Një përpjekje urgjente shpëtimi është duke u zhvilluar në Pakistan për tetë fëmijë dhe dy të rritur të bllokuar në një teleferik 1200 metra mbi një rajon malor në veriperëndim të vendit.

Fëmijët po udhëtonin për në shkollë në provincën e Khyber Pakhtunkhwa kur një nga kabllot e teleferikut u këput në orën 9 të mëngjesit me kohën lokale të martën, sipas zyrtarit të shpëtimit, Bilal Ahmad Faizi, shkruan CNN.

Tanveer Ur Rehman, një zyrtar lokal i qarkut Battagram, tha se përpjekjet e shpëtimit po kryheshin nga toka për shkak të lartësisë.

Përpjekjet e shpëtimit janë të pamundura pa një helikopter dhe nevojiten zyrtarë me përvojë të shpëtimit për të siguruar që shpëtimi të shkojë pa probleme” tha ai.

Autoriteti i menaxhimit të fatkeqësive të vendit ka kërkuar ndihmë me helikopter për të shpëtuar personat e bllokuar, po sipas CNN. Teleferiku lidh dy komunitete në rajon dhe funksionon në dy kabllo, njëri prej të cilëve u këput, tha Faizi.

Shumë fëmijë që jetojnë në pjesë të largëta dhe malore të provincës Khyber Pakhtunkhwa mbështeten te teleferiku. Disa prej tyre nuk kanë mirëmbajtje të rregullt dhe mund të jenë një formë e rrezikshme udhëtimi.