Ndërtimi i një kulle prapa Teatrit të Operas dhe Baletit ka nxjerrë zbuluar jo vetëm Sali Berishën, që bën pazare kur në lojë janë bizneset e të birit, por edhe median.
Asnjë televizion i madh (me përjashtim të TCH që ka raportuar vetëm protestën e lëvizjes së Arlind Qorit), nuk ka raportuar që në mes të Tiranës po ngrihet një kullë gjigande, prapa së cilës qëndrojnë biznesmenë që kanë lidhje si me mazhorancën, ashtu dhe vetë Berishën.
Më saktë djalin e tij, Shkëlzenin, që thuhet se është ortak në këtë biznes.
Edhe gazetat apo portalet, në shumicë kanë heshtur, duke injoruar një biznes të hapur politik që po bëhet në mes të Tiranës.
Të kuptohemi, nuk është krim të ndërtosh. Aq më tepër që kulla në fjalë është me leje të rregullt.
Por kur sheh se aty nuk po muroset vetëm një park, por edhe vetë ajo që quhet opozitë e pakompromis, që do të rrëzojë Edi Ramën, nuk mund të mos reagosh.
Ndaj dhe lind pyetja, mirë Sali Berishës që ia ka zënë gojën i biri dhe biznesmenët që po ndërtojnë aty, se e mbështesin financiarisht, po mediave kush ua ka zënë gojën që nuk flasin?
Nuk po themi të përmendin me emra Gimin, Sandrin, Zenin, por të paktën të raportonin sa për korrektesë, protestën që u bë aty.
Sepse ndryshe nga rastet korruptive që raportojnë përditë, ky është korrupsioni më i madh që mund të ndodhë në një vend, që ka ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhmen e vendit.
Është korruptuar opozita. Dhe kur korruptohet opozita, se mazhorancën e marrin të mirëqenë të përlyer, atëherë ka marrë fund çdo gjë./Gazeta TemA