Të falenderoj për intervistën.