Mbrëmja e 6 qershorit duke u gdhirë 7 qershori, ishte nata e parë në qeli, për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, i arrestuar me urdhër të SPAK për akuzën e shpërdorimit të detyrës në dy raste.
Ndaj Vangjush Dakos, 4 ish zyrtarëve të Drejtorisë së urbanistikës së Bashkisë së Durrësit, dhe ish Drejtorin Adhurim Qehajaj, pronarin e një kompanie ndërtimi, Fiqiri Farruku, është firmosur masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa për tre nëpunëse gra është vendosur masa e ‘arrest shtëpie’.
Gjatë 10 viteve të qeverisë socialiste, janë arrestuar dhjetëra deputetë e kryebashkiakë. Lefter Alla, kryebashkiak i Bulqizës, është i fundit në listën e gjatë të të zgjedhurve socialistë të arrestuar për korrupsion apo vepra të tjera penale.
Kush janë kryebashkiakët e arrestuar?
Shpëtim Gjika- kryebashkiaku i Vlorës
Historia nisi me ish-kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika, i cili u vu në pranga në vitin 2015, nën akuzën e dhënies së lejeve të paligjshme të ndërtimit.
Ai akuzohej për shpërdorim detyre, falsifikim të dokumentave, ndërtim të paligjshëm dhe për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.
Për t’u rikthyer sërish në qarkun Dibër, në vitin 2016 u arrestua kryetari i atëhershëm i bashkisë Dibër, Shukri Xhelili, pas publikimit të video-skandalit, ku kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune.
Xhelili i dënua me 1 vit e 8 muaj burg për akuzën “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën”. Ai u lirua nga qellia më 30 qershor 2017.
Ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku u arrestua nga policia italiane, pasi u kap me 20 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë. Kujtojmë se fshehja e një dënimi në Greqi për falsifikim parash në formularin e dekriminalizimit çoi në shkarkimin e Kajmakut nga drejtimi i bashkisë së Vorës.
Pasi u zgjodh në krye të bashkisë më 30 qershor 2019 ai u denoncua nga PD për fshehjen e dënimit. Kjo akuzë u vërtetua nga prokuroria e Tiranës e cila mori informacione nga autoritetet greke. Në një letërporosi autoritetet greke konfirmuan se ai ishte në kërkim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri.
Më 6 korrik 2021 u arrestua Fatos Tushe. Një tender me vlerë 24 milionë lekë është shkelja që çoi pas hekurave kryebashkiakun e Lushnjes Fatos Tushe bashkë me 10 persona të tjerë me tyre zyrtarë dhe ish-zyrtarë dhe dhe biznesmenë.
Tenderi ishte dhënë në mënyrë të paligjshme për ndërtimin e një kanali vaditës dhe sot Tushe ndodhet në burg.
Ish-kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla u arrestua me 16 mars 2023 me urdhër të SPAK për favorizimin e kompanisë “Englant SH.P.K” dhe dhe “BE-IS” Sh.p.k, për ndërtimin e ujësjellësit në lagjen e vjetër Bulqizë, tender me vlerë 322.439.000 lekë të rinj.
Gjithashtu në pranga kanë rënë dhe zyrtarë të tjerë bashkie, ministrie apo digasteresh të ndryshme.