“Maska” e Bashkim Ulaj , Ardit Metaliaj merr tenderin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, ofroi më shumë se të tjerët

Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli fitues kompaninë 4-AM në tenderin për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, faza e dytë, edhe pse kompania paraqiti ofertën më të lartë.

Sipas dokumentave të publikuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike, në tenderin me fond limit 2.5 miliardë lekë  u paraqitën 3 oferta në total për zgjerimin e rrugës me gjatësi 3.84 kiliometra.

"Maska" e Bashkim UIaj, Ardit Metaliaj merr tenderin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, ofroi më shumë se të tjerët
“Maska” e Bashkim UIaj, Ardit Metaliaj merr tenderin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, ofroi më shumë se të tjerët

E para ishte e kompanisë Albavia, e cila ofroi vlerën 2 miliardë e 163 milionë lekë. Oferta e dytë ishte e kompanisë Geci me 2.2 miliardë lekë,  ndërsa e treta ishte ajo e kompanisë 4-AM me vlerë financiare 2 miliardë e 424 milionë lekë ose 21.7 milionë euro.

ARRSH ka skualifikuar dy ofertat e para dhe ka vendosur të shpallë fituese pikërisht kompaninë 4-AM, e cila kishte një ofertë 2.4 milionë euro më të lartë se sa oferta më e ulët. Pra sa 97 për qind e fondit limit.

Sipas arsyeve të paraqitura nga ARRSH, Albavia është skualifikuar për shkak se nuk përmbush kapacitetet teknike për mjete dhe personel, ndërsa Geci është skualifikuar me arsyetimin se nuk ka punë të ngjashme.

Vetëm dy ditë më parë Albavia fitoi një kontratë po kaq të madhe në vlerë për ndërtimin e rrugës Berat-Ballaban, ndërsa pak javë më parë Geci u shpall fituese në tenderin e rrugës së Porto Romanos me vlerë mbi 8 milionë euro.

Në fakt këto procedura prokurimesh tregojnë se më shumë se sa garë reale, tenderat e infrastrukturës rrugore në Shqipëri janë një karuzel, ku secili merr nga një copë në dëm të konkurrencës së vërtetë.

Ndërsa qytetarët paguajnë koston e mungesës së konkurrencës, përmes çmimeve më të larta që paguhen nga buxheti për ndërtimin e këtyre rrugëve. Në këtë rast, diferenca e ofertës që fitoi dhe asaj më të ulët është 2.4 milionë euro.

Kush është Ardit Metaliaj, dora e Bashkim Ulajt te 4-AM

Mediat raportojnë se Metaliaj është në fakt vetëm pronar “de jure” i 4-AM që po bën kërdinë me tendera, pasi pronari real është Bashkim Ulaj.

Agjencia e Prokurimit Publik (APP) është treguar shumë tolerante me kompaninë ndërtuese “4-AM”, duke mos marrë asnjë masë administritive, megjithëse Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se shoqëria private kishte deklaruar të dhëna të rreme për të fituar një tender me vlerë mbi 3 milionë euro për rikonstruksionin e disa rrugëve në Tropojë.

(Kompania 4-AM ka si administrator dhe pronar Ardit Metaliajn, i cili konsiderohet si një nga maskat e oligarkut Bashkim Ulaj, përfitues i madh i parave publike me kompani fantazmë, klientelizëm, dallavere, blerje të gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të qeverisë.)

Në 10 Qershor 2022, APP, nën drejtimin e Reida Kashta, ka vendosur të mos përjashtojë operatorin ekonomik “4-AM” nga e drejta për të fituar kontrata publike, pasi “nuk ndodhemi në kushtet e keqinformimit për qëllime kualifikimi”.

Qëndrimi i Agjencisë së Prokurimit Publik është tërësisht i kundërt me gjetjet e auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në Shtator të vitit 2020, Bashkia e Tropojës, e drejtuar nga Rexhë Byberi, shpalli tenderin “Rikonstruksion i 5 segmenteve rrugore fshati Gri, Bujan, Cërrnicë”, me fond limit 343,905,073 lekë të reja ose mbi 3 milionë euro.

Në tender marrin pjesë dy konkurentë, njëri prej të cilëve u skualifikua pasi kishte paraqitur ofertë zero lekë, duke krijuar dyshimet se është përfshirë fiktivisht në garë.

Tenderi fitohet nga bashkimi i operatorëve “4-AM”, “Florida” dhe “Vllaznimi”, me ofertë 340. 421.901 lekë të reja ose sa rreth 99 përqind e fondit limit.

Për këtë tender janë ngritur më herët dyshime publike, pasi pronari i një prej kompanive fituese është i afërm i kryebashkiakut të Tropojës.

Kjo procedurë, si edhe disa të tjera të zhvilluara nga Bashkia e Tropojës, ishin pjesë e një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të përfunduar vitin e kaluar.

Shkelje dhe kallëzime

KLSH zbuloi shkelje të shumta në tenderin mbi 3 milionë euro dhe, në nëntor të vitit 2021, kallëzoi në SPAK kryebashkiakun e Tropojës, si edhe 8 zyrtarë të tjerë të institucionit në Prokurorinë e Tropojës.

Në njoftimin mediatik, KLSH theksonte se “janë konstatuar veprime apo mosveprime..për procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i pesë segmenteve rrugore fshati Gri, Bujan, Cërrnicë…”.

Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilin e ka konsultuar “Boldnews.al”, evidentohen edhe shkelje nga ana e shoqërisë “4-AM”, e cila rezulton pjesë e bashkimit të operatorëve fitues.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) nuk e ka konstatuar faktin se ky Operator Ekonomik (4-AM) ka paraqitur deklarim të rremë në këtë procedurë prokurimi. Mosveprimi i KVO për paraqitjen e deklarimit të rremë, nga ana e OE “4-AM” shpk, është në papajtueshmëri me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, neni 47, “S`kualifikimi i ofertuesve”, në të cilin kërkohet sa vijon: “AK s`kualifikon çdo kandidat ose ofertues, që paraqet të dhëna të rreme, për qëllime kualifikimi, në çdo kohë, deri në fazën e shpalljes së kontratës fituese. AK për çdo s`kualifikim raporton APP, për qëllimet e parashikuara në nenin 13, pika 3 e këtij ligji”, thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në foto: KLSH konstatoi shkelje në dokumentacionin e kompanisë “4-AM” shpk.

Pra, duket qartë që KLSH ka konstatuar shkelje nga ana e kompanisë private dhe ia ka përcjellë rastin Agjencisë së Prokurimit Publik, si institucioni përgjegjës për marrjen e masave ndaj shoqërive tenderuese.

APP “fal” kompaninë

Agjencia e Prokurimit Publik, megjithëse e ka pasur materialin e gatshëm nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka arritur në një konkluzion tërësisht të ndryshëm.

Në vendimin e datës 10 qershor 2022, APP shkruan se “në përfundim të procedimit administrativ, u arrit në konkluzion se nuk ndodheshim në kushtet e keqinformimit për qëllime kualifikimi”.

Në foto: Vendimi i Agjencisë së Prokurimit Publik për mospërjashtimin e kompanisë “4-AM” nga tenderat publikë

Për këtë arsye, APP “ka vendosur të mos përjashtojë kompaninë ‘4-AM’ nga e drejta për të fituar kontrata publike”.

Bazuar në të dhënat zyrtare, shoqëria “4-AM” është një prej përfitueseve kryesore të tenderave në kuadër të Rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, si edhe kontratave të tjera publike me institucionet shtetërore.

Ardit Metaliaj Bashkim Ulaj Ardit Metaliaj Bashkim Ulaj Ardit Metaliaj Bashkim Ulaj