Janë zbardhur detaje të reja nga hetimet për zbardhjen e zhdukjes së 46-vjeçarëve në Sarandë, Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi i njohur si “Koçole”, ku prej 18 ditësh nuk ka asnjë gjurmë prej tyre.
Ashtu siç u raportua edhe më herët, ata dyshohet te jenë ekzekutuar dhe groposur në fshatin Vrinë të Bashkisë Konispol. Mësohet se që prej mëngjesit, rreth 50 familjarë te Fatmir Sulovarit janë nisur drejt kësaj zone për ta krehur fizikisht dhe me mjete logjistike me qëllim gjetjen e trupave të pajetë.
Burimet bëjnë me dije se personat e shoqëruar në lidhje me këtë ngjarje janë me precedentë penalë, disa madje edhe të arrestuar dy vitet e fundit nga policia e Sarandës për vepra të rënda, por të liruar më pas nga Gjykata e këtij qyteti. Ende nuk dihet nëse ndaj tyre është lëshuar urdhër-arresti.
Dyshohet se motivi kryesor i ekzekutimit të “Koçoles” dhe shokut të tij mendohet të jetë shit-blerja e një toke, edhe pse personat e dyshuar për këtë ngjarje kanë precedentë për çështje të mëdha narkotikësh.
Autorët e dyshuar janë kujdesur të fshehin provat mirë, pasi një prej 8 automjeteve të sekuestruara për verifikim, rezulton që ka pasur disqet e gomave të lyera për kamuflim. Mungesa e provave konkrete, por kryesisht e trupave, mendohet se është arsyeja pse policia nuk po e konkludon operacionin me arreste.
Shpresat e policisë dhe prokurorisë për gjetjen e trupave, janë tek bashkëpunimi i njërit prej personave që po mbahet i shoqëruar, i cili ka refuzuar të flasë megjithëse është një individ që ka informacion të detajuar.