Policia ka zbardhur ngjarjen që ka ndodhur në Krubin mbrëmjen e 18 gushti të viti të kaluar ku humbi jetën 51-vjeçari, Ylli Tafili.

51-vjeçari kishte rënë në një kanal, ku u dyshua se i kishte rënë infarkt, dhe më pas është dërguar me urgjencë në spital por nuk mundi të mbijetojë.

Një vit nga ngjarja e rëndë, policia ka arrestuar 59-vjeçarin Isa Lama, i cili kishte debatuar me Tafilin dhe ky i fundit ishte rrëzuar në kanal. Sipas policisë, Lama është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, pa i dhënë ndihmë.

Mësohet se ndaj Isa Lamës, Gjykata e Kurbinit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.

Njoftim i policisë:

Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 18.08.2022, në Kurbin ku në një kanal afër banesës së tij, është gjetur nga familjarët, shtetasi Y. T. i cili disa orë më pas ka humbur jetën në spital.

Vihet në pranga një 59-vjeçar, pasi nga hetimet e thelluara ka rezultuar se, pas një konflikti të çastit me shtetasin Y. T., ky i fundit ka rënë në kanal ndërsa i ndaluari është larguar menjëherë pa i dhënë ndihmë mjekësore.

Si rezultat i veprimeve hetimore të thelluara të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin, nën drejtimin e Prokurorisë së Kurbinit, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes së ndodhur më datë 18.08.2022, në Kurbin, ku në një kanal afër banesës së tij, nga familjarët e tij, është gjetur me shenja jete shtetasi Y. T. 51 vjeç, i cili pas dërgimit në spital ka humbur jetën.

Bazuar në prova, u bë ndalimi i shtetasit I. L. 59 vjeç, banues në fshatin Shullaz, Kurbin, i shpallur në kërkim gjatë hetimeve. Ndaj tij, Gjykata e Kurbinit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.

Nga hetimet ka rezultuar se, shtetasit Y. T. dhe I.L. ishin konfliktuar verbalisht me njëri – tjetrin, ku si pasojë e atij konflikti shtetasi Y. T. ka rënë në kanal, ndërsa shtetasi I.L., është larguar menjëherë, pa i dhënë ndihmë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme