Transformimi politik, ekonomik e social i viteve ’91-’92, shënoi fillesta e krimit të organizuar në Shqipëri. Krim që në atë kohë kishte përmasat e bandave kriminale që më pas nisi të transformohej. Gangsterrët filluan të pushtojnë rrugët e qyteteve kryesore të vendit dhe anarkia shtoi pasigurinë për jetën. Nisën të krijohen bandat e para që financoheshin nga paratë e drogës, prostitucionit, bixhozit por edhe nga gjobat që u viheshin bizneseve. Disa me kërcënime e disa me pengmarrje që në shumë raste ishin të pakthyeshme, u trajtuan këtë të shtunë në emisionin ‘Gjërat tona’, të gazetares Etleva Delia.

Shumë biznesmenë u vranë e disa të tjerë patën fund edhe më tragjik. U rrëmbyen e rezultojnë të zhdukur sot e kësaj dite.  E ndonëse vrasjet e para të atyre viteve kanë autorësinë e banditëve, rrëmbimi i parë është konsideruar krim shtetëror. Bëhet fjalë për biznesmenin shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, i cili u zhduk më 21 tetor të vitit 1995.

Për më shumë se një dekadë nga nisja e këtij transformimi të madh, numërohen disa ngjarje të tilla, të gjitha pa autor. I tillë është edhe rrëmbimi e me pas zhdukja e kreut të shoqatës së biznesmenëve, Koço Dado, më 8 qershor të vitit 1998, në Tiranë. Apo edhe zhdukja e 39-vjeçares Irena Seli, më 16 dhjetor të vitit 2004 dhe e Eduart Belegut, më 24 mars të vitit 2010.

Në librin “Krimi dhe Antikrimi” me autor oficerin e policisë Bujar Hoxha, paraqitet një tablo komplekse e veprimtarisë së grupeve të krimit të organizuar. Ata shfrytëzuan çdo mundësi për të ngritur biznese me financa të zeza e më pas zgjeruan veprimtarinë e tyre, duke kaluar në krime monstruoze ndaj biznesmenëve që merreshin peng për shuma miliona dollarëshe.

21 tetor 1995 – Zhduket Remzi Hoxha, u rrëmbye nga SHIK e u torturua për vdekje

Paraditen e datës 21 tetor 1995, në mes të Tiranës biznesmeni 39-vjeçar shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, u rrëmbye nga 3 makina.  Sipas dëshmitarëve, Remziu u fut në një makinë me ngjyrë të bardhë dhe më pas askush nuk di se çfarë ka ndodhur me të. Dy ditë pas rrëmbimit, u pranua zyrtarisht nga strukturat shtetërore se Remzi Hoxha ishte shoqëruar por edhe ishte liruar. Megjithatë ai nuk u gjet kurrë.

Po ato ditë u rrëmbyen edhe gazetari kosovar Avdyl Loshaj dhe biznesmeni sarandjot Ziso Kristopulli. Të mbijetuar nga torturat, ata rrëfyen se SHIK-u i kishte rrëmbyer dhe keqtrajtuar duke i akuzuar si agjentë të huaj. Për Remzi Hoxhën dëshmuan se ishte torturuar, por nuk e dinin se ku kishte përfunduar.

Humbja e një njeriu të afërt është ngjarja më e rëndë për familjen e tij. Por bëhet edhe më e rëndë kur nuk kanë një varr për të. Për familjarët e Remzi Hoxhës, që vit pas viti humbën çdo shpresë, gjetja e eshtrave të tij do të ishte lehtësimi më i madh.

Më 18 mars të vitit 2013, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda shpalli vendimin përfundimtar për tre ish-zyrtarët e Shërbimit Informativ, të akuzuar për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas. Pesëshjae gjykuese ia “faturoi” të pandehurit Ilir Kumbaro vdekjen e biznesmenit. Apeli vendosi lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda në lidhje me deklarimin e fajshëm të të pandehurit Ilir Kumbaro për akuzën ‘tortura me pasoja të rënda’, me pasojë vdekjen e shtetasit Remzi Hoxha.

Ndërsa deklaroi të pafajshëm për çdo akuzë të pandehurit Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi. Ata fituan pafajësi edhe në lidhje me “cenim të lirisë” dhe “kryerjes së veprimeve arbitrare”, akuza për të cilat u fajësuan në Shkallën e Parë, por përfituan nga amnistia e vitit 2007.

Në vendim e Gjykatës thuhej se qytetari më kombësi shqiptare dhe shtetësi maqedonase Remzi Hoxha, ka vdekur në harkun kohor të disa ditëve pas privimit nga liria dhe se në këtë kohë ka qenë në duart e punonjësve të Shërbimit Informative Kombëtar. Në këto rrethana, gjykata vendos se shtetasi Ilir Kumbaro, tej çdo dyshimi të arsyeshëm, ka qenë personi që ka mbajtur në izolim, që ka keqtrajtuar dhe dhunuar sistematikisht dhe në mënyrë çnjerëzore të dëmtuarin dhe për rrjedhojë, me veprimet e tij të drejtpërdrejta kriminale ka sjellë edhe vdekjen e tij.

I pandehuri Ilir Kumbaro është i kërkuar nga Drejtësia që prej arratisjes së tij në dhjetor të vitit 2011 nga Britania e Madhe. Ish-punonjësi i SHIK-ut Budjon Meçe u dënua bashkë me Ilir Kumbaron por në momentin e fundit në gjyq mbërriti një “raport mjekësor” sipas të cilit Budjon Meçe ishte “në gjendje kome në një spital privat” në Tiranë, e më pas ndërroi jetë.

Në vitin 2020, kur u bënë 25 vjet nga vdekja e tij, familja njoftoi se do t’i jepte fund kërkimit për gjetjen e eshtrave.

Familja e Remzi Hoxhës vazhdimisht ka pretenduar se ai u rrëmbye me urdhër të presidentit të atëhershëm shqiptar Sali Berisha nga anëtarët e Shërbimit Informativ. I biri, Ardian Hoxha ka thënë vazhdimisht se SHIK nuk kishte qëllim për të vrarë babanë e tij, por se ai ishte torturuar aq keq, saqë nuk mund të mbijetonte. Pastaj autoritetet shqiptare “e fshehën trupin”, duke e lënë familjen të kërkonte eshtrat e tij për 25 vjet me radhë. Sipas tij dy incidente bënë që SHIK-u të merrte babanë e tij. I pari ishte që Remzi Hoxha mori informacione se Sali Berisha do të takohej me presidentin serb Sllobodan Millosheviç, gjë që do të shihej si një tradhti ndaj çështjes shqiptare. Incidenti i dytë ishte që Hoxha pa Bashkim Gazideden, drejtorin e SHIK-ut në atë kohë, duke drekuar me shefin paraushtarak serb Zeljko Raznatoviç, i njohur ndryshe si Arkani, në Shkodër, gjë që gjithashtu do të shihej si tradhti.

8 Qershor 1998 – Zhduket Koço Dado, pengmarrësit kërkuan 1 milion dollarë

Më 8 qershor të vitit 1998, në afërsi të ish-ambasadës Polake, ndodhi një nga ngjarjet që u kosniderua ndër më të rëndat. Fillimisht pati një breshëri automatiku e më pas disa persona, me një furgon, tip “Ford”, morën peng Koço Dadon. Ai ishte një biznesmen i mallrave ushqimorë, por që kohët e fundit mbante edhe postin e kryetarit të Shoqatës së Biznesmenëve Shqiptarë. E për të larguar çdo tentativë për të ndërhyrë, pengmarrësit e maskuar, qëlluan sërish në ajër e u larguan. Një kasetë e gjetur në pragun e derës së shtëpisë, më 25 qershor të po atij viti, vetëm sa shtoi hamendjet se çfarë i kishin bërë Dados, por asnjëherë hetuesit nuk mundën të zbardhnin arsyet.

I lidhur kokë e këmbë, i ulur në një krevat dhe me sy të zëna me natriban, Dado ka thënë disa fjalë mes të cilave një ishte shumë më e rëndësishme: “Mbahem prej 17 ditësh për 1 milion dollarë. Do isha liruar, nëse nuk do bëhej publik në polici dhe në gazeta”. Ky ishte edhe kontakti i fundit i të afërmve me Dadon. Për të gjithë, ai rezulton i humbur dhe për fatin e tij nuk dihet.

13 vjet pas rrëmbimit dhe zhdukjes së mistershme të biznesmenit Koço Dado, bashkëshortja dhe vëllai i tij kanë dhënë shpjegime në Gjykatën e Tiranës mbi rrëmbimin e tij. Suzana Dado ka rrëfyer se deri dy muaj pas rrëmbimit të bashkëshortit të saj në qershor 1998 në Tiranë, kishin marrë telefonata anonime dhe kaseta filmike të familjarit të tyre. Ndërsa Nikolla Dado, vëllai i biznesmenit të zhdukur, është shprehur se për rrëmbimin e të vëllait kishte folur edhe me ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes. Sipas Nikolla Dados, ministri i kishte thënë se problemi nuk ishte një bandë kriminale, por struktura të organizuara të shtetit.

Deklaratat janë dhënë në Gjykatën e Tiranës gjatë shqyrtimit të kërkesës së Suzana Dados për shpalljen të vdekur të biznesmenit Koço Dado. Gjykimi kishte nisur në dhjetor të vitit 2010 dhe ka marrë fund një vit më vonë pas 7 seancash gjyqësore. Gjykata e Tiranës vendosi të caktojë datën 1 korrik 1999 si datë vdekjeje të biznesmenit Dado.

16 Dhjetor 2004 – Zhduket Irena Seli, kishte hipur në traget nga Trieste për në Durrës

Paraditen e 16 dhjetorit të vitit 2004, pas një udhëtimi 14 orësh, pak para se trageti i nisur nga Trieste të mbërrinte në Durrës, Agim Musho ka parë për herë të fundit gruan e tij, Irena Seli. Pas një debati që ka pasur me të, ajo është nisur të shkojë në dhomë e më pas askush nuk e ka parë më. Gjatë kohës së qëndrimit në traget ata kanë debatuar, pasi Agimi dyshonte se Irena kishte një pako për të dashurin e saj. Trageti ka mbërritur në Portin e Durrësit rreth orës 13:30. Më pas, Agimi ka shkuar për të marrë makinën. Kur ka nxjerrë makinën nga trageti, Agimi nuk e ka parë Irenën te sheshi i trageteve. Ka menduar se ajo ishte zemëruar dhe kishte ikur me taksi pas debatit që kishin bërë. Pasi është interesuar tek i vëllai i Irenës, tek motra e tij e më pas edhe tek fëmijët dhe nuk ka mësuar asgjë rreth saj, Agim Musho ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Durrësit që pas disa veprimesh ka regjistruar procedim penal për “vrasje”.

Në janar të vitit 2015, gati 10 vjet pasi Irena Seli hipi në tragetin e linjës Trieste-Durrës, nga i cili nuk u mësua kurrë nëse zbriti apo jo, Gjykata e Tiranës e shpalli atë zyrtarisht të zhdukur. Hetimet e nisura nga Prokuroria e Durrësit për zhdukjen e Irena Selit dhe dyshimet për vrasje nuk dhanë rezultat, duke lënë në mister këtë ngjarje. Hetimet provuan vetëm se Seli kishte hipur në traget, por nuk zbardhën faktin nëse kishte zbritur prej tij.

Dosja penale e zhdukjes së Irena Selit u hetua për më se dy vjet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Pasi hetimi nuk arriti asnjë rezultat, u vendos pezullimi i dosjes dhe më vonë fashikulli i kaloi për kompetencë Prokurorisë së Durrësit. Në disa raste dyshimet për zhdukjen ranë mbi bashkëshortin e saj Agim Musho, ish-pronar i një kompleksi në Tiranë dhe një person tjetër, që Irena Seli kishte lidhje jashtëmartesore. Por në fakt asnjë detaj, asnjë provë, asnjë dyshim nuk ka arritur të provojë implikimin e dy emrave të dyshuar nga prokuroria e Durrësit dhe ajo e Krimeve të Rënda.

Prokuroria e Durrësit i mbajti formalisht të hapura hetimet pa rezultat dhe në fund vendosi mbylljen e dosjes pa pistë e pa autor. Për rrjedhojë, fati i Irena Selit nuk u mësua asnjëherë, ndërsa familja e saj nuk mori asnjë lajm për gruan e zhdukur, edhe pse iu adresua të gjitha institucioneve të shtetit duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes.

24 Mars 2010 – Eduart Belegu rrëmbehet e zhduket në mes të Tiranës

Eduart Belegu, ish-këshilltari i ministrit të Energjitikës, rezulton i zhdukur prej 24 marsit të vitit 2010. Administratori i kompanisë koncesionare “Darfo” në Elbasan, ka dalë nga shtëpia e tij dhe nuk është kthyer më. Prej pasdites së asaj date, telefoni i tij ka rezultuar vazhdimisht i fikur, ndërsa makina e tij “Range Rover”, është gjetur e parkuar në parkingun e një blloku pallatesh në Laprakë. Dy ditë para se të zhdukej, Belegu ishte paraqitur pranë Policisë Gjyqësore, ashtu siç kishte dhënë vendimin Gjykata e Lartë.

Belegu kishte qenë kandidat për deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në vitin 2005, ndërsa ishte një nga përfaqesuesit e strukturave të këtij subjekti politik që nga themelimi i saj e me edhe një nga kontribuesit financiar në fushatat elektorale.

Kur ish-ministri Dritan Prifti, mori detyrën në shtator të vitit 2009, Belegun e perzgjodhi në stafin e tij, si një nga njohësit më të mirë në vend, të industrisë së kromit. Me të marre detyrën Belegu, ngriti një ekip kontrolli, për të hetuar dhe shqyrtuar të gjitha dosjet e koncesioneve dhe të licensimit të kompanive të kromit në zonën e Bulqizës.

Ky hetim me sa duket nuk u prit mirë dhe vetem pak javë më pas, më 16 nëntor 2009, Belegu u nxor jashtë loje me një urdhër arresti të Prokurorisë së Elbasanit. Eduart Belegu e cilësoi arrestimin si sulm politik ndaj tij për shkak të interesave qe kishte prekur në industrinë e kromit.

Nderkohe, Ilir Meta, në atë kohë zëvendëskryeministër, e cilësoi Belegun, si një personazh të korruptuar që duhej të mbante përgjegjësi ligjore për shkeljet që kishte bërë. Në këto kushte, ish-ministri Dritan Prifti, nuk pati mundësi ta mbronte dhe firmosi shkarkimin e tij. Vetem 3 muaj më vonë, pasi zhurma ishte shuar, Gjykata e Lartë më 10 shkurt të vitit 2010, e liroi nga burgu Belegun duke zëvendësuar masën e sigurisë në detyrim paraqitje.

Kjo dosje nuk u hetua kurrë dhe askush nuk u dënua për të, duke hedhur dyshime se ishte një histori me akuza të ngritura vetëm për të larguar nga funksionet shtetërore Eduart Belegun. E megjithatë duket se nuk u mjaftuan me kaq. Pas më shumë se një muaj më vonë, më 24 mars të vitit 2010, u organizua rrëmbimi dhe zhdukja pa lënë gjurmë e biznesmenit Belegu.

Vitet e fundit, shumë rrëmbime që janë mbyllur me persona të zhdukur e dyshime për vrasjen e tyre, kanë si emërues të përbashkët lëndët narkotike, por edhe pazare të tjera krimesh që prishen gjatë rrugës. Shumë familje në Vlorë e Sarandë jetojnë me ankthin e vdekjes sapo gjendet një kufomë e dekompozuar, apo deti nxjerrë në breg trupa të pa jetë.

Zhdukja e të rinjëve, peshkatarëve, emigrantëve apo biznesmenëve, përgjatë viteve 2015-2018 në qytetet buzë Jonit, u kthye në një shqetësim serioz. Një pjesë e hetimeve u kryen nga Prokuroria e Vlorës e një pjesë u morën përsipër nga Krimet e Rënda.

17 Qershor 2015 – Rrëmbehet në shëtitoren e Sarandës Ridvan Lamaj

Pasditen e 17 qershorit 2015, një “BMW X5” futet mes njerëzve në shëtitoren e Sarandës dhe personat që ndodheshin brenda sa thërrasin Ridvan Lamajn, duke e futur brenda në makinë.  Para këtij momenti, Lamaj po pinte kafe, në një nga lokalet në shëtirore.  Sipas denoncimit të bërë në polici nga bashkëshortja e tij, 4 persona e kanë rrëmbyer 37-vjeçarin, rreth orës 18:15 të 17 qershorit, në rrugën Turizën- Kanali i Çukës. Ai është keqtrajtuar dhe më pas është futur në makinë dhe që prej asaj dite nuk është gjendur pasi dyshohet të jetë vrarë nga rrëmbyesit.

Policia identifikoi si autorë të rrëmbimit të tij Adrian Ogiçin e Vitor Islamin, por vetë Lamaj vijon të jetë i zhdukur prej 8 vitesh. Në dosjen e Prokurorisë janë të administruara si provë përgjimet që tregojnë rrëmbimin e ndodhur pasditen e 17 qershorit 2015. Në provat e administruara nga Gjykata gjenden përgjime bisedash telefonike të zhvilluara mes Vitor Islamit dhe familjarëve të tij, ku flitet për zhdukjen e Ridvan Lamajt. Gjykata e Krimeve të Rënda, dënoi në total me 39 vite burg dy rrëmbyesit e Ridvan Lamaj, trupi i cilit nuk është gjendur ende. Viktor Islami do të vuaj 20 vite burg, ndërsa shoku i tij që është në kërkim, Adrian Ogiçi është dënuar me 19 vjet burg.

22 Nëntor 2016 – Zhduket në Vlorë Leonard Mehmeti, baba i tre fëmijëve

Leonard Mehmeti, nga Vlora, i njohur edhe me emrin Nani, rezulton i zhdukur që prej mesditës së 22 nëntorit të vitit 2016. Gjurmët e Mehmetit kanë humbur në Shijak. Të paktën aty rezulton të ketë qenë i ndezur për herë të fundit telefoni i tij. Babai i tre fëmijëve, kishte pasur precedentë të mëparshëm penale dhe në vitin 2008 ishte ekstraduar nga Kanadaja, pasi ishte person në kërkim nga Interpoli.

Ndërsa në Vlorë ai njihej si biznesmen. Kishte në pronësi një restorant në zonën e Lungo Mares dhe një fermë kuajsh në fshatin Panaja. Familjarët janë lajmëruar nga shokët e tij të nesërmen, të cilët u kanë thënë se nuk po e gjenin askund Nanin. Madje ata kishin dyshime se mos ishte vrarë në Durrës. Të afërmit e tij kanë pritur edhe dy ditë dhe më 25 nëntor kanë bërë denoncim në Polici. Vëllai i Mehmetit ka deklaruar në Polici se ditën që kanë humbur kontaktet me të, ai ishte nisur drejt Tiranës.

Nga tabulatet telefonike ka rezultuar se numri që kishte në përdorim Leonardo Mehmeti ka qenë aktiv deri më datë 27 nëntor dhe është përdorur për herë të fundit në Shijak. Ai kishte miqësi dhe takohej shpesh me oficerin e Policisë Ervin Dalipajn dhe Juxhin Dautin, por pas 6 muajash edhe ata u vranë në Shijak.

17 Korrik 2018 – Albano Xhaferri zhduket me urdhër të Edison Harizajt

Albano Xhaferraj, baba i dy fëmijëve, humbi kontaktet me familjen 17 korrikun e vitit 2018. Ai nuk kishte shumë kohë që ishte kthyer nga Belgjika. Babi i tij Lufti Xhaferri thotë se ditën që u zhduk erdhi dikush dhe e thërriti. Albano mori të birin që e kishte lënë tek gjyshërit dhe e ka lënë në banesën e tij. Më pas u largua me personin në fjalë.

Familjarët kanë bërë denoncimin në polici, por deri tani nuk dihet asgjë për fatin e 34-vjeçarit. I ati nuk ka dijeni për probleme të Albanos në Belgjikë. Ai thotë se është kthyer me një person tjetër prej andej, i cili po ashtu është zhdukur 20 ditë pas të birit.

Në datën 2 gusht të vitit 2018, për zhdukjen e Albano Xhaferrit i është marrë deklarim Gazmend Merkaj, banues në Vlorë, që ka shpjeguar se ka dijeni për zhdukjen e shtetasit Albano Xhaferi. Ai ka rrëfyer se ka qenë me Ardit Kolën, Aleksandër Çaushajn dhe Ilir Shakajn, të cilët kanë vrarë Xhaferrin për llogari të Edison Harizajt, i vrarë vjeshtën e vitit 2018, në autostradën Tiranë-Durrës. Shkaku i vrasjes dhe marrjes peng, sipas tij, ishte dijenia e Xhaferrit për atentatin ndaj Ferdinand Llanajt, në tetor të vitit 2017. Xhaferri sipas tij u vra me çekiç, në momentin që u mor në mjetin tip “Audi”. Ndërsa deri më sot trupi i tij nuk është gjetur.

17 korrik 2018 – Zhduket Elvis Troqe, e futën në makinë në mes të Vlorë

Një 24-vjeçar, i sapokthyer nga Italia, rezulton i zhdukur që prej datës 17 korrik 2018, kur u fut në një makinë në mes të qytetit të Vlorës. Elvis Troqe, u kthye në Shqipëri, pasi përfundoi dënimin për trafikim të lëndëve narkotike, në Itali.

Rreth orës 18:00, të datës 17 korrik, Elvisi ka dalë nga shtëpia, për t’u takuar me një mikun e tij në bar “Havana”. Pesë minuta pasi ka porositur kafen, ai i ka thënë mikut, me të cilën ndodhej në tavolinë se do të lëvizte për 2 minuta sa të takonte një shok dhe do të kthehej.

Por në momentin që ka dalë nga lokali, jashtë, në rrugën kryesore, e priste një “Mercedez” ngjyrë gri.  Ai ka përshendetur drejtuesin e kësaj makine dhe është future brenda. Dyshohet se në mjet, përveç shoferit, të kenë qene edhe dy persona të tjerë. Makina merr rrugën drejt Lungo Mares e më pas zhduket në afërsi të kompleksit “Oslo”. I ati, pasti pret për disa orë kthimin e tij në shtëpi dhe tenton të lidhet në telefon e nuk arrin të flasë, i shqetësuar i drejtohet Policisë. Pas shumë veprimeve hetimore, arrestohet pronari makinës ku kishte hipur Elvis Troqe, shtetasi Besart Zharra.

Më 18 korrik 2018, një ditë pas zhdukjes së Troqes, policia ka shkuar në banesën e shtetasit Inez Hajrulla. I pyetur në lidhje me rrethanat e ngjarjes, ai ka shpjeguar për oficerët e policisë se më datë 17 korrik 2018, rreth orës 17:30 ka dalë nga banesa për të bërë fizioterapi dhe se nuk ka asnjë njohje me 24 vjeçarin Troqe. Familjarët e Troqes të bindur që nuk do e gjenin më të gjallë, kërkonin gjetjen e trupit të tij. Por ngjarja vijon të jetë e mbuluar me mister edhe sot.

Po për çështje droge dyshohet se u rrëmbye edhe Jan Prenga, që ndonëse ende nuk ka një kufomë, Prokuroria ka dyshime të forta se ai është vrarë.

E duket se zhdukja më e bujshme e viteve të fundit është ajo e Ervis Martinajt. Prej 9 gushtit të vitit të kaluar aludimet për fatin e tij mes jetës a vdekjes janë të shumta.

9 Shkurt 2015 – Enver Stafuka rrëmbehet në Fushë-Krujë sa del nga lokali

Në orën 19:46 të mbrëmjes së datës 9 shkurt 2015, persona të veshur si policë e të maskuar, rrëmbyen në qendër të Fushë-Krujës, Enver Stafukën. Ai kishte qenë i hetuar si personi që vodhi makinën ‘BMW’ nga ku u qëllua për vdekje komisari Dritan Lamaj. Teksa po pinte një kafe në lokalin që ndodhet pranë shtëpisë së vëlait të tij, Stafuka doli për të hipur në makinë, dhe në këtë moment, ai u mor forcërisht. Dëshmitarët kanë treguar se Enver Stafuka ka qenë në kafe dhe aty kanë shkuar edhe Durim Bami, Gentjan Bejtja e Ramazan Rraja. Ata kanë qëndruar aty për afro 20-30 minuta dhe janë larguar pak para se të rrëmbehej Stafuka. Ai ka dalë pasi dikush e ka marrë në telefon. Sipas dëshmitarëve ky person i ka kërkuar që ta takojë dhe ndodhej në Kameras të Krujës.

Policia e Durrësit, u kujdes që kërkimet dhe hetimet të mbaheshin në sekret të plotë. Ndërsa as sot pas 8 vitesh nga zhdukja e tij, askush nuk di të thotë se kush e mori dhe cili ishte fati i Enver Stafukës.

Babai i 4 fëmijëve u arrestua mbrëmjen e 27 majit të vitit 2013 në qytetin e Fushë-Krujës, si bashkëpunëtor i dyshuar në vjedhjen e automjetit BMW, nga i cili u ekzekutua mbrëmjen e 24 shkurtit të atij viti, kryekomisari Dritan Lamaj. Por Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës e liroi si të pafajshëm më 13 nëntor të vitit 2013. Për vrasjen e Lamajt, u arrestua në Selanik biznesmeni, Arben Frroku, i cili i është arratisur tashmë drejtësisë shqiptare. Prokuroria provoi se Frroku njihej me Stafukën dhe ditën ku u vra Dritan Lamaj të dy kishin komunikuar me njëri-tjetrin.

Familja e Enver Stafukës vazhdimisht e ka drejtuar gishtin nga Durim Bami, por asgjë nuk është provuar.

23 Gusht 2018 – Zhduken në Shkodër dajë e nip, Gëzim Hysaj e Agron Mollaj

Gëzim Hysaj dhe Agron Mollaj, dajë dhe nip, prej datës 23 gusht të vitit 2018 janë denoncuar nga familjarët si të humbur. 56-vjeçari Hysaj, banues në Postribë, dhe 47-vjeçari Mollaj, banues në Dobraç, janë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.

Ata kanë dalë nga banesat e tyre, për të takuar secili nga një person të paidentifikuar për familjarët dhe nuk janë kthyer më. Të dyja familjet kanë bërë denoncim në Polici që atë natë, ndërsa ende nuk kanë asnjë informacion se çfarë mund të ketë ndodhur me dy kryefamiljarët.

Bashkëshortja e Gëzim Hysaj, Saimira Hysaj, dhe bashkëshortja e Agron Mollaj, Merita Mollaj, kanë dëshmuar në Polici se si janë larguar këta dy persona nga banesat me 23 gusht dhe se si pas një ore telefoni i Gëzimit ka dalë i fikur, ndërsa Agron Mollaj nuk e kishte fare telefonin me vete.

Gëzim Hysaj, baba i katër fëmijëve, përveç kishte në pronsi një punishte floriri dhe argjendi në Shkodër. Nipi i tij, Agron Mollaj, baba i tre fëmijëve, punonte në një servis motorësh te shtëpia e tij. Bashkëshortja e Hysajt, ka deklaruar se 56- vjeçari i kishte thënë se do të takonte një shok për kafe, ndërsa kur e ka telefonuar nuk i është përgjigjur dhe më pas numri ka dalë i fikur. Policia dyshoi në atë kohë se ata kishi lidhje me fisin Lici në Shkodër, por asgjë nuk u arrit të konfirmohej.

17 janar 2020 – Rrëmbehet e torturohet Jan Prenga, dyshohet se është vrarë

Mëngjesin e 17 janarit të vitit 2020, rreth orës 7:40, Jan Prenga ndodhej në një lokal, në shoqërinë e një gruaje. Jashtë lokalit, një person ruante lëvizjet e tij. Ky ishte momenti i fundit ku prenga u pa i gjallë në lagjen ku banonte, në zonën e Kamzës, më pas u rrëmbye në rrugën London dhe dyshohet se u torturua për vdekje. Rrëmbyesit e transportuan nga Kamza me automjetin e vjedhur “Range Over”, në bodrumin e resortit “Golden”, nga ku më pas ai doli i pa jetë.

Këto detaje dhe të dhëna i vërteton një kamera sigurie e këqyrur nga ekspertët e kriminalistikës, gjatë një hetimi intensiv. Gjithashtu ky hetim ekspozoi një organizatë të njohur, bashkim i tre grupeve kriminale që vepron në fushën e trafikut të kokainës dhe që ka nisur veprimtarinë në Ekuador.

Sipas hetuesve, rrëmbimi dhe torturimi i Jan Prengës, ndodhi për shkak të kodit që ‘theu’ korrieri i drogës, që në këtë rast ishte vëllai i tij. Ngarkesa e padorëzuar në destinacion nga i vëllai i mori jetën, ndërkohë që pavarësisht zbardhjes në kohë nga Policia të ngjarjes, trupi i Jan Prengës, ende nuk është gjetur.

Sipas hetimeve, Dritan Rexhepi, i cili aktualisht rezulton të jetë i burgosur në shtetin e Ekuadorit dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedent penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jan Prenga.

Ky urdhër është dhënë pasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës nuk dërgoi në destinacion një sasi kokaine në Portin Portsmouth të Anglisë, që u përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.

9 Gusht 2022 – Dënoncohet i zhdukur Ervis Martinaj, ishte në kërkim nga Policia

Më datë 10 gusht 2022, shtetasi Faik Martinaj, xhaxhai i Ervis Martinajt, banues në Fushë- Kuqe, paraqiti një kallëzim penal në Komisariatin e Policisë Kurbin. Në dosjen e Prokurorisë thuhet se, kallëzuesi bëri me dije se më datë 9 gusht kishin humbur kontaktet me nipin e tij, ndërkohë që ky i fundit ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Gjykata e Posaçme, më datë 17 maj 2022 ka caktuar ndaj Ervis Martinajt masën e sigurimit personal “arrest në burg” për 4 vepra penale, një prej të cilave, grup i strukturuar kriminal. Faik Martinaj, në kallëzimin e tij ka shpjeguar se më datë 9 gusht 2022, rreth orës 22.00, janë njoftuar nga një i afërmi i tyre që ndodhet jashtë shtetit dhe që për arsye sigurie nuk e identifikon me emër, i cili kishte humbur kontaktet me nipin e tij Ervis Martinaj. Telefoni i tij rezultonte i fikur, çka e bënte të dyshonte se mund të ishte zhdukur nga persona të paidentifikuar.

Faik Martinaj shpjegonte se që prej kohës që nipi i tij Ervisi është shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë, ai dhe familja e tij nuk kishin pasur kontakte me të dhe nuk kishin dijeni për vendndodhjen e tij.

I pyetur lidhur me motivet dhe personat që mund të jenë përfshirë në zhdukjen e nipit të tij, Faik Martinaj sqaronte se që prej dhënies së dëshmisë së shtetasit Nuredin Dumani, i cili e akuzonte nipin e tij Ervisin për disa krime të rënda, kishin filluar edhe problemet për të.

Ai ka hedhur dyshime për grupe kriminale dhe posaçërisht tek shtetasi Endrit Dokle. Lidhur me faktin e kallëzuar është pyetur si person që ka dijeni për veprën penale edhe shtetasi Mustafa Martinaj, babai i shtetasit Ervis Martinaj, i cili ka dhënë të njëjtat shpjegime lidhur me kohën dhe rrethanat e zhdukjes së djalit të tij.

Ai ka deklaruar se kontakti i fundit me të, kishte qenë në datë 9 gusht 2022, në orën 19:30, me të afërmin e tyre që ndodhet jashtë shtetit dhe që nuk tregohet se kush është. Pas këtij kallëzimi, Prokuroria ka regjistruar procedim penal për rrëmbim personi, por nuk është zbuluar asgjë rreth vendndodhjes së Ervis Martinajt. Është hetuar në disa drejtime nga ana e organit të akuzës, janë vënë në përgjim shumë persona, por deri më sot nuk është konkluduar asgjë.  Ai konsiderohet “i humbur”, edhe pse ka pasur aludime se mund të jetë vrarë. Por për aq kohë sa nuk ka një trup të pajetë, nuk ka as vrasje. E për aq kohë sa kjo nuk mund të provohet, nuk mund të përjashtohet as mundësia që Ervis Martinaj të jetë gjallë.

Për Policinë e Shtetit, fakti që prej zhdukjes së tij, nuk kishte pasur ngjarje kriminale, të paktën përplasje me armë mes grupeve siç kishin ndodhur më parë, shpjegonte dobësimin e grupit të tij.

Kjo e dhënë ishte edhe një lloj indikacioni që e shtynte Policinë të mendonte se Ervis Martinaj edhe mund të ishte vrarë. Por ngjarja e 12 marsit 2023 në “Don Bosko”, ky një grua e pafajshme u vra në lokalin e Fatjon Muratajt, duket se e ringjalli duke kthyer hijen e tij. Rivaliteti mes tij dhe Martinajt bëri hetuesit të besojnë për riaktivizimin e grupit të tij. E pse jo, ta konsiderojnë edhe një herë aktiv.

“Njerëz që zhduken”, tashmë është kthyer në fenomen. Teksa hetuesit janë në ndjekje të gjurmëve e provave, familjarëve çdo ditë e më shumë u shuhen shpresat se ata mund të jenë gjallë. Me sytë herë nga deti e herë nga policia, tashmë ata janë dorëzuar. Kërkojnë vetëm një varr ku t’i qajnë. /Emisioni “Gjërat Tona”