Më shumë se 6 muaj që protestojnë e trokasin në dyer të ndryshme, banorët e Bërxullës kërkojnë zgjidhje për pronat e tyre.

Këtë të enjte kanë shkuar pranë zyrave të Kadastrës së Tiranë dhe duan të futen brenda në mënyrë që të marrin një përgjigje për vlerësimin e pronave të tyre.

Ata janë shprehur se nuk janë kundër ndërtimit të autostradës Thumanë-Kashar por duan shpronësime të drejta. Sipas tyre, kompania Gener 2 ka nisur punën në terren por dëmshpërblimi i ofruar është qesharak.

Para zyrave të Kadastrës, banorët shprehen se po i soset durimi me paligjshmërinë që po i bëhet dhe pretendon se në zyrat e Kadastrës nuk bëjnë asnjë veprim pa ryshfet.

Teksa janë shtyrë me policinë private, e cila është vendosur para këtij institucioni, banorët kanë lëshuar akuza në drejtim të zyrtarëve të Hipotekës, duke i quajtur kriminelë.

Ndërkohë, policët kanë debatuar me banorët, ndërsa i sugjerojnë që të largohen nga godina, duke iu bërë thirrje që të ikin nga prona private. “Ikni, mos thyeni. Ju lutem, se po mbrojmë pronën private”.

Nga ana tjetër një protestues iu bëri thirrje policëve që të hapin derën duke thënë; mos mbroni hajdutët. Duam takim me drejtorin. S’kemi ardhur të thyejmë pronën, por duam të flasim dhe të kemi një përgjigje”.

Protestuesi: Ju si polici private e keni marrë në ruajtje këtë objekt?
Polici privat: Po e kemi marrë. Është ambient tregtar.
Banorët: Çfarë shitet aty?
Protestuesi: Aty është kupola drejtuese që merret me pronat.
Polici privat: Qetësohuni, mos përdorni dhunë. Ne do bisedojmë. Të vijë një përfaqësi prej 2 vetash dhe t’ju çojmë lart. Mos përdorni dhunë.