Në një sistem të perfeksionuar, Kulla mbrapa Operas është e të gjithë aksionerëve. Nuk është vetëm e Berishës, as vetëm e Ramës, as e Metës, e Bashës jo e jo. Sipas aksioneve të pushtetit, secili ka pjesën e vetë. Lulzim Basha këtë herë mori aq aksione sa ka mbështetje dhe kjo i jep të drejtën të ankohet deri në SPAK. Sistemi e përjashtoi pa dëshirën e tij.
Për ta fshehur këtë të vërtetë, Kulla u hodh në treg si flirti i parë i atyre që në fakt prej 25 vjetësh janë bord aksionerësh. Kështu si u servir në publik, kanë të drejtë edhe Rama edhe Berisha. Ashtu siç kanë të drejtë kur akuzohen se Samir Manen, Shefqet Kasratin, Bashkim Ulajn, Agim Zeqon etj. i ka Rama dhe jo Berisha apo anasjelltas. Në raportin e fuqisë ata i takojnë sistemit, po aq sa sistemi u takon atyre. Kanë mik Sali Berishën po duan në pushtet Edi Ramën, pa e harruar miqësinë. Brenda sistemit, lufta është e ashpër për ndryshimin e kuotave, por asnjëherë fatale që ta rrezikojë atë.
Berisha dhe Rama u bashkuan në pikëpamjen e “zhvillimit të pronës”, duke legjitimuar Kullën, ashtu si në fushatën e zgjedhjeve lokale nuk e diskutuan kurrë marrjefrymën e betonit që do të vazhdojë. Rama, si ideator i betonizimit dhe si perfeksionues i këtij sistemi, sot zgjodhi ta shpalosë me mjeshtëri dhe krenari adhurimin e tij për kullat, duke premtuar të tjëra në një qytet që ka kaluar çdo limit të ndotjes dhe pajetueshmërisë.
Berisha si kundërshtar ul kokën përpara fuqisë së sistemit ku bën pjesë dhe nuk guxon as të pyesë, për kë ndërtohen këto kulla? Kush blen? Ku gjenden paratë? Sa kreditohen? Ku është projekti ku bazohet investimi qindramilionë eurosh? A kanë rrezik të shndërrohen në germadhat moderne? Pse qendrat e biznesit me shumë më pak hapësira kanë dështuar dhe janë shndërruar në hotele? Cfarë efekti kanë këto në ekonomi?
A është ky modeli i zhvillimit të një qyteti? Po i vendit?
Këto pyetje u kanë mbetur t’ i bëjnë ata që janë jashtë sistemit, që kanë marrë përsipër ta luftojnë dhe shpresojnë ta rrëzojnë. Ata që përfaqësojnë pakicën që nuk rend pas pronësisë së Kullës, por e sheh atë si pronë të një sistemi ku të gjithë janë bashkë dhe duhet të ikin bashkë, si e vetmja mënyrë që Tirana, Shqipëria dhe shqiptarët të marrin frymë.
Të tjerat janë lojërat e aksionërëve që të shpërndajnë përgjegjësinë. Sistemi nuk do t’ ja dijë për raportin me votuesit por për raportet mes vetes, qytetarët nuk kanë asnjë rrugëdalje përveç autobuseve për Gjermani dhe kamionëve e gomoneve për Angli.