Policia e Vlorës ka arrestuar 33-vjeçarin nga Tirana të dyshuar si autor i sherrit që la të vdekur ndërtuesin Armando Meshau ditën e sotme në Vlorë.

Mësohet se autori, Rei Meta është kapur në Lungomaren e qytetit. Ai u konfliktua me viktimën në një kancelari pranë Gjykatës së Apelit në Vlorë, dyshohet pas mosmarrëveshjeve për një apartament.

Viktima i tha se nuk do ta merrte apartamentin, ndërsa konflikti degjeneroi në ofendime dhe më pas dhunë fizike. Meta dyshohet se e ka gjuajtur dy herë me grusht Meshaun, teksa ai ka rënë në tokë dhe ka humbur jetën.

Informacion shtesë nga policia e Vlorës:

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 11:45, në një qendër interneti, në lagjen “Hajro Çakërri”, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet 2 shtetasve, për shkak të dhunës fizike të ushtruar ndaj tij (goditjeve me grushte), humbi jetën shtetasi A. M., ju informojmë se:

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të këtij rasti, shtetasit R. M., 33 vjeç, banues në Tiranë, i cili aktualisht është shoqëruar në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.