Prokuroria e Posaçme ka firmosur urdhërarrest për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako dhe disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Durrësit. Ish-zyrtarët akuzohen për korrupsion dhe falsifikim dokumentesh.
Mësohet se Dako akuzohet për shpërdorim detyre, në lidhje me një pallat të ndërtuar në qendër të qytetit të Durrësit, godinë e cila pësoi dëme të mëdha nga tërmeti i 2019-ës.
Sipas hetimeve të SPAK, pallati ka pësuar dëmtime të rënda në tërmetin e 26 nëntorit, dhe banorët kanë bërë kallëzim për Dakon dhe ish-zyrtarë të tjerë për vrasje masive të mbetur në tentativë.
Hetimi i SPAK për Dakon është shtrirë edhe në verifikimin e pasurisë duke kërkuar verifikime nga institucione të ndryshme.
Burime bëjnë me dije se janë lëshuar 10 masa arresti, 7 arrest me burg, përfshi edhe Vangjush Dakon, e 3 arrest shtëpie, për tri zonja.
Urdhër arresti ndaj Vangjush Dakos, është firmosur rreth orës 15:00 nga Gjykata e Posaçme. Kërkesa e prokurorit Sotir Kllapi është pranuar nga gjykata për Dakon, 8 ish-zyrtarë dhe një biznesmen. Sipas të dhënave bëhet fjalë për një hetim të nisur rreth 1 vit më parë për një procedurë prokurimi si dhe dhënien e lejes së një pallati.
Ndërkohë hyrja e Drejtorisë së Policisë së Tiranës është mbuluar pasi pritet shoqërimi i Dakos dhe në këtë mënyrë arrestimi i tij nuk do të filmohet dot nga kamerat.